
Blerina Llalla
1- Betonizim apo jo?
Që në ditët e para të muajit prill Ministria e Kulturës u përball me kontestimin nga ana e mediave mbi çështjen e betonizimit të zbulimit Arkeologjik në qendër të qytetit të Lezhës.
Muri i antikitetit me gjatësi 5.20 metër dhe gjerësi 48 cm i gjendur në Sheshin “Gjergj Kastrioti” para Bashkisë së qytetit të Lezhës u zbulua në muajin nëntor të vitit 2014 gjatë punimeve për rehabilitimin e ujësjellësit.
Në një nga daljet publike për TV Klan Ministrja Kumbaro reagon ndaj kësaj çështjeje duke theksuar se pasi është bërë studimi, dokumentimi dhe gërmimi i shpëtimit, ekipi i specialistëve dhe arkeologëve vendosi që muri i dalë rastësisht nga nëntoka e Lezhës të mbulohej me materiale të veçanta për t’ia lënë të ardhmes studimin e tij.
Ministrja thotë: Arkeologjia e njeh teknikën e dokumentimit, evidentimit, dhe të dhënies së informacionit është gjykuar nga specialistët që ajo të mbulohet me material të kujdesshëm dhe jo të betonizohet, në asnjë mënyrë, por për t’ia lënë brezave të ardhshëm për të bërë pjesën e tyre.
Ndërkohë një tjetër deklaratë për publikun mbi këtë çështje vjen nga ana e Ministrisë por këtë herë vetëm në faqen që disponon në rrjetin social Facebook, jo në uebsajt, faqen zyrtare të Ministrisë si detyrimit ligjor në komunikimin formal zyrtar, çka bën të evidentojmë një mangësi dhe moszbatim të detyrimit ligjor për komunikim dhe transparencë institucionale.
Deklarata e Ministrisë së Kulturës në rrjetin social Facebook:
“Ministria e Kulturës sqaron se informacioni i dhënë në orët e fundit nga ndonjë media, lidhur me punimet rehabilituese në Lezhë dhe gjetjet arkeologjike është i pasaktë.
Në respekt të së drejtës së informimit të opinionit publik dhe në respekt të punës së specialistëve të trashëgimisë kulturore që punojnë në terren dhe në institucionet e varësisë së Ministrisë së Kulturës dhe që ndjekin rregullisht ndërhyrjet në territor për të parandaluar çdo dëmtim, Ministria e Kulturës njofton si më poshtë:
Në lidhje me zbulimet e fundit gjatë zbatimit të projekteve rehabilituese në qytetin e Lezhës, Ministria e Kulturës, tërësisht e përgjegjshme dhe në kryerje të plotë të misionit të saj në ruajtjen, mbrojtjen dhe njohjen e vlerave të trashëgimisë sonë kulturore, sqaron se ajo dhe strukturat e specializuara në varësi të saj janë duke ndjekur hap pas hapi, sipas legjislacionit në fuqi, zhvillimin e punimeve përkatësisht të disa projekteve të tilla si ”Shëtitoret buzë lumit Drini në Lezhë”, rehabilitimin e Qendrës Historike, Lezhë (Rehabilitimi i Sheshit “Gjergj Kastrioti”), Projekti “Rrjeti i ujësjellësit në qytetin e Lezhës dhe në Balldren”.
Është i njohur potenciali arkeologjik që Qyteti i Lezhës mban, e pikërisht e ndërgjegjshme për këtë, Ministria e Kulturës, me shumë rigorozitet, është duke ndjekur dhe respektuar jo vetëm metodologjinë në përputhje të plotë me Ligjin për Trashëgiminë Kulturore, por edhe procedurat dhe praktikat e arkeologjisë urbane bashkëkohore.
Për rastin konkret, projekti “Rrjeti i ujësjellësit në qytetin e Lezhës dhe në Balldren”, financim i bankës gjermane KFV, i cili synon të rehabilitojë rrjetin ekzistues të ujësjellësit, sqarojmë se gjatë zbatimit të punimeve u hasën dy struktura muresh për të cilat në mënyrë të menjëhershme, nga ekipet e specializuara të Ministrisë së Kulturës, u krye verifikimi i situatës në vend dhe ndërprerja e menjëhershme e punimeve, në pritje të vendimit të KKA, sikundër ligji përcakton.
Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë, i mbledhur enkas për këtë rast, analizoi me detaje projektin dhe thelloi gjykimin duke kërkuar përcaktimin dhe ndjekjen e një metodologjie për të gjithë zonën e zbatimit të projektit për t’i paraprirë çdo rasti gjetjesh të gjurmëve arkeologjike, për verifikimin paraprak të zonave të prekura nga ndërhyrjet e ujësjellësit, në bashkërendim me planin e punimeve të kompanisë zbatuese të projektit, e më pas kryerjen e proceseve arkeologjike deri në dokumentimin e plotë, proces ky, i cili për çdo rast mbikëqyret nga strukturat e specializuara të Ministrisë së Kulturës në bashkëpunim me ekspertë të arkeologjisë.
Sa i takon dy gjetjeve të fundit, specifikisht struktura e përbërë nga një bazament i poshtëm drejtkëndor sipër të cilit ngrihet një hark në formë qemeri, për të cilin Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë vendosi të shikohet mundësia e devijimit të linjës së ujësjellësit. “Sqarojmë se nga testimet dhe verifikimet që specialistët arkeologë të strukturave të specializuara (DRKK Shkodër, ASHA) të Ministrisë së Kulturës kryen në vend, rezultoi se realizimi i këtij devijimi është plotësisht i realizueshëm teknikisht dhe do të realizohet në ditët në vijim nga kompania e zbatimit të punimeve nën mbikëqyrjen e rreptë të strukturave të specializuara të Ministrisë së Kulturës (DRKK Shkodër, ASHA).
Kjo është metodologjia të cilën Ministria e Kulturës e ka kthyer në praktikën e punës së saj të përditshme, praktikë e panjohur më parë, duke i dhënë fund kohës së shkatërrimit të pasurive arkeologjike me vendime qarkulluese dhe nën diktatin e interesave private e korruptive.”
Në konceptet dhe praktikat bashkëkohore të arkeologjisë preventive jo domosdoshmërisht çdo gjetje rastësore në zonat urbane nxirret në sipërfaqe, por studiohet, dokumentohet dhe konservohet në gjendjen e mëparshme, për t’i dhënë mundësinë gjeneratave të ardhshme në njohjen dhe studimin e trashëgimisë kulturore. Sot është koha e zhvillimit të qëndrueshëm infrastrukturor e shoqëror të qyteteve tona në respekt të plotë me natyrën historike dhe të kaluarën e tyre dhe sidomos me synimin e promovimit të këtyre vlerave kombëtare dhe kulturore, për sot dhe për t’ua lënë trashëgim brezave.
Ajo që bie në sy në këtë njoftim është se me të drejtë është vendosur devijimi i punimeve për ujësjellësin gjë që nuk është bërë për rastin e gjetjeve të mëparshme në sheshin e qytetit të Lezhës. Të krijohet ideja se pas sensibilizimeve mediatike specialistët janë thelluar (term i përdorur në njoftimin e mësipërm) dhe kanë vendosur së bashku me institucionet e linjës të sugjerojnë devijimin si zgjidhje.
Gjithashtu nuk është aq bindës arsyetimi – se jo domosdoshmërisht çdo gjetje rastësore nxirret në sipërfaqe etj. Do të ishte më saktë që të thuhet se në konceptet e praktikat bashkëkohore bëhet gjithçka e mundur për ti bërë këto gjetje atraksion, d.m.th., trajtohen në mënyrë të tillë që të jenë të dukshme të vizitueshme e jo të mbulohen qoftë edhe me materiale të spostueshme në vazhdim. A nuk do ishte më mirë nëse, që në fillim të trajtohen pa pasur nevojë për ritrajtime?
Ky është një problem që gjen zgjidhje nëse mbahen parasysh çka është thënë më sipër. Kjo sepse, nëse do të shihnim imazhet e sheshit qendror ku gjendet zbulimi në fjalë do të shohim se mbulimi i murit është bërë me pllaka guri, siç mund të gjejmë shumë bulevarde apo rrugë të qyteteve të ndryshme. Por nëse do ti hidhnim një vështrim modeleve të vendeve të huaja në të tilla raste, evidentimi dhe konservimi i këtyre objekteve të trashëgimisë kulturore materiale bëhet me mbulim nëpërmjet shtresave transparente në mënyrë që këto pasuri të mos izolohen nga vëmendja publike dhe të jenë të aksesueshme për vizitorë të të gjitha kategorive. Kjo do të ndihmonte dhe në reduktimin e kostove apo facilitetin e vazhdimit të studimeve në çdo kohë për të ofruar një shërbim sa më praktik dhe jo të varrosim e zhvarrosim disa herë të njëjtën pasuri, sa herë duhet ta rishikojmë, rishqyrtojmë apo verifikojmë.
Kështu që në këtë pikë ministria në bashkëpunim me institucionet e vartësisë mund t’u referohet dhe të aplikojë të njëjtat modele nga vendet e përparuara në funksion të evidentimit të vlerave të trashëgimisë tonë kulturore.