
Rezearta Caushaj
1- A duhet të fajësohet opozita?
Takimet e zhvilluara në muajin mars midis përfaqësuesve të Parlamentit Shqiptar me ata të Parlamentit Europian, konfirmuan edhe një herë se Shqipëria nuk është ende gati për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE. Për arsye të cilat variojnë që nga zbatimi i cunguar i direktivave të BE, përpjekjet jo serioze për implementimin e reformave më të rëndësishme në vend e deri te një mungesë e “aftësive” diplomatike të vendit tonë, shpeshherë e manifestuar me keqkuptimin se procesi diplomatik për hyrjen ne BE nënkupton thjeshtë zhvillimin e takimeve me institucionet europiane. Ky konceptim, të cilin e pamë të reflektuar muajin e kaluar, anashkalon faktin se procesi negociues duhet të zhvillohet si me institucionet e BE, po aq sa me institucionet brenda vendit. Nga zbatimi i qasjes së mirëfilltë të procesit diplomatik të integrimit do të përfitonte mjaft marrëdhënia midis pozitës dhe opozitës e si rrjedhim edhe vendi ynë, duke lëvizur përpara në rrugën e integrimit.
Marrëdhënia midis pozitës dhe opozitës, e cila normalisht duhet të konsiderohet thjeshtë një nga dinamikat institucionale që përcakton integrimin në BE, përkundrazi në vendin tonë është ajo vendimtarja. Me një fakt të tillë përballemi, jo vetëm sepse çdo qeveri shqiptare ka fajësuar dhe vazhdon të fajësojë opozitën për çdo kritikë që Shqipëria merr nga Komisioni Europian, por edhe sepse mbajtja e një qëndrimi të tillë i lejon qeverive tona të mos marrin kurrë përgjegjësi për detyrimet e papërmbushura dhe mosbërjen përpara në këtë proces.
A mund t’i faturohet përgjegjësia opozitës për ngecjen e vendit në procesin integrues?! Përgjigja parimisht është jo, edhe nëse supozojmë se kemi të bëjmë me një opozitë dashakeqe, e cila sakrifikon interesin kombëtar ndaj atij partiak. Kjo sepse parimisht përgjegjëse mund të jetë vetëm qeveria, duke qenë se kësaj të fundit i është besuar vendimmarrja dhe supozohet se me anë të negociatave midis palëve arrihet në një qëndrim të përbashkët dhe vendi ynë nuk paraqitet para BE si një vend i ndarë sipas interesave. Në këtë mënyrë nuk tentohet të shkarkohet përgjegjësia e opozitës, por të vihet në pah se përgjegjësia kryesore në fund i takon qeverisë dhe është asaj që do t’i kërkohet llogari jo vetëm nga qytetarët, por edhe nga Komisioni Europian. A është dëgjuar ndonjëherë që në raportet e këtij të fundit të kritikohet opozita?!
Argumentet e paraqitura më sipër janë edhe arsyet pse deklarata e ministrit të Integrimit Znj. Gjosha në një intervistë për gazetën Shqiptarja.com (nuk) na jep shumë shpresë se qasja e kësaj qeverie ka për të ndryshuar. Përveçse rikonfirmohet edhe një herë roli i opozitës në dialogun me BE, vlerësohet fakti që opozita nuk pati replika në një nga takimet e zhvilluara, duke mos përmendur se në një tjetër takim me parlamentarët europianë opozita pati shumë replika e rezerva, por ajo përmendi edhe që opozitës i janë ofruar të gjitha hapësirat për të kontribuar. Të shpresojmë që kjo pikëpamje në shtator nuk do të përkthehet në justifikimin e zakonshëm se fajin për mospërmbushjen e 5 prioriteteve e ka opozita, e cila ka bllokuar procesin. Për qytetarët në thelb nuk ka rëndësi se kush e ka fajin, por që fajet të mos përsëriten dhe në këtë aspekt, është detyra e qeverisë të investohet më tepër çdo herë që procesi politik ngec.
Meqë jemi në kuadër të 5 prioriteteve, për plotësimin e të cilave është vendosur afati në shtator, ministri i Integrimit kërkon që Shqipëria të vlerësohet sipas parimit të meritës dhe nëse plotëson ato çka i janë kërkuar t’i jepet rekomandimi për hapjen e negociatave. Dyshojmë se ajo çka znj. Gjosha kërkon në fakt është që Komisioni të vlerësojë vendin tonë për kryerjen e reformave e përmbushjen e detyrimeve në letër, por, ndërkohë që është e pamundur që zbatimi i tyre të sjellë rezultate të prekshme deri në shtator, ajo çka BE realisht ka për të vlerësuar janë masat konkrete të cilat do të vihen në zbatim dhe serioziteti me të cilin do të trajtohen. Siç tha edhe Komisioneri për Zgjerimin Z. Hahn: ““Ne si BE jemi të vendosur për të mbështetur Shqipërinë, që të ecë përpara sa më shpejt të jetë e mundur, por çështja nuk është shpejtësia, por cilësia”.
2- Lajme të mira
Një lajm i mirë për vendin tonë këtë muaj ka qenë vendimi i BE për t’i dhënë Shqipërisë dhe Maqedonisë 12 milionë Euro, në kuadër të IPA II, për zhvillimin e zonës ndërkufitare midis dy vendeve për investime në turizëm, infrastrukturë, përmirësimin e ekonomisë, tregtisë dhe investimeve. Kjo nismë është vazhdimi i asaj të viteve 2007 – 2013 e nëse do besonim fjalën e Z. Shabani, Ministër i Vetëqeverisjes Vendore në Maqedoni, ka pasur mjaft suksese, megjithëse cilat kanë qenë këto projekte të suksesshme apo nëse ka pasur nisma të përbashkëta nuk u përmend nga asnjëra nga palët.
Megjithëse ky fakt mund të jetë i vërtetë në rastin e vendit fqinj, që supozohet se Maqedonia ka përdorur rreth 80% të fondeve gjatë atyre viteve, ndërkohë që nuk dihen se sa fonde janë shfrytëzuar nga pala shqiptare, ajo çka është e rëndësishme të theksohet është se përfitimi i këtyre fondeve varet nga cilësia e projekteve të paraqitura dhe shpresojmë se kësaj radhe do të kemi kapacitet e duhura për të thithur fondet dhe për t’i dhënë zhvillim zonës.
Gjithashtu shpresojmë që ministria e Integrimit t’i ofrojë palëve të interesuara asistencën dhe informacionin e duhur në mënyrë që të ketë një pjesëmarrje të gjerë, por gjithashtu të sigurojë edhe një proces transparence.
Një tjetër lajm të mirë përbën fakti se në Komisionin parlamentar të Integrimit u shqyrtua projektligji “Për sektorin e energjisë elektrike”, i cili supozohet se ka qëllim “krijimin e kuadrit ligjor në këtë sektor, me objektiv krijimin dhe funksionimin konkurrues të tregut të energjisë elektrike, i cili do të mundësojë një furnizim të qëndrueshëm dhe të sigurt me energji elektrike të klientëve, duke marrë në konsideratë interesat e konsumatorëve, minimizimin e kostos së shërbimit të furnizimit me energji elektrike, përshtatshmërinë e tij me mjedisin dhe interesat e gjeneruesve dhe operatorëve të tjerë në treg.” – sipas Z. Ilir Bejtja, zëvendësministër i Energjirikës dhe Industrisë. Ajo çka fatkeqësisht vihet re është se nuk është hapur një debat publik mbi këtë ligj, megjithëse përbën një nga politikat më të rëndësishme me interes publik. Përkundrazi, mësohet se ky ligj do të kalojë në Parlament me procedurë të përshpejtuar dhe në këtë rast do të ishte në interesin e publikut të njihej me relacionet të cilat detajojnë debatin mbi ligjin në fjalë apo të njihej me mendimin e ekspertëve, përndryshe nuk e kuptojmë se si mund që ky ligj të garantojë apo mbrojë konsumatorët dhe cilat janë risitë mbi matjen e energjisë dhe si do të preket konsumatori.
Nga procesverbali fitojmë edhe një ide se sa shumë bashkëpunojnë drejtori të ndryshme brenda Ministrive, në momentin që Zv. Minisri i Integrimit Znj. Erisa Xhixho nuk di të shpjegojë përse Ministria e Energjitikës ka lënë dispozita të veçanta të ligjit pa përafruar, duke thënë se nuk ka pasur një feedback nga kjo Ministri, ndërkohë që kundërshtohet nga specialisti i njësisë së Përafrimit pranë Ministrisë së Energjitikës, që deklaron se ligji është i përputhshëm me legjislacionin e BE. Situata shpjegon edhe se sa arrin ministria e Integrimit të ketë nën kontroll procesin e përafrimit në Ministritë e linjës.
3- Ministri i Integrimit
Ndër të tjera zhvillime këtë muaj, Znj. Gjosha ka adresuar më në fund problemin e eksodit të popullsisë shqiptare, te cilët kërkojnë azil duke theksuar dëmin që i shkakton vendit tonë në procesin për anëtarësim. Në këtë aspekt duam thjesht të rikujtojmë se ndryshe nga mënyra së si Znj. Gjosha e ka paraqitur, nuk bëhet fjalë për njerëz të mashtruar, por për njerëz që duke mos parë asnjë mundësi në vendin e tyre janë gati të provojnë gjithçka që ju sjell një fije shprese. Për më tepër, qeveria jonë ka dështuar ta adresojë problemin, duke mohuar largimin masiv, në rastin më të mirë ka ndërhyrë disa muaj më parë kur një grup i madh ra në sy në portin e Vlorës, ndoshta sepse Znj. Gjosha nuk do të pranojë se sa i favorshëm është largimi i shqiptarëve, duke qenë se teorikisht të paktën në këtë mënyrë ulet numri i të papunëve në vend. Eksodi u injorua si problematikë në muajt në vazhdim derisa fenomeni u bë më masiv sepse nëse qeverisë sonë i duhet të pranojë që qytetarët e vet arratisen, atëherë i duhet të pranojë se ndoshta nuk ka është aq qeveri e aftë sa ç’ hiqet, apo se numri i qytetarëve të pakënaqur është aq i madh.
Referenca:
3- http://www.shekulli.com.al/p.php?id=233000
5- http://www.parlament.al/web/pub/komisioni_i_integrimit_date_07_04_2015_copy_1_22070_1.pdf