
Gerion Treska
1- Një ligj efiçent por që gjithkush e sheh me “syzet e tij”
Dita e parë e muajit prill solli edhe miratimin e Ligjit për Arsimin e Lartë në Shqipëri. Maratona e hartimit dhe diskutimit të draftit të disa herë ndryshuar të projektligjit, përfundoi me aprovimin e tij nga Qeveria. Ligji për Arsimin e Lartë sjell një mori ndryshimesh, ku në thelb është cilësia e Arsimit të Lartë. Sipas këndvështrimit të ministres Nikolla, ligji i ri ndryshon skemën e financimit, duke futur konceptin modern të financimit në bazë të performancës. Ajo tha se ligji i ri vjen edhe në ndihmë të optimizimit të financave publike. Sipas saj, në këtë mënyrë do të optimizohet financimi publik për ata që kanë më shumë nevojë, duke gjeneruar ekselencën dhe të mirën publike.
Sipas këtij këndvështrimi, tashmë universitetet nuk gëzojnë vetëm autonominë akademike por edhe atë financiare, deri në pikën e zgjedhjes vetë të stafit akademik, madje edhe të numrit të studentëve që duan të pranojnë. Në këtë mënyrë do të kemi një standardizim të gjithë aktorëve duke stimuluar rritjen e konkurrencës e për pasojë cilësisë së arsimit.
Megjithëse ministrja Nikolla tha se ky ligj nuk dërgon para publike në institucionet private, por e kundërta shtyn privatin të financojë në sektorin publik, protestat e studentëve janë një fakt se ata, përfituesit, nuk e mendojnë kështu. Në fakt në protestat e tyre ata e kanë parë këtë ligj si mjaft shpërfillës, janë ndjerë jo të përfshirë, madje ata arrijnë të përgjithësojnë se edhe shumë prej pedagogëve dhe drejtuesve të tyre nuk janë pyetur aspak për sugjerimet apo mendimet e tyre mbi këtë ligj.
Ministrja në anën tjetër tregon në mënyrë të detajuar të gjithë rrugëtimin e konsultimit me të gjitha universitetet dhe aktorët të projektligjit i cili ka ardhur duke u pasuruar nga sugjerimet dhe opinionet e të gjitha palëve. Drejtues të Universitetit të Tiranës janë shprehur se ky ligj dhe kjo reformë madje është e vonuar dhe se duhet të ishte realizuar më shpejt.
Kështu pra duket se opinionet e ndryshme si dhe përjetimet vetjake të secilës palë reflektojnë reagime të ndryshme gjithashtu përkundrejt asaj çka do të ndodhë tashmë me arsimin e lartë. Të përçarë në pro dhe kundër këtij ligji dhe reforme, pedagogët preferojnë të mos shfaqen në skenë duke ia lënë kortezinë studentëve që të mbushin ambientet përpara Kryeministrisë me pankarta dhe megafonë dukë përçuar indinjatën e tyre.
E megjithatë duket se gjithçka është vendosur. Pavarësisht se studentët mendojnë dhe besojnë se ky është një ligj favorizues kryesisht për universitetet private, as ministria e as Kryeministria nuk duket se do të ndryshojnë diçka në vendimmarrjen e tyre për ta rikthyer për diskutim këtë ligj. Mesa duket epoka kur qeveria i trembej pakënaqësive të popullit që shpreheshin përmes protestës ka mbaruar, qeveria ka fituar imunitet dhe është e vendosur në reformat dhe busullën e saj.
Referenca:
- http://www.arsimi.gov.al/al/newsroom/deklarata-per-shtyp/ligji-i-ri-i-arsimit-te-larte-dhe-kerkimit-shkencor-me-shume-cilesi-per-universitetet
- http://www.balkanweb.com/site/nikolla-ligji-i-ri-per-arsimin-e-larte-do-te-kaloje-dhe-ne-ekspertize-nderkombetare/
- http://www.reporter.al/studentet-vazhdojne-protestat-kunder-ligjit-per-arsimin-e-larte/