![Brenton Kotorri](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2015/02/Brentoni-300x300.jpg)
Brenton Kotorri
1-Kryeministri i flet njërës pjese të popullit
Kryeministri duket se ka pasur një muaj të ngjeshur gjatë prillit. Megjithatë, ai e evitoi daljen në publik më datë 1 prill, ndaj la të flisnin në emër të tij ministren e Arsimit dhe Sporteve, dhe zv.kryeministrin, të cilët përkatësisht folën për të lavdëruar reformën në arsimin e lartë, dhe për të shpallur ditët e pushimit zyrtar kur këto të fundit bien në fundjavë. Menjëherë në datë 2, teksa prezantonte në parlament një takim me përfaqësues të FBI-së, kryeministri Rama kërkoi të mbyllte fjalimin me diçka që të mbahej mend përgjatë gjithë ditës. Dhe në fakt e bëri. Duke iu drejtuar opozitës me konsideratën më vulgare, pikërisht nga parlamenti prej nga ku vendosen fatet e këtij populli, kryeministri tha: “Mos i jepni gojës shumë, sepse do të duhet pastaj t’i gëlltisni të gjitha ato që jashtënxirrni…“. Ky lloj fjalori, i padenjë edhe për rrugën, nuk do të përbënte problem vetëm nëse do të plotësoheshin dy kushte. Së pari të mos thuhej publikisht, dhe së dyti jo prej kryeministrit të Shqipërisë. Në këtë moment, ashtu sikurse edhe në të gjitha momentet e përsëritura të këtij lloji ligjërimi, kryeministri duket se e harron që përfaqëson gjithë popullin. Ndaj, në çdo fjalë që thotë duhet të mbajë përgjegjësi sikur të ishte i gjithë populli që e thoshte. Gjithashtu, kryeministri duket se harron, që çdo fjalë që i thotë opozitës, ia thotë gjithashtu të gjithë qytetarëve që kanë zgjedhur të përfaqësohen në parlament prej opozitës. Thënë ndryshe, çdo qytetari që ka vendosur t’ia delegojë përfaqësimin e vet politik opozitës së tanishme në parlament, kryeministri i drejtohet duke e parë në sy dhe duke i thënë “… mos i jep shumë gojës …”.
2- Diskoherenca ideologjike rreth arsimimit
Më 7 prill, z. Rama mori pjesë edhe në promovimin e projektit për dixhitalizimin e mësimdhënies, ku u tha, se rreth 47 mijë nxënëse gjimnazesh do të përfitonin tableta dhe pajisje të tjera të këtij soji, për të rritur interaktivitetin në mësim. Kjo nismë, jo vetëm në kontrast të plotë me shkollat e fshatrave të Shqipërisë të lëna në mëshirë të donatorëve të huaj bamirës, apo në rastin më të keq në mëshirë të motit, por edhe në kushtet e një absurdi ideologjik. Një parti e majtë që pretendon ta udhëheqë vendin me politika të majta, e cila në vend që të ndihmojë të paavantazhuarit, ofron tableta për gjimnazistët e kryeqytetit.
3- Populizmi konstruktiv
Në Bruksel, më 21 prill, kryeministri dha shembullin e një modeli bashkëpunues dhe pranues që Shqipëria duhet të ofrojë në politikën e saj të jashtme me vendet e rajonit. Kryeministri Rama theksoi se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë janë tejet të rëndësishme për stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik e social të Ballkanit dhe Europës në tërësi. “Serbia dhe Shqipëria duhet të shohin përpara”, – theksoi Rama, “duke bërë sëbashku për Ballkanin atë që Gjermania dhe Franca bënë pas luftës së dytë botërore për Europën. Është e rëndësishme të kuptojmë të gjithë se Ballkani ka nevojë për Bashkimin Europian po aq sa BE ka nevojë për Ballkanin”. Sidoqoftë, këto fjalë korrekte, do të zinin më shumë vend, nëse populizmin nacionalist (të cilin gjatë muajit ia vunë në dukje disa zyrtarë të huaj si dhe gazeta greke “Kathimerini”) lidhur me bashkimin e shqiptarëve, ai do ta linte mënjanë, duke mos i thelluar edhe më tej dobësitë që shfaq në ligjërim herë pas here.
4- 300 mijë vende pune … pending request
Një ditë më pas, kryeministri na riktheu tek një premtim gati i harruar për të gjithë: Punësimi. Në një vizitë në shkollën profesionale në Fier, ai, gjatë gjithë fjalimit të mbajtur fliste me shifra në përqindje. “ … 65% e atyre që përfundojnë arsimin profesional gjejnë punë dhe 67% e atyre që përfundojnë universitetin gjejnë punë. “ Pa dhënë ndonjë burim për këto shifra, sigurisht. Parashtrimi i kësaj pamjeje optimiste për arsimin profesional, vjen në një kohë kur edhe pse kanë kaluar 2/5 e mandatit qeverisës, ende nuk janë parë shifrat proporcionale të 120 mijë vendeve të reja të punës. Parashtrim në një kohë kur deputeti Ben Blushi, në një kritikë të brendshme ndaj PS, tregon se papunësia është shtuar me 7%. Mirëpo, për njëmijë arsye, pasi doli nga vizita me nxënësit dhe mediat i kërkuan një deklaratë për akuzat, ku ndër të tjera, për mosmbajtje premtimesh, Rama u përgjigj në pozitë mbrojtëse: “S’kemi thënë kurrë që kemi një shkop magjik për ta kthyer Shqipërinë në parajsë.”
Ndërkohë, me gjithë kërkesat kaotike për azil të shqiptarëve të disavantazhuar drejt vendeve të BE-së (kryesisht Gjermanisë), kryeministri ende nuk ka bërë një thirrje publike për ta ndalur këtë arratisje. Ai deri më tani, e ka përmendur këtë fenomen si një keqkuptim të ditëve të fundit, ndërkohë që në statistikat e publikuara nga institucionet përkatëse gjermane (Zyra Federale për Migracionin dhe Refugjatët), azilkërkuesit shqiptarë në Gjermani shënojnë shifrat përkatëse për çdo vit:
2012 – 251 raste;
2013 – 1.295 raste;
2014 – 8.113 raste;
2015 6.486 raste.
Referenca:
1- http://www.kryeministria.al/al/newsroom/lajme&page=1
2- http://www.instat.gov.al/al/figures/statistika-kryesore.aspx