![Flutura Gjana](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2015/01/1fgh-e1433254384195.jpg)
Flutura Gjana
1- Parathënie
Një takim, një thirrje për investim dhe një firmosja, këto kanë qenë tri aktivitetet kryesore për muajin nëntor të Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës të publikuara në faqen e saj zyrtare.
Lidhur me çështjet si marrëveshja me kompaninë që ka në koncesion aeroportin ”Nënë Tereza” , hapjen e aeroportit të Kukësit apo tarifës që do të vendoset për rrugën e kombit, të cilat priteshin të mbylleshin që në muajin tetor, nuk ka asnjë koment.
2- Reforma në ujësjellës-kanalizime
Ashtu siç kemi analizuar në raportin e muajit shtator, Shqipëria ndodhet në situatën ku rezervat ujore mesatare për frymë janë nga më të lartat në botë, 600 litra për frymë në 24 orë. Por skandalet në këtë sektor vazhdojnë. Kryeqyteti i Shqipërisë këtë muaj është përballur me mungesën e ujit për ditë me radhë.
Duke ditur që një person mesatarisht konsumon 2-5 litra ujë në ditë, ne kemi mundësi për të mbajtur me ujë jo vetëm Shqipërinë, por edhe vendet e tjera të Ballkanit. Pas dy viteve në krye të MTI, ministri Haxhinasto më në fund e pa të arsyeshme të hedhë sytë edhe drejt sektorit të ujësjellës kanalizimeve. Në shtator ka filluar reforma e ujësjellës kanalizimeve. Fokusi i kësaj reforme është lidhja e kontratës së performancës mes bashkisë dhe qeverisë, ku kryetari i bashkisë do të jetë drejtuesi i Asamblesë së Administrimit të Ndërmarrjes, i cili do të përzgjedhë 3 drejtuesit kryesorë të ndërmarrjes. Pra, ndërmarrjet e ujësjellësit do të bëjnë para për bashkitë.
Në pamje të parë, kjo reformë rrit përgjegjësitë e të zgjedhurve vendorë. Por, a është normale që kryetari i bashkisë të ketë të gjithë ’’pushtetin’’ në duart e tij për të zgjedhur tre drejtuesit (drejtorin e përgjithshëm, drejtorin financiar dhe drejtorin teknik) e ndërmarrjes së ujësjellësit? Në informacionin që është bërë publik lidhur me detajet e kësaj reforme shihet qartë se ajo përqendrohet vetëm në problemet që lidhen me menaxhimin dhe lidhjet e paligjshme. Por problematikat e këtij sektori nuk janë vetëm këto.
Duke u bazuar në raportin vjetor të vitit 2014 të Entit Rregullator të Ujit, problematikat kryesore që sjellin 67.4% humbje të ujit që prodhohet janë: rrjeti i amortizuar dhe mungesa e vendosjes së matësve. Vendosja e matësve në prodhim, e matësve të bilancit dhe ato në shpërndarje do të ndihmonin për të njohur situatën reale të humbjeve. Reforma që paraqet ministri nuk përfshin asnjë plan strategjik për të zbutur këto dy problematika kryesore, që ndikojnë direkt në humbjen e ujit. Përmendim gjithashtu që në gusht buxheti për ujësjellës kanalizime u ul me 17.1%, ulje që sjell impakt negativ. Mesa duket kjo reformë është ’’show’’ i radhës i qeverisë Rama, thjesht për të ndëshkuar lidhjet e paligjshme të ujit dhe për të larguar vëmendjen nga problematika të tjera.
Edhe pse kjo reformë ka filluar që në muajin shtator, duket që vendimi më i rëndësishëm që është marrë, është ai i trajnimit të punonjësve të ujësjellës kanalizimeve. Ndërkohë që sipas analizave që bëjnë ekspertët prioritet duhet ti jepet rrjetit të amortizuar, duke investuar fillimisht pikërisht për përmirësimin e tij.
Referenca:
Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës
http://www.transporti.gov.al/al/newsroom/lajme
Haxhinasto trajnimi i punonjësve të U.K i rëndësishëm
Ministri Haxhinasto, prezanton reformën në Ujësjellës Kanalizime
Reforma e ujit, Kryetari i bashkisë përgjegjës për performancën e Ujësjellësit, nëse dështon i kalon qeverisë
Raporti Vjetor 2014: Enti Rregullator i furnizimit me ujë
http://www.erru.al/doc/Raporti_vjetor_2014_-_V5__29_01_2015.pdf