![Sokol Kondi](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2015/03/sokol-kondi-300x300.jpg)
Sokol Kondi
1- Ish-Miss Shqipëria dhe kryetari i PS-së së Barit bëhen Konsuj
Përpara disa muajsh, Parlamenti kaloi, pas kthimit për rishqyrtim nga ana e Presidentit të Republikës, Ligjin për Shërbimin e Jashtëm, për të cilin në raportet tona të mëparshme kemi shprehur mjaft dyshime dhe vërejtje, të cilat, pa vonuar shumë, tashmë janë konfirmuar si të bazuara, nga faktet që do të përcjellim si më poshtë vijon. Në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Bari të Italisë, rezulton se janë emëruar së fundmi dy Konsuj. E para është ish-Miss Shqipëria Monika Zguro dhe i dyti është Kryetari i degës së Partisë Socialiste në Bari, me iniciale R. H. Sipas ligjit për Shërbimin e Jashtëm, të cilën MPJ vetë e propozoi dhe vetë e miratoi, pa asnjë konsultë publike me ekspertë dhe grupe interesi, që të emërohesh në një detyrë të tillë, duhet të plotësosh disa kritere të rëndësishme. Për shembull, kreu i misionit konsullor duhet të përzgjidhet ndërmjet diplomatëve të karrierës me gradë të lartë, jo më pak se këshilltar. Vërtet kreu i misionit diplomatik në Konsullatën e Barit është Konsulli i Përgjithshëm dhe jo Konsujt, por në mungesë të tij, sigurisht Konsujt janë ata që përfaqësojnë Shqipërinë në nivele zyrtrare. Por a e plotësojnë kriterin e mësipërm dy Konsujt e sapoemëruar të Barit?
Vështirë se mund të thuhet një gjë e tillë. Grada e Konsullit është e barzavlefshme me atë të Sekretarit të Parë ose të Dytë, sipas ligjit. Që ish-Miss Shqipëria ta plotësojë një kriter të tillë, duhet që të ketë kaluar të paktën 3 vjet si sekretare e tretë në shërbimin e jashtëm dhe të ketë 5 vjet që ka marrë gradën “Atasheh”, e cila përfitohet me pranimin në shërbimin e jashtëm, pas fitimit të konkursit. Druajmë se një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe vështirë se MPJ mund ta provojë, duke qenë se refuzoi të na jepte përgjigje pasi e pyetëm nëpërmjet kanaleve zyrtare.
Ndërsa për kryetarin e PS të Barit mund ta themi me siguri se ai nuk i përmbush kriteret ligjore për të qenë Konsull. Ai nuk ka kaluar asnjë shkallë karriere, sepse kjo është detyra e tij e parë në shërbimin e jashtëm dhe për më tepër emërimi i tij shkel nenin 35 të ligjit, ku pika “a” thotë se: “Në Shërbimin e Jashtëm pranohen personat të cilët plotësojnë kërkesat… e posaçme, si…: a) Të mos bëjnë pjesë në asnjë parti apo shoqatë politike”, kur ai vazhdon të jetë ende kryetar i PS të Barit, deri në provë të kundërt, të cilën MPJ për momentin ka refuzuar të na e japë (ndoshta sepse nuk e zotëron?). Por edhe më banal është fakti që në një post të rëndësishëm si i Konsullit, Shqipërinë ta përfaqësojë dikush që zotëron vetëm një diplomë bachelor, dhe jo master, sikurse është rasti i kryetarit të PS të Barit, ndërkohë që Universiteti i këtij qyteti, gëlon nga të rinj shqiptarë të diplomuar “cum laude” dhe që kanë edhe mastera e doktoratura në fushën e diplomacisë dhe të së drejtës ndërkombëtare. Por me sa duket synimet militanteske kanë mbizoteruar ndaj atyre profesionale dhe serioze. Sikurse i kemi thënë edhe vetë ministrit, kjo nuk është çështje e tipit “Pse ai dhe jo unë”, sikurse i etiketon shpesh kryeministri vërejtjet që bëhen për emërimet militanteske në administratën publike. Kjo është vetëm një kërkesë për meritokraci, e cila me sa duket është ende vetëm një mirazh i largët.
2- Konsuj që merren me çertifikata
Edhe më habi shkakton fakti se Konsullata e Barit është një institucion tre-personësh. Pra, përveç Konsullit të Përgjithshëm, dy anëtarët e tjerë të stafit janë vetëm dy Konsujt e lartpërmendur. Dëshmitarë që kanë shkuar në këtë Konsullatë për nevoja personale me dokumenatat, pohojnë se me çertifikatat e tyre janë marrë vetë Konsujt. Në rast se kjo mund të quhej reformë apo “Rilindje” e shërbimit të jashtëm, imagjinoni si do të ishte rilindja e vërtetë.
3- MPJ, një bunker për sa i takon dhënies së informacionit zyrtar
Ngjarjet e mësipërme do të ishin të pamundura të “zbuloheshin” po të kishte qenë për vetë Ministrinë e Jashtme. Në fakt, në disa kontakte zyrtare me këtë ministri, nuk kemi mundur të marrim asnjë përgjigje lidhur me këtë problematikë. Kemi kontaktuar në adresat zyrtare e-mail të MPJ-së si në info@mfa.gov.al, me një nga drejtorët e ministrisë (që nuk na dha vetë informacion, por na adresoi te kontakti i mësipërm), si dhe me vetë Ministrin nëpërmjet profilit të tij në Facebook, i cili nuk ka dëshiruar të japë asnjë shpjegim për këtë çështje, pavarësisht marrjes së mesazhit (teknologjia e konfirmon).
Megjithatë, pas përpjekjesh të vazhdueshme, kemi arritur ta sigurojmë informacionin zyrtar gjithsesi, nëpërmjet rrugëve të tjera, po zyrtare, por jashtë godinës së ftohtë dhe gri, dikur ish-ambasadë e Kinës komuniste dhe sot dikaster qe drejtohet me stil jo më të madh demokratik. Nga specialiste në MPJ mund të zgjidhesh direkt sekretare e dytë ambasde në SHBA Por nuk mbaron me kaq. Gjatë këtij muaji na rezulton gjithashtu një tjetër emërim joligjor dhe i pashpjegueshëm. Bëhet fjalë për një specialiste në MPJ me iniciale E.J, e cila ka bërë një kapërcim të habitshëm dhe tashmë është sekretare e dytë në ambasadën e Shqipërisë në SHBA.
Sipas ligjit, që dikush të kalojë nga Sekretar i Tretë në të dytë, duhen të paktën 3 vjet, por çtë thuash për një specialiste të thjeshtë që nuk ka qenë kurrë sekretare ambasade, por që me hapa gjigandë papritmas emërohet sekrtare e dytë?! Në një nga parimet sublime të programit qeverisës të vitit 2013 për “Rilindjen”, për sa i takonte politikës së Jashtme të Shqipërisë, parashikohej politika e “zero problemeve” me fqinjët. Por përpara se të garantojmë këtë vepër madhore, do të ishte e mirëpritur që së pari të zbatohej parimi i “zero problemeve” me vetë ligjin për shërbimin e jashtëm.Nuk kuptohet përse u ndryshua ligji i vjetër, i cili gjithsesi nuk do t’i kishte penguar këto allishverishe. Përshtypja është se u desh që të krijohej ideja, se tani që kemi një ligj të ri, edhe shërbimi i jashtëm u reformua plotësisht, mirëpo faktet e misëipërme tregojnë krejt të kundërtën.
4- Europa digjet, ambasadat shqiptare në Francë dhe në BE soditin
Atentatet e rënda të 13 nëntorit në Paris, që morrën jetën e 130 njerëzve dhe që vijuan me momente tensioni dhe paniku, nga rreziku i atentateve të tjera edhe në disa vende të tjera të Europës, i kanë gjetur tërësisht të papërgatitura ambasadat e Shqipërisë në Francë, ku ndodhi masakra dhe në Belgjikë, ku u morrën masa të jashtëzakonshme nga autoritetet vendase, si shkak i rrezikut të atentateve të tjera.
Në uebsajtet dhe profilet e këtyre dy ambasadave në rrjetet sociale, nuk ka asnjë nismë nga ana e vetë tyre, për të udhëzuar shtetasit shqiptarë për masat që duhet të ndërmarrin për të mbrojtur jetën e tyre dhe për t’iu shmangur atentateve terroriste. Vetë MPJ përcolli dy numra telefoni të ambasadës së Francës në rast nevoje, por mbaroi me kaq. Vetë ambasada në fjalë, përcolli vetëm disa deklarata të MPJ, por asnjë nismë të sajën në dobi të mbrojtjes së shtetasve shqiptarë. E njëjta gjë vlen edhe për ambasadën tonë në BE, me seli në Bruksel, që vijoi me përcjellje aktivitetesh kulturore në rrjetet sociale, sikur mos të kishte ndodhur asgjë.
Nisma të tilla nuk janë një luks, por një detyrim kushtetues, në mbrojtje të interesave të sheteasve shqiptarë që gjendjen në terriror të huaj. Kjo është një praktikë e konsoliduar e shumë ambasadash të huaja në raste emergjencash. Stafet e ambasadave tona të jashtme “tre-personësh”, kanë në gjirin e tyre plot sekretarë të tretë dhe të dytë. Këta të fundit, në vend që të bëjnë vetëm rutinën e monitorimit dhe përcjelljes së shtypit të ditës, mund të nisnin të ishin pak më aktvivë në uebsajtet zyrtare dhe në rrjetete sociale, të paktën në raste të jashtëzakonshme, si të mësipërmët.
Referime:
Ligji për shërbimin e jashtë të Republikës së Shqipërisë, nr 23-2015
http://www.punetejashtme.gov.al/files/userfiles/Ligji_per_sherbimin_e_jashtem_nr._Nr._23_-2015.pdf
Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në Bari
http://www.ambasadat.gov.al/bari-consulate/sq
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Francë
http://www.ambasadat.gov.al/france/
Misioni i Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian
http://www.ambasadat.gov.al/european-union/