![Megi Llubani](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2015/01/Megi-300x300.jpg)
Megi Llubani
1- Në ‘’grepat’’ e korrupsionit
Shqipëria prej shumë vitesh mban vendin e parë në Indeksin e perceptimit të korrupsionit duke u renditur në vend të 110 nga 175 vende të përfshira nga e gjithë bota. Këtë renditje e ndan bashkë me Kosovën duke qenë kështu të paktën 30 vende larg vendit të dytë më të perceptuar si i korruptuar. Ndërkohë që nga vendet e përfshira në indeks, Shqipëria e ndan këtë pozicion me vende të tilla si Ekuadori, Etiopia, Kosova dhe Malawi. Përveç Kosovës, asnjë prej vendeve të tjera nuk aspiron të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, ku mbizotërimi i shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit janë vetëm emëruesi më i vogël i përbashkët ndërmjet anëtarëve dhe aspirantëve. Megjithëse Indeksi mat perceptimin e përhapjes së korrupsionit në një vend, skandalet dhe lajmet mbi rastet flagrante të korrupsionit në Shqipëri na kujtojnë që perceptimi nuk është shumë larg realitetit të funksionimit të shtetit dhe institucioneve të tij.
Për hir të vërtetës, Ministria e Mbrojtjes që prej shtatorit të vitit 2013 nuk ka bërë bujë në media dhe arenën publike për raste të evidentuara korruptive. Në fakt, në raportet përmbledhëse të Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitet 2013 dhe 2014 Ministria e Mbrojtjes nuk reshtohet ndër institucionet publike që i kanë shkaktuar dëm ekonomik buxhetit të shtetit. Megjithatë në Buletinin numër 3 të vitit 2015, botuar nga KLSH, vihet re se prirja ndryshon dhe konstatohen shkelje me dëm ekonomik në fushën e prokurimeve që kap vlerën 129 700 000 leke .
Në fillim të këtij muaji Kontrolli i Lartë i Shtetit lajmëroi kallëzimin penal ndaj disa punonjësve të Ministrisë së Mbrojtjes. Sipas raportit të KLSH dëmi ekonomik që i është shkaktuar buxhetit të shtetit është rreth 942 000 Euro, afërsisht pagën mujore të 6280 shqiptarëve (nëse e llogarisim atë në masën e pagës minimale). Vetëm në një institucion, në një kontroll auditimi për një periudhë shumë të limituar kohorë, dëmi ekonomik është baraz me heqjen e pagës 1 mujore të 6280 njerëzve.
Raporti i KLSH evidenton një listë të gjatë shkeljesh në këtë institucion ku ndër më të rëndësishmet do të përmendnim shkeljen me planifikimin e buxhetit të mbrojtjes ku zërat nuk reflektonin kërkesat e standardeve të NATOs lidhur me raportet për shpenzimet; Shkeljet me tenderin mbi ‘’Rikonstruksionin e pjesshëm të godinës së Ministrisë së Mbrojtjes’’, me vlerë 50,172. Nga auditimi rezultoi që KVO dhe NJP kanë gabuar në përzgjedhjen e OE që janë ftuar për të marrë pjesë në tender, të cilët qysh në momentin e përzgjedhjes së tyre, nuk plotësonin dukshëm kriteret, çka rezultoi më pas edhe në shpalljen fitues të një OE i cili ishte shoqëri “pastrimi”, punonjësit e të cilit rezultuan të ishin të gjithë “Fshesarë”. Për më tepër, nga tenderët e audituar kanë rezultuar me parregullsi 14 prej tyre me vlerë 129,815 lekë, që përbën rreth 44 % të vlerës gjithsej të tenderuar. Në tërësi nga auditimi ka rezultuar një performancë e ulët dhe përdorim pa eficencë, efikasitet, dhe ekonomicitet i fondeve publike, shoqëruar me efekte financiare negative.
Skandali më i madh i këtij muaji në tenderimet e Ministrisë së Mbrojtjes, evidentuar nga kontrolli i KLSH rezulton në blerjen e helikopterëve të mesëm shumërolësh. Sipas përllogaritjeve të kontratës fillestare dhe vlerës së arkëtuar është vënë re diferenca prej 639,794 euro në dokumentacionin e hyrjes megjithëse sipas kontratës vlera duhet të ishte 3,458,142 euro.
Lista e shkeljeve të evidentuara vijon edhe me tendera të tjerë publikë të kryer nga Ministria e Mbrojtjes. Bazuar në këto gjetje KLSH i ka përcjellë organit të Prokurorisë dy kallëzime penale për 12 punonjës të Ministrisë së Mbrojtjes, të akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga nenet 248 dhe 258 të Kodit Penal.
Në këtë rast kaq të rëndë nuk mund të mungonte përgjigja e institucionit përkatës. Në një letër të Zv. Ministrit të Mbrojtjes në përgjigje të shkeljeve të evidentuara nga ky organ i lartë i kontrollit, pritshmëritë për përgjigjen e një zyrtari të lartë/politikani në Shqipëri u përmbushën. Në vend që të merrte përsipër përgjegjësinë e institucionit për të hetuar rastet e identifikuara nga raporti i KLSH dhe për të gjetur fajtorët dhe të vërtetën e asaj që ka ndodhur në këtë institucion, Zv. ministri u hodh në akuza politike, duke e dënuar KLSH si institucion të kontrolluar nga opozita, me një drejtor që bën favore politike ndaj opozitës dhe që ka për synim kryesor të hedhë baltë mbi ‘’respektimin që kjo qeveri i bën ligjeve dhe institucioneve’’. Ai vijon më tutje duke u shprehur se: Fatkeqësisht KLSH është kthyer në vegël e industrisë së shpifjes nën drejtimin e Bujar Leskajt, deputet i PD që mesa duket po i shërben me zell partisë së tij për t’u rishfaqur si deputet në zgjedhjet e ardhshme! Nëse ka një sjellje barbarisht antiligjore sot në një institucion, kjo është sjellja e KLSH’’. Ku i ka të dhënat faktike Zv. Ministri që hedh baltë mbi një institucion të tillë, që ka për detyrë të sigurohet se institucionet e tjera shtetërore zbatojnë ligjin, një institucion që parimisht qëndron mbi institucionet e tjera? Nëse raporti i KLSH bazohet në raporte dhe gjetje faktike, ku janë faktet e Ministrisë së Mbrojtjes se dëmi prej mbi 900 000 euro nuk është kryer ndaj buxhetit të shtetit dhe se punonjësit e këtij institucioni nuk kanë kryer asnjë shkelje? Kjo çështje nuk duhet të ketë vend në diskursin politik dhe luftën pozitë-opozitë por duhet hetuar dhe ndjekur nga organet përkatëse.
Është edhe më ironike që Zv. Ministri i Mbrojtjes është edhe koordinatori anti-korrupsion i këtij institucioni. Struktura tërësisht të reja janë ngritur në këtë institucion, sikundër në isntitucione të tjera publike, për luftën kundër korrupsionit, identifikimin e rasteve korruptive dhe denoncimin e tyre. Por deri më tani nuk kemi parë ndonjë rezultat konkret nga ana e këtyre organeve në lidhje me luftën kundër korrupsionit. Edhe kur një institucion jashtë tij, KLSH, identifikon raste të tilla përmes auditimit ato hidhen poshtë dhe denoncohen si të motivuara politikisht.
2- Nga kjo qasje lindin dy probleme:
Një prirje e tepruar, gati në delir, e qeverisë aktuale për tu mbifokusuar në portale online për denoncimin e korrupsionit. Tanimë kemi edhe portalin transparenca.al që jo-zyrtarisht duket sikur përpiqet t’i mbyllë gojën medias dhe atyre që denoncojnë korrupsionin dhe moszbatimin e ligjit në këtë vend. Transparenca.al duket më tepër si marrje përsipër edhe e rolit të medias nga ana e qeverisë duke mos lejuar hapësirë për zëra ndryshe, zëra kritikë, zëra denoncues. Ky vend ka një hapësirë publike, ka qytetarë aktivë, shoqëri civile, gazetarë dhe në përgjithësi njerëz të pavarur të cilët ndjejnë detyrën qytetare dhe profesionale të monitorojnë punën e qeverisë dhe përkushtimet e saj ndaj atyre që duhet ti shërbejë: qytetarëve shqiptarë.
Fokusimi tek forma dhe asfarë te përmbajtja është problemi i dytë që ka lindur nga qasja e qeverisë shqiptare jo vetëm për raste të tilla, korrupsioni, por edhe për politikat e ndërmarra dhe ligjet e miratuara.
Referenca:
Kontrolli i Lartë i Shtetit. 5 nëntor 2015. KLSH kallëzon penalisht 12 punonjës të Ministrisë së Mbrojtjes. Online:
Transparency International. 2015. Corruption perception index 2014. Online:
https://ëëë.transparency.org/cpi2014/results
Kontrolli i Lartë i Shtetit. Buletini 3. 2015. Online:
http://ëëë.klsh.org.al/ëeb/pub/buletini_3_2015_2067_1.pdf