![Blerina Llalla](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2015/01/Blerina-Lalla.jpg)
Blerina Llalla
1- Hajde ikona !
Një nga lajmet që tronditi mbarë opinioni publik dhe shumë specialistë të trashëgimisë kulturore gjatë muajit nëntor ishte ai i trasferimit të ikonave nga ambjentet e Galerisë Kombëtare (GKA) drejt Muzeut Historik Kombëtar (MHK), nga forcat policore pa praninë e ekspertëve të fushës. Bëhet fjalë për koleksionin e sekuestruar dy vite më parë koleksionistit Gjergji Thimjo, i cili aktualisht është duke vuajtur denimin nën gjykim, në burgun e Fierit, nën akuzën e trafikimit të objekteve të trashëgimishë kulturore. Njëkohësisht dimë se ka qenë i lishencuar si koleksionist. Sipas të gjitha burimeve të informimit publik dhe deklaratat nga specialistë apo funksionarë të ndryshëm të institucioneve të kulturës dimë që ky koleksion u magazinua për dy vite me radhe në ambjentet e GKA-së në Tiranë.
Sipas deklaratave të drejtorit të Galerisë z. Artan Shkreli mësojmë se këto vepra të një rendësie të veçantë dhe vlerash të pakthyeshme, nuk janë trajtuar aspak që nga momenti i magazinimit, pasi janë mbajtur të izoluara në gjendjen e sekuestros dhe në cilësinë e provës në kushtet e gjykimit të koleksionistit Gjergji Thimjo. Vetem në kuadrin e kësaj minipanorame mund të themi që gjendemi përballë një krimi me bashkëpunëtorë të gjitha institucionet e përfshira në këtë ngjarje. Le të shohim me tej.
Mëngjesin e 13 nentorit 2015 në te gjitha mediat dhe rrjetet sociale filluan të qarkullojnë foto nga momentet e transportimit të ikonave prej disa punonjësve të policisë së shtetit të cilët ishin ngarkuar të kryenin transferimin e këtij koleksioni nga ambjentet e GKA-se drejt Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë. Kushtet në të cilat shfaqen ikonat ishin më skandalozet pasi ishin ngarkuar në një furgon në mënyrë ç’njerëzore dhe të patrajtuara nga specialistë te fushës dhe pa prezencen e mbikqyrjen e tyre. Të ngarkuara “si dru” për zjarr, është krahasimi më i përdorur dhe me i gjetur nga specialistët që reafuan menjëherë të shokuar nga pamjet e servirura. Natyrsisht, trajtimi ishte i barazvlefshëm me atë të një malli pavlerë.
Por kush mbajti dhe po mban përgjegjesi për këtë akt të shëmtuar që haptazi mund ta cilësojmë një krim ndaj pasurise dhe trashëgimisë kulturore kombëtare? Përgjigja është e thjeshtë, askush! Kjo, pasi të gjithë reaguan të shqetësuar dhe u përgjigjën sipas mënyrës së tyre, natyrisht duke pasuar përgjegjësitë dhe duke mos marrë kopetencat sipas funksioneve. Këtu do të gjejmë fjalën e Drejtorit të GKA, z. A. Shabani:
“Unë si drejtor i GKA dhe institucioni që drejtoj nuk kanë asnjë lidhje me këtë proces. Ikonat janë sekuestruar nga Prokuroria e Tiranës dhe me vendim të MK para dy vitesh, u magazinuan në ambientet e GKA. Në mjediset e GKA ato janë ruajtur nga Policia e Shtetit dhe ne nuk kemi pasur asnjë të drejtë të hyjmë në atë sallë, pasi nuk janë në pronësinë tonë dhe kanë qenë për dy vite në hetim. Pas dy vitesh kërkesa nga ana jonë dhe pas vendimit të Gjykatës së Apelit të cilat këto ikona i ka kaluar në pronësi të shtetit, Ministria e Kulturës në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës bëri të mundur që mjediset e GKA më në fund të lirohen. Gjithashtu në këtë proces ne nuk kemi pasur asnjë lidhje. Zhvendosjen e tyre drejt Muzeut Kombëtar me urdhër të MK e ka bërë Prokuroria e Tiranes dhe punonjësit e Policisë së Shtetit. Punonjësit e GKA nuk janë lejuar asnjë moment t’i prekin këto objekte kishtare. Unë si artist e njoh shumë mirë specifikën e tyre dhe kushtet që duhet të transportohen, por nuk mund të ndërhyjë në punën e institucioneve të tjera“.
Më tej gjejmë komunikatën për shtyp publikuar në transparenca. al (paragraf):
“2-Duke pasur parasysh se këto objekte ishin të pa trajtuara në momentin e sekuestrimit, qëndrimi i tyre i tejzgjatur në GKA rrezikonte ruajtjen e tyre dhe infektimin e veprave të GKA. Pas dy vite kërkesash nga ana e Ministrisë së Kulturës dhe Galerisë Kombëtare të Arteve për të bërë të mundur kalimin e ikonave në një ambient më të përshtatshëm për trajtimin dhe ruajtjen e tyre, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë më datë 31.07.2015 ka mundësuar lejimin e kalimit të provave të sekuestruara nga ambientet e GKA te Muzeu Historik Kombëtar.
4-Vetëm me datë 11.11.2015 GKA u njoftua nga Prokurori i çështjes për kryerjen e transportit të veprave të trashëgimisë kulturore më datat 12 dhe 13 nëntor 2015. Në kushtet e kohës tejet të shkurtër, kur ekspertët e trashëgimisë i gjykuan të pamjaftueshme mjetet dhe mënyrat për këtë transport, është urdhëruar pezullimi i lëvizjes së tyre, për të vijuar në ditët në vazhdim konform procedurave përkatëse. Për sa i përket objekteve tashmë të transportuara në MHK, njoftojmë se këto ikona janë sistemuar sipas procedurave nga punonjës të specializuar të fushës në pritje të trajtimit të tyre.”
Ndërkohë e kontaktuar nga një gazetare e shqiptarja. com për një informacion më të detajuar në lidhje me ngjarjen, znj. Milena Selimi, Këshilltare për Median në Ministrinë e Kulturës përgjigjet vetëm pas gjashtë ditësh duke thënë:
“Përshendetje, duke qenë se kam qenë jashtë zyrës në lëvizje nuk kam patur mundësi të kontrrolloj këtë adresë. Besoj se i keni marrë përgjigjet në atë ç’ka kemi publikuar ne transparenca. al. Ju faleminderit.”
Sipas Ballkan web: Ndërkohë, nga ana tjetër prokuroria pohon se apeli ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë dhe ka vendosur që pronat t’i kalojnë shtetit. Ka qenë prokuroria e Tiranës që ka lëshuar urdhër ekzekutimi, i cili i është kaluar policisë së shtetit. Organi i akuzës ka deklaruar se policia nuk ka marrë pjesë për transferim në asnjë rast.
Deklarata disi konfuze dhe të pakonsoliduara, sikurse për publikun tashmë flitet vetëm nëpërmjet uebsajtit të transparencës. Nga sa dimë sipas të gjitha rregullave dhe ligjeve përkatëse për trashëgiminë kulturore, çdo vepër apo pasuri kulturore materiale çdo ndërhyrje, transferim apo çdo veprim tjetër i ushtrua mbi to duhet të kryhet vetëm nën kujdesin e specialistëve të fushës duke u kujdesur për ambalazhimin e tyre për t’i mbrojtur nga çdo dëmtim sikurse transportimi i tyre në vaësi të sasisë do të duhej të bëhej në grupe dhe jo të ngarkuara “top e trrumë” në furgona policie pa kujdesin e duhur.
Në këtë rast ekspertët e institucioneve të kulturës, (të çdolloj kategorie) edhe pse sipas deklaratave është ndaluar të asistojnë dhe te ushtrojnë veprime mbi koleksioni e ikonave, do të duhej të kishin ngritur zërin dhe të denonconin këto akte për të parandaluar dëmtimin e tyre.
Reagime publike ka pasur kryesisht nga specialistë që tashmë janë larguar nga puna me ose pa dëshire me rastin e ndërimit të pushteteve apo mospërputhjes së praktikave dhe kërkesave të institucioneve të kulturës. Këto fakte të shtyjnë të reflektosh mbi cilësinë e shërbimeve, politikave dhe vetë integritetin e institucioneve të kulturës shqiptare. Institucione këto, që kanë detyrim ligjor mbrojtjen e çdo elementi të trashëgimisë kulturore të çfarëdo lloj kategorie në bazë të kritereve të paracaktuara në ligj. Sikurse politika e tyre e vetme duhet të mbetet përthitja e specialistëve të kualifikuar dhe përforcimi i strukturave për të siguruar profesionalizmin dhe cilësinë e shërbimit në funksion të ruajtjes së vlerave kombëtare. Natyrisht këto institucione nuk duhet të operojnë në bazë poltikash partiakë apo klientelizmash që çdo herë që do të ketë rotacion politik të ketë dhe rotacion specialistësh. Kjo nuk do të ishte një politikë në favor të zhvillimit, mbrojtjes dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore, pasurisë kombëtare identifikuese.
Prandaj jemi të mëndimit që cilatdo qofshin kushtet e zhvillimit të ngjarjes, justifikimet nuk janë të vendit, pasi vetëm pas reagimit të publikut, Ministria e Kulturës e gjeti kopetencën dhe të drejtën të ndërhyjë për të asistuar transportin e materialit të mbetur në ambjentet e GKA. Pra, ky incident mund të ishtë shmangur më parë nëse do të ishin kryer marëveshjet e duhura ndërmjet institucioneve të përfshira në këtë proçes. Ndaj mund të themi se gjendemi përballë një abuzimi të hapur, ku tashmë një pjesë e dëmit mund të jetë bërë për një pjesë të veprave, dhe askush nuk do paguajë për këtë. Ende nuk ka të dhëna mbi dëmtimet, të cilat sado minimaliste të jenë, mbeten të pakthyeshme.
Sipas deklaratës së berë nëpërmjt transparenca. al, thuhet se veprat kanë qenë të patrajtuara në momentin e sekuestrimit. Por disa prej specialistëve të restaurimit në Shqipëri, të cilët kan pasur rastin ta vëzhgojne koleksionin kur e dispononte vetë koleksionisti i shumëpërfolur, gjatë deklaratave të tyre thonë se ai është kujdesur për mirëmbajtjen e tyre dhe trajtimin brenda mundësive që ka pasur, duke qenë se kostot për këto procese janë relativisht të larta, sidomos përballë një koleksioni kaq të hershëm e të çmuar.
Nëse do të kujtojmë momentet e sekuestrimit të këtij koleksioni mund të themi se edhe gjatë kësaj faze nuk ka pasur asistencën e duhur nga specialisë të fushës por thjesht të policisë, si edhe më tëj mësojmë se nuk janë mirëmbajtur duke qenë se përreth dy vite me radhë kanë ndenjur të izoluara në një ambjent të GKA pa të drejtë veprimi mbi to.
Kështu që, nga të gjitha deklaratat kuptojmë se çdo përfaqësues i këtyre institucioneve e ka parë këtë koleksion si një dhuratë të padëshiruar, më mirë të themi si një barrë të cilën skanë ditur kujt t’ia lenë sepse askush ska dashur ta mbajë, edhe pse me vndim të trupës gjykuese kjo pasuri i ka kaluar shtetit. Që nga ky moment kuptohet qartë kujt i bie pjesa më e madhe e përgjegjësisë dhe pse askush nuk i ka marrë në pronësi sipas deklaratave.
Ndërkohë duhet të themi se pavarësisht të gjitha kushteve, vendimeve apo veprimeve, institucionet e kulturës dhe në veçanti Ministria e Kulturës dhe IMK duhet ta kishin në ndërgjegjen dhe moralin isntitucional perkujdesjen e veçante mbi këtë koleksion dhe jo vetëm. Sikurse kanë të gjithë potencialin dhe të drejtat që ia jep ligji për trashegiminë për ti parandaluar këto ngjarje dhe çdo shkelje që mund t’i çojë në dëme të pakthyeshme. Kjo për të mos u shndërruar nga institucione të monumenteve të kulturës në institucione të momenteve të Krimit. Ndaj janë të patolerushme të gjitha veprimtaritë e pakoordinuara dhe deklaratat pasuese të përgjegjesive nga përfaqësues të tyre të lartë.
Gjithsesi, pas reagimeve të shumta, ndërhyrja e MK u sigurua dhe zhvendosja e plotë u përfundua në datën 19 nëntor 2015 sipas komunikatës për shtyp, lëshuar nga kjo ministri, e cila vijon si më poshtë: “Në tetor të vitit 2013 u sekuestruan nga policia 477 ikona dhe artefakte që u vendosën në Galerinë e Arteve dhe qëndruan të izoluara. Me vijimin e procesit gjyqësor MK ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me Prokurorinë për të mundësuar zhvendosjen e tyre në magazinën e Muzeut Historik Kombëtar.
Pasi kërkesa e MK u mor parasysh, me urdhër të posaçëm të Prokurorit të çështjes, u organizua transporti, nga Galeria Kombëtare e Arteve me destinacion magazinën e Muzeut Historik Kombëtar. Ky transport duhej të kryhej vetëm nga autoritetet dhe mjetet e policisë, sipas procedurave gjyqësore të parashikuara. Me të konstatuar problematikën e kushteve të papërshtatshme të transportimit nga policia, e cila në fazën e parë nuk lejoi përfshirjen e specialistëve të GKA, MK ndërhyri dhe bëri të mundur pezullimin e menjëhershëm të transportit, i cili u shty për disa ditë më pas, për t’u kryer nën mbikqyrjen e rreptë të specialistëve të trashëgimisë.
Qendra Kombëtare e Inventarizimit të Pasurive Kulturore filloi menjëhere procesin e monitorimit të lëvizjes së objekteve (ikona, artefakte) nga Galeria Kombëtare e Arteve në Muzeun Historik Kombëtar në zbatim të Urdhërit të Ministrit nr. 381, datë 21.10.2015 “Për lejimin e lëvizjes së përkohshme të 477 (katërqind e shtatëdhjetë e shtatë) veprave të artit, me statusin e provave materiale të sekuestruara nga policia e shtetit, nga ambientet e GKA-së pranë ambienteve të MHK-së, me destinacion “fond në ruajtje”.
Në komunikim me Prokurorinë objektet u dërguan në destinacionin e ri përmes policisë. MK ndërhyri që të pezullohej transporti jo profesional, shtyu kohën e transportit dhe mori masat për transportin e specializuar. Specialistet e MK-së bënë të mundur ambalazhimin e objekteve, ndërsa transporti u krye me makinat që shoqëroheshin nga policia. Specialistët e MK-së shoqëruan policinë për të kryer të gjitha veprimet në bazë të të gjitha kritereve të ruajtjes, ambalazhimit dhe transportimit të objekteve të artit. U verifikuan gjithashtu objektet e mbetuara duke iu referuar listave që zotëronte secili nga institucionet. Zhvendosja e plotë nga GKA në MHK përfundoi në 19 Nëntor 2015. Procesi i marrjes në dorëzim filloi me verifikimin e çdo objekti të zhvendosur nga GKA dhe të vendosur në katin e dytë të Muzeut Historik Kombëtar, duke iu referuar pasaportave digjitale për të gjitha objektet e regjistruara në QKIPK sipas proceverbalit të Prokurorisë dhe procesverbalit të datës 09.10.2013. Objektet janë regjistruar në Databazën Kombëtare në QKIPK që në vitin 2013, pas sekuestrimit dhe listimit nga grupi i punës. Nga verifikimi i objekteve nga grupi i punës rezulton se numri total i objekteve të listës është 477 nga 476, pasi objekti me nr. rendor 38 me kod të QKIPK 59467 dhe objekti me nr. rendor 68 me kod të QKIPK 49455 është i njëjti objekt (e njëjta copë druri, pjesë baldakini e pikturuar ku paraqiten dy shenjtorë dhe ka këto përmasa 135 x 40 x 10 cm).”
Referenca:
http://www.kultura.gov.al/al/newsroom/deklarata-per-shtyp/transporti-i-veprave-te-artit&page=1
http://shqiptarja.com/mobile/artikull_old.php?IDNotizia=326788