![Gerion Treska](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2015/01/10984949_314752732056499_761909916_n1-295x300.jpg)
Gerion Treska
1- Donim t’i merrnim Bankers-it por mesa duket, do t’i japim…
Dita e Enjte, 19 Nëntor nisi me një deklaratë aspak pozitive të një nga kompanive që operon në Shqipëri, Banker Petroleum. Me keqardhje Bankers deklaroi se Administrata Tatimore Shqiptare urdhëroi po këtë ditë bllokimin e llogarive bankare të kësaj korporate duke kërkuar 75 milionë dollarë taksa të pretenduara në bazë të një rivlerësimi tatimor. Mirëpo ndërkohë jashtë Shqipërisë një fjalë e keqe mbi një kompani mund ta fundosë rëndë atë, për Bankers ndodhi që aksionet e kësaj korporate në bursën kanadeze, ranë me të paktën 24% dhe njëkohësisht vlera totale e kompanisë ra me 450 milion Dollarë vetëm në një ditë.
Brenda të gjitha rregullave të transparencës dhe drejtësisë ligjore, ishte Bankers vetë e cila dha e para këtë njoftim por patjetër që një humbje e tillë, e cila vazhdoi edhe në ditën tjetër, datën 20 Nëntor, për shkak të një lëvizjeje të tillë të organeve tatimore shqipëtare do të ketë edhe një reaksion zinxhir. Në vijim të veprimit të tillë nga organet Shqipëtare, Bankers jo vetëm që deklaroi se kjo çështje duhet zgjidhur sipas detyrimeve kontraktuale, të cilat Bankers deri më tani i ka plotësuar rregullisht, por edhe vazhdoi me hapin tjetër, ndjekjen e cështjes në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit. Pas kallëzimit nga ana e Bankers, nuk duket të ketë patur asnjë reagim nga pala shqipëtare.
Pa vonuar shumë, Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit, pothuajse vetëm me një ditë vonesë urdhëroi rikthimin në gjendjen aktive të të gjitha llogarive të kësaj kompanie. Sërish asnjë reagim nga pala shqiptare. Në fakt një pasivitet i tillë i palës shqipëtare duket krejtësisht ekstremi i kundërt krahasaur me kurajon e shfaqur për ta vlerësuar Bankers me një “gjobë” prej 75 milion Dollarësh. Megjithëse në kontratën mes Bankers dhe AKBN është parashikuar një rast i tillë, ku në kontratë situata zgjidhet mes bisedimesh dhe gjetjes së një audituesi të pavarur nga të dyja palët, pala shqiptare ka ndërmarrë hapin drastik të bllokimit të llogarive bankare.
Ajo çka mbetet për t’u parë është se si e gjithë kjo situatë do të vazhdojë të diskutohet në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit me frikën dhe “merakun” e një kundëreagimi nga ana e Bankers për të kërkuar një lloj dëmshpërmblimi për dëmin e shkaktuar nga kjo masë në aksionet e kompanisë në bursë. E në ndodhtë kështu kjo do të thotë që sërish kjo barrë pakujdesie do të përtypet dhe paguhet nga taksat e shqipëtarëve.
2- Lekët kurrë nuk mjaftojnë!
Turet e Ministrit Gjiknuri në përfaqësimin e Shqipërisë në mjaft samite ndërkombëtare patjetër që janë një figurë e mirë por më shumë në aspektin e marrëdhënieve me publikun. Përveç indikatorit pozitiv nga Banka e Shqipërisë mbi ecurinë disi pozitive të sektorit energjik në Shqipëri, dhe kjo të mos harrojmë se në të shumtën e rasteve varemi nga ditët me shi, e vetmja shifër pozitive, por që sërish kërkon një zmadhim me lupë dhe zhveshje nga shumë faktorë të tjerë për të nxjerrë një vlerë reale të saj, janë arkëtimet në 5.1 miliard Lekë për 10 muajt si dhe 29.9% humbje në rrjet. Të dyja këto shifra sërish kërkojnë një anallizë zhveshëse akoma më të thellë e cila përfundon në dy zgjedhje për popullin, paguaj ose burg. E për rrjedhojë kemi rritjen e arkëtimeve që vjen nga numri më i madh i atyre që paguajnë, por kjo nuk na jep të drejtën që ta krahasojmë këtë numër me asnjë vit reference të mëparshëm pasi kjo zgjedhje mes burgut apo pagesës nuk është ofruar asnjëherë më parë.
Në vazhdim të këtyre shifrave të larta në arkëtime, vijnë investimet që po zhvillohen në kuadër të reformës në sektorin energjetik por ja që sado të larta të jenë arkëtimet sërish shqiptarët do të paguajnë shumë shpejt përvec 30% humbje e cila është pjesë e faturës së energjisë edhe disa taksa të tjera që do të vijnë pas miratimit të kredisë nga KfW prej 60 milion Eurosh që Qeveria do të marrë për Efiçencën në Energji si dhe Fuqinë Energjetike dhe Sigurinë e Digës së Kaskadës së Drinit.
Referenca:
http://www.reporter.al/bankers-padit-ne-arbitrazh-shqiperine-pas-gjobes-se-tatimoreve/
http://www.reporter.al/vlera-tregtare-e-bankers-bie-me-80-milione-dollare-pas-gjobes-se-tatimeve/
http://acp.al/news/1475/Arbitrazhi-rrezon-Tatimet,-urdherohet-zhbllokimi-i-llogarive-te-Bankers/
http://web.tmxmoney.com/article.php?newsid=80768423&qm_symbol=BNK
http://oshee.al/blog/oshee-ne-tetor-2015-humbjet-29-9-arketimet-5-1-miliard-lek/