
Gerion Treska
1- Deputetët emërojnë mësuesit?!
Nëntori ka nisur i “artë” me një publikim nëpër mediat online si dhe ato të shkruara mbi një listë emërimesh partiake në arsim në Lushnje, ku spikaten emrat e deputetëve të PS dhe LSI. Fatkeqësisht kjo listë vjen e miratuar, sipas Lapsi.al, nga Drejtoresha e Arsimit e Lushnjes e arrestuar pikërisht për korrupsion në Nëntor 2014, mbi emërimin e mësuesve me anë të parave nën dorë. Për rrjedhojë rezulton se zonja në fjalë paska marrë rryshfet për pjesën tjetër të mësuesve që duheshin emëruar sipas kritereve të MAS (http://mesues.arsimi.gov.al/) sepse pjesën ku kishte ndërhyrje nga deputetët nuk mund ta diskutonte.
Pa vonuar në të njëjtën ditë një shkrim i transparenca.al përgenjështron këtë ndodhi si një fabrikim që tenton të hedhë baltë mbi reformat e suksesshme në arsim të ndërmarra nga qeveria. Kjo listë e pretenduar si një gjetje flagrante korrupsioni nuk ekziston po sipas transparenca.al, duke shtuar se ajo mund të prodhohet lehtësisht nga çdo përdorues interneti. Megjithëse Lapsi.al kishte publikuar vetëm lista me emrat e mësuesve dhe emrat e personave të cilët i kanë propozuar ata, sëbashku edhe me detaje të tjera.
Lushnja mund të duket si maja e një akullnaje të thellë, e cila i shtrin rrënjët jo vetëm në të tashmen por pasqyron më së miri një trashëgimi korrupsioni nga të gjitha qeveritë e kaluara. Patjetër që diçka të vërtetë në këtë mes ka në këtë listë por ajo që është akoma më shqetësuese nuk është replika që bëhet për pothuajse çdo gje nga transparenca.al duke nxjerrë gjithnjë fajin tek të tjerët e asnjëherë duke pranuar qoftë edhe tek tuk ndonjë dobësi të saj, por mosreagimi i publikut të gjerë i cili thjesht e pranon si të mirëqenë, madje duke e quajtur mbase deri diku edhe të drejtë një metodë të tillë punësimi. Megjithëse transparenca.al përiqet të sqarojë procedurat e sakta të përzgjedhjes së mësuesve duhet të pranojë po ashtu sikurse e ka deklaruar edhe vetë Kryeministri që raste ku luhet me letra ne kompjuter në administratë ka plot, ndaj nuk mund të besojmë kurrë në një situatë të përshkruar aq bukur dhe thjeshtë proceduriale për përzgjedhjen e mësuesve.
Megjithëse Kryeministri është mëse i bindur se ka instaluar tashmë sistemin e meritokracisë në arsimin shqiptar kjo s’do të thotë që edhe rastet të tilla si kjo listë janë zhdukur, përkundrazi sa më larg gjeografikisht Kryeministrisë aq më ekzistente janë sepse duket sikur kontrolli shkon atje me vonesë ose kujtohet një herë në mot!
2- Protesta, protesta, protesta…por asgjë nuk ndryshon!
Lëvizja “Për Universitetin” e cila tashmë është e njohur për MAS, Parlamentin tashmë “adetin” e protestës e ka zhvendosur edhe përpara godinës së Kryeministrisë duke kundërshtuar për të disatën herë ligjin e ri për arsimin e lartë. Të ardhur nga të gjitha qytetet e Shqipërisë madje edhe nga Kosova, studentët protestuan të qetë megjithëse ende ishin me adrenalinën e ndodhisë së vezëve. Por edhe në këtë protestë ata nuk arritën pothuajse asgjë. Duke u ankuar për tarifat e larta të shkollimit, për shkak të ligjit të ri, si dhe duke kërkuar arsimin e lartë publik falas zëri mesa duket thjesht u përplas në grilat e dritareve të Kryeministrisë dhe kaq.
Nga ana tjetër sërish qëndrimi i Qeverisë dhe MAS nuk ka ndryshuar, po ai mospërfillës dhe mëse i vendosur se ligji është i nevojshëm dhe i duhuri. Sado të argumentuara të duken protestat apo edhe veprimet e studentëve MAS nuk “tundet” nga vendimi i saj, madje ligji i ri ka pak kohë që ka hyrë në fuqi dhe ka nisur aplikimin në itemin arsimor të lartë në Shqipëri.
Referenca:
http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=311598