![G. Treska](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2016/03/G.-Treska-300x300.jpg)
G. Treska
1- “Ra” kjo naftë e u pamë
Rënia e çmimit të naftës duket se ka tronditur mjaft indikatorë të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare. Po ky faktor mund të kthehet edhe në një “justifikim perfekt” qeveritar dhe të institucioneve të tjera shtetërore për argumentimin mbi të ardhurat e ulëta, apo nëse deflacioni vjen nga ritmi i lartë ekonomik ose e kundërta.
Tutori FMN, i cili nuk humbet për asnjë moment shikimin nga arkat, financat dhe ekonomia e vendit tonë, në vizitë e tij në mars foli me tone në përgjithësi qetësuese për të justifikuar performancën e qeverisë shqiptare. Duke e vlerësuar situatën aktuale si një inflacion të importuar kryesisht nga rënia e çmimit të naftës në bursat dhe tregjet ndërkombëtare, Banka e Shqipërisë së bashku me FMN-në nuk tentojnë dhe nuk mendojnë ta ndryshojë shifrën e rritjes së ekonomisë që pritet të jetë 3.4%[1] këtë vit, pavarësisht se inflacioni aktual dhe ajo prirje nuk na bëjnë aspak të sigurt për arritjen e këtij niveli.
Kjo situatë e ekonomisë sonë është një indikator i qartë se si çmimi i naftës mund të ndikojë menjëherë në të ardhurat e qeverisë dhe buxhetit të shtetit[2] , ndikim që ndihet drejtpërdrejtë në TVSH, rentën minerare dhe akcizë. Pavarësisht se Banka Qendrore përpiqet të qetësojë opinionin publik duke shpjeguar se është në vëzhgim të situatës, të cilën e ka nën kontroll[3], qytetarët janë ata të cilët duhet të shlyejnë faturat e politikave fiskale, monetare si dhe të modeleve ekonomike që duken gjithnjë e më të pasigurta dhe zhgënjyese. Situatës aktuale i bashkohet edhe një nga problemet dekurajuese si për biznesin shqiptar, por edhe për investitorët e huaj, mosmarrëveshjet ndërmjet institucioneve të administratës publike dhe biznesit[4]. Ky ka qenë një prioritet në mbledhjen e Këshillit të Investimeve, duke sjellë në vëmendje humbjet në kosto financiare, por edhe jo financiare, të bizneseve dhe institucioneve publike. Në përfundim të mbledhjes u përpiluan disa rekomandime për qeverinë, e cila me këshillë të komunitetit ndërkombëtar, pjesë e Këshillit të Investimeve, jo vetëm që duhet t’i marrë parasysh por edhe t’i verë menjëherë në jetë.
Situata ekonomike në Shqipëri nuk është në një nga momentet e saj më të mira. Importi i të mirave dhe i të këqijave “pa doganë” dhe instrumente lokale, apo edhe një ekonomi e strukturuar sjell në vëmendje vulnerabilitetin e ekonomisë ndaj faktorëve të jashtëm dhe atyre të brendshëm. “Sistemi imunitar” i varfër nuk na lejon dhe nuk do të na lejojë që të identifikojmë faktorët real, që ndikojnë pozitivisht ose jo në ekonomi. Për pasojë, ndërmarrja e politikave në këtë situatë është thjesht një manovrim, që harxhon disa para, por nga ana tjetër nuk prodhon asgjë.
2- SIISKM e INSTAT me të njëjtin “baba”?!
Bazuar në vendimin Nr. 148, datë 24.2.2016 90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e kryeministrit, Këshilli i Ministrave vendosi ngritjen e Sistemit të Integruar të Informacionit dhe Statistikës të Këshillit të Ministrave, SIISKM, i cili organizohet dhe funksionon me qendër në Kryeministri dhe njësitë përbërëse në çdo ministri të linjës[5]. Ky është institucioni më i ri i qeverisë shqiptare, për të cilën me sa duket INSTAT nuk i arrin mjaftueshëm “standardet qeveritare” në aktivitetin që kryen.
SIISKM-ja ka për qëllim administrimin dhe menaxhimin e fluksit të informacionit në funksion të vendimmarrjeve politike e strategjike të Këshillit të Ministrave, kryeministrit e të ministrave, në funksion të komunikimit e bashkëveprimit ndërinstitucional si dhe të mirëmbajtjes së të dhënave thelbësore statistikore, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Po në të njëjtën kohë INSTAT, ka të drejtë të kërkojë nga ministritë dhe institucionet qendrore dhe vendore shfrytëzimin e të dhënave administrative dhe statistikore, përveç të drejtave të tjera, të specifikuara në program[6]. Në të njëjtën kohë, raportet e SIISKM-së janë dokumente përfundimtare dhe referencë e detyrueshme zyrtare, si në komunikimin ndërinstitucional ashtu dhe në komunikimin publik. Në çdo komunikim ndërinstitucional, ndërmjet Kryeministrisë e ministrive apo strukturave të tjera të varësisë si dhe ndërmjet ministrive kryhet nëpërmjet strukturave të SIISKM-së.
Por çfarë i mungon SIISKM-së, që patjetër duhet t’i ketë shpëtuar pa dashje themeluesit të saj, është se, në ndryshim nga INSTAT, po me të njëjtin baba themelues – përgjegjës për të siguruar se statistikat zyrtare janë bërë të disponueshme në baza paanësie për të gjithë përdoruesit e interesuar – një element i tillë paanshmërie duket se mungon, çka mund të çojë në aludime spekulative të tipit “qeveria po e përdor si do vetë SIISKM-në”. Po ashtu si INSTAT-i, SIISKM është në varësi të kryeministrit pasi protokollet e mbledhjes, përpunimi, analiza dhe publikimi i informacionit, si dhe procedurat standarde të punës, rregullohen me akte të veçanta, që miratohen nga kryeministri për Zyra Operacionale të Situatës dhe nga ministrat përkatës për Zyrat e Informacionit dhe Menaxhimit të Emergjencave Civile dhe Krizave.
Si përfundim, ndryshimet mes INSTAT dhe SIISKM janë pothuajse të “papërfillshme”, çka i kthen këto institucione në simotra, të cilat mund t’i shërbejnë të njëjtit qëllim: ofrimin e të dhënave statistikore për vëzhgimin e gjendjes ekonomike, shoqërore dhe mjedisore në Republikën e Shqipërisë, qofshin këto reale ose jo, ose, mos e dhëntë Zoti, që të jenë kontradiktore me njëra-tjetrën. E nëse do të duam të shpjegojmë një efekt të një politike ose reformë dhe përdorim shifra të cilat përputhen nga këto dy institucione, atëherë është më se e legjitimuar heqja e një vize, e cila kalon në këto dy pika, duke provuar kështu pikëpamjen me të cilën qeveria do të legjitimojë veprimet e saj si gjithmonë të drejta përpara të gjithëve.
[1]Dizinflacion shpjegimi i ri për situaten aktuale ekonomike.
http://www.reporter.al/dizinflacion-shpjegimi-i-ri-per-situaten-aktuale-ekonomike/
[2]Takimi I FMN me qeverinë, projeksion për uljen e çmimeve në bursë.
http://acp.al/news/1905/Takimi-i-FMN-me-qeverine,-projeksion-per-uljen-e-cmimeve-ne-burse/
[3]Banka e Shqipërisë: Ekonomia nuk është në situatë deflacioniste dhe as nuk rrezikohet prej saj.
[4]Ministrja Milva Ekonomi mbledh Këshillin e Investimeve
http://www.ekonomia.gov.al/al/newsroom/lajme/ministrja-milva-ekonomi-mbledh-keshillin-e-investimeve
[5]Vendimi I Këshillit të Ministrave për themelimin e SIISKM
http://www.qbz.gov.al/botime/fletore_zyrtare/2016/PDF-2016/33-2016.pdf
[6]Statuti I INSTAT