
M. Tili
1- Në Shqipëri ka vende pune, por jo për ty
Ministria e Shtetit për Inovacion dhe Administratën Publike, ashtu si simotra e vet, Ministria e Shtetit për Çështjet Vendore, ka një përplasje kompetencash dhe shpesh, për të mos thënë në të gjitha rastet, të dyja ministritë kanë të njëjtin aktivitet dhe të njëjtat fusha mbulimi. Në të tilla kushte vjen natyrshëm edhe sugjerimi që ose të shkrihen me njëra- tjetrën, ose të jenë institucione në varësi.
Për muajin mars vlen të përmendet kërkesa e Ministres së Shtetit për Inovacion dhe Administratën Publike, Milena Harito, për një ndryshim në pagesat e punonjësve të administratës publike. Edhe në këto kushte, kemi të njëjtat kritika si ndaj Ministrisë së Shtetit për Çështjet Vendore. Këto pagesa, të cilat parashihet të kenë një rritje deri në 30 për qind, do të jenë të pranueshme. Ndërsa thirrja për më shumë se 1 mijë vende të lira punë në administratë, madje edhe në nivele drejtuese, duket se është një fushatë për të cilën kritikat nuk do të kursehen. Premtimi kur kjo qeveri erdhi në pushtet ishte për 100 mijë vende pune, megjithatë thirrja për të punësuar 1 mijë vetë tingëllon jo realiste. Përveç kësaj, web faqet ku edhe të interesuarit duhet të aplikojnë, nuk punojnë, po kështu nuk janë të shpallura afatet e dorëzimit të dokumentacioneve, kualifikimet e kërkuara. Për të gjitha këto, lind dyshimi që administratat do të popullohen sërish nga militantë partie, të cilët duhet të shpërblehen për kontributin e dhënë në zgjedhjet e fundit apo për ata që priten të kontribuojnë në favor të fushatës së ardhshme.
Po në këtë muaj, harta e përfolur në këta 3 vite (nga 2013 e këtej), u bë më në fund gati. Shteti ka tashmë një hartë unike dixhitale, në të cilën janë pasqyruar informacionet e 43 shtresave hartografike.[1] Kjo hartë së bashku me kufijtë e rinj administrativë të përcaktuar në bazë të ndarjes së re territoriale janë prezantuar në një aktivitet të organizuar nga Ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito dhe Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, me pjesëmarrjen e 61 kryetarëve të bashkive dhe drejtues të institucioneve kryesore në vend.[2]
Sigurisht që edhe për këtë hartë ka një ueb sajt të dedikuar. Por në të po punohet ende, ndaj do të presim e saj variantin final. Në Hartën Unike Dixhitale janë pasqyruar të dhëna për: kufijtë e rinj administrativë sipas ndarjes së re territoriale; imazhe dhe fotografi ajrore të të gjithë territorit të vendit; harta topografike me të dhënat për gjithë relievin e vendit. Në të përfshihen gjithashtu harta e pasurive të paluajtshme, sipas gjendjes së regjistrimit fillestar (2,2 milionë parcela toke); harta e sistemit të adresave (33 mijë km linear rrugë dhe 730 mijë ndërtesa të dixhitalizuara); harta e bizneseve (81 500 biznese); harta e vendndodhjes së institucioneve arsimore; harta e zonave të rrezikut në shërbim të emergjencave civile, hartat gjeologjike dhe e përdorimit të tokës; harta e fondit të kompensimit fizik (25 mijë hektarë); harta e zonave të mbrojtura. I gjithë ky gjeoinformacion ka rolin e burimit kryesor për hartimin e detyrave të projektimeve e deri tek menaxhimi i emergjencave civile. Ai është tashmë në dispozicion të publikut pa pagesë në adresën http://geoportal.asig.gov.al/.
[1]Njoftimi zyrtar në faqen e Ministrisë për Inovacionin dhe Administratën Publike. http://www.inovacioni.gov.al/al/newsroom/lajme/prezantohet-harta-unike-dixhitale-dhe-kufinjte-e-rinj-administrative
[2]Harta e kufijve administrativo-territorialë përcaktohet me koordinata të sakta gjeografike në formatin GIS. Prezantimi u bë nga ministrja Harito.http://www.noa.al/artikull/prezantohet-harta-unike-dixhitale-dhe-kufinjte-e-rinj-administrative/561883.html, http://www.oranews.tv/vendi/harta-unike-dixhitale-cuci-20-e-njesive-vendore-ne-konflikt-per-kufijte/