
M. Tili
1- Vende pune pa punë
Ministria e Shtetit për Çështjet Vendore këtë muaj do të marrë flamurin për sa i përket shpalljes së 1 mijë e ca vendeve të punës.[1][2] Dhe vende pune jo dosido, por në administratën publike, pra punë në shtet, që prej disa njerëzve konsiderohet “punë për qejf”. Kjo mund të jetë krejtësisht e gabuar, por perceptimi i qytetarit për punën në shtet zë fill që kur pas njoftimit publik për vende pune, qendra që i shpall këto vende rezulton jashtë shërbimit. Dhe çka është më domethënëse: vendet për të cilat është bërë njoftimi publik janë thuajse të paarritshme për ata që duan të punësohen. Kjo për disa arsye. E para, nuk janë publikuar cilësitë dhe kualifikimet që kërkohen nga punëkërkuesi. E dyta, janë shpallur si pozicione, por jo afatet e dorëzimit të dokumentacionit si dhe koha kur do të zhvillohen intervistat. Dhe e treta, që duket sikur ka edhe një histori nga pas, sa herë që flitet për vende pune në nivele drejtuese, tek të interesuarit shfaqet dyshimi në lidhje me atë se sa serioze dhe afatgjata do të jenë këto vende pune. Mjafton të kujtojmë vitin 2013 kur mazhoranca qeverisëse, në atë kohë ende në opozitë, akuzonte se administrata po mbushej me militantë partie si dhe po shpërbleheshin, ata që nuk kishin lëpirë ende nga mjalti i taksapaguesve shqiptarë. Në këto kushte, duket sikur po përsëritet historia, pasi zgjedhjet nuk janë larg dhe në administratë do të hyjnë sërish militantët e partisë, të cilët duhen shpërblyer për zellin e shprehur në fushata. Surprizë tjetër, po këtë muaj është edhe lista e re e pagave për punonjësit e administratës publike. Qeveria ka zbardhur edhe tabelën me pagat e reja për çdo kategori. Ajo që bie në sy është rritja e pagave për disa kategori në institucionin e Këshillit të Ministrave, ndërsa kanë pësuar ulje page punonjësit e doganave, shkruan Portali Albeu.com[3].
Drejtori i njësisë do të përfitojë pagë 2a, ndërsa juristët, inspektorët dhe koordinatorët pagë 2b. Më konkretisht paga për këto dy kategori do të jetë 107100 lekë për kategorinë 2 a dhe 89800 lekë për kategoritë 2 b. Të dyja rastet përfitojnë edhe 2 për qind shtesë për vite pune. Ndërsa te doganat kanë pësuar ulje pothuaj të gjithë punonjësit. Nga tabela e pagave rezulton se ulja ka ardhur si rezultat i rivlerësimit të kushteve të punës në dogane. Më përpara, kushtet në dogana janë cilësuar si “vështirësi në punë”, ndërsa tashmë ky përfitim ka ardhur duke u ulur, pasi kushtet në dogana shihen si favorizuese dhe lehtësuese, krahasuar me ato të mëparshmet. Një tjetër vendim që bie në sy është edhe rritja e pagës për artistët.
Më konkretisht, kryeministri Rama ka vendosur që të rrisë me 3 mijë deri në 5 mijë lekë të gjitha pagat e punonjësve të Teatrit Kombëtar, të Teatrit të Operas dhe Baletit si dhe të Ansamblit Popullor.
[1]Njoftimi I nxjerrë në Departamentin e Administratës Publike pësa I përket vendeve vakante të punës. http://www.dap.gov.al/vende-vakante/udhezime-dokumenta
[2]Artikull në gazetën Panorama në lidhje me hapjen e 1000 vendeve të punës në Administratën Publike.
http://www.panorama.com.al/vendimi-qeveria-hap-mbi-1-mije-vende-pune-ne-administraten-publike9/
[3]Lista e rikonfiguruar e pagave që vjen si pasojë e ndryshimit të njësive vendore. http://infoelbasani.al/2016/03/06/sa-te-jene-pagat-e-drejtuesve-dhe-nepunesve-ne-bashkite-e-reja/, http://www.albeu.com/shqiperi/zbardhet-pagat-e-reja-te-administrates-shteterore/143142/