
Adela Danaj
1- Raporti i Këshillit të Europës- “Shqipëria: kushte të rënda në dhomat e paraburgimit dhe dhomat e kujdesit shëndetësor në burgje”
Pas raportit të publikuar më 3 mars 2016 nga Këshilli i Europës[1], u mendua që jo vetëm Ministria e Shëndetësisë, por dhe media do të reagonte menjëherë duke kontribuar në ngritjen e problematikës në nivel kombëtar. Por, nga data 3 mars e deri tani nuk rezulton asnjë reagim nga ministria dhe asnjë lajm nga media shqiptare. Sipas raportit vjetor të anti-torturës, realizuar dhe më pas publikuar më 3 mars të këtij viti nga Këshilli i Europës, çështja e Shqipërisë duket të jetë ngritur si një ndër rastet më problematike sa i përket kujdesit shëndetësor në dhomat e paraburgimit dhe nëpër burgje. Kujtojmë që sipas statistikave vjetore të Këshillit të Europës, gjatë vitit 2014 Shqipëria është renditur në vendin e pestë në Europë me burgje të mbipopulluara, duke pasur 128 të burgosur për 100 vende[2]. Kjo do të thotë: më shumë kujdes ndaj tyre, kontroll shëndetësor konstant dhe krijimi i kushteve mjekësore për rastet urgjente.
Në faqen kryesore të raportimeve rreth studimeve të realizuara nga Këshilli i Europës, në seksionin e të Drejtave të Njeriut dhe Anti-torturës, shfaqet dukshëm raporti nën titullin “Shqipëria: Kushte të rënda në dhomat e paraburgimit dhe dhomat e kujdesit shëndetësor nëpër burgje.” Raporti i KE-s është rrëqethës teksa paralajmëron se Komiteti për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit Çnjerëzor ose Degradues (CPT) ka evidentuar një situatë alarmuese në lidhje me (i) mos plotësimin e kushteve mjeko-ligjore; (ii) gjendjen psikike të të dënuarve; (iii) mos përmbushjen e kushteve që parashikon ligji nëpër qendrat spitalore pranë institucioneve ku të dyshuarit dhe dënuarit presin apo vuajnë dënimin e tyre. CPT raporton për kushte ekstreme të dhomave të kujdesit shëndetësor në burgjet e të gjithë vendit, duke përjashtuar vetëm qytetet Tiranë dhe Korçë. Ai pohon se Saranda është një nga rastet më problematike, që në mënyrë absolute nuk plotëson as kushtet minimale për garanci shëndetësore apo kujdes shëndetësor në ambientet ku vuhet dënimi.
Raporti gjithashtu vë në dukje mungesën e ilaçeve dhe të shqyrtimit sistematik mjekësor të të burgosurve, kryesisht të sapoardhurve. Gjithashtu, CPT-ja ka bërë thirrje për krijimin e një strukture të specializuar psikiatrike për të burgosurit. Raporti në fund mbyllet me lajmin se autoritetet shqiptare janë vënë në dijeni për këtë situatë dhe po merren masat për të adresuar rekomandimet e CPT-ës.
APPA, sikurse dhe të gjithë të burgosurit dhe të afërmit e tyre, do t’i ishin shumë mirënjohëse Ministrisë së Shëndetësisë nëse do të merrte masa urgjente për të siguruar shëndetin dhe jetën e të gjithë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, qofshin apo jo të dënuar me heqje lirie.
Është e rëndë kur konstaton nëpërmjet ndërkombëtarëve se vetë shteti shkel me të dyja këmbët në mënyrë flagrante ligjet që ka miratuar po vetë. Kujtojmë se sipas ligjit Nr. 8328, miratuar më datë 16.4.1998 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, neni 5 i tij garanton Respektimin e të drejtave të njeriut (ndryshuar me ligjin nr.40/2014, datë 17.4.2014) dhe neni 5/1 garanton Parandalimin e dhunës dhe trajtimin e viktimave (shtuar me ligjin nr.40/2014, datë 17.4.2014)[3]. Sipas ligjit të cituar, çdo të paraburgosuri apo dënuari duhet t’u sigurohen kushtet se dinjiteti i tyre dhe shëndeti nuk duhet të rrezikohen kurrsesi në asnjë moment. Megjithatë, sipas raportit të publikuar nga KE-ja ditët e para të muajit mars, konstatohet se asnjë nga këto kushte nuk është plotësuar duke vënë në rrezik shëndetin dhe jetën e të paraburgosurve apo dënuarve.
Ministria e Shëndetësisë deri tani nuk ka bërë raportim të ngjarjes. Po ashtu, ajo nuk ka njoftuar nëse ka ndërmarrë ndonjë aksion të veçantë për të përmirësuar kushtet e qendrave shëndetësore pranë burgjeve, apo ndonjë përpjekje për të siguruar minimalisht barnat kryesore, të nevojshme për të dhënë ndihmën e parë. Në faqen e saj zyrtare raportohen vetëm lajme mbi instalimin e pajisjeve mjekësore në ndonjë qendër shëndetësore në vend[4]. Asnjë lëvizje serioze dhe asnjë mbulim mediatik i kësaj situate alarmante nuk shihet në horizont. Sigurisht që kjo është një përgjegjësi e drejtorisë së burgjeve, por Ministria e Shëndetësisë, menjëherë pas raportit të KE-s, duhet të ishte e para që të denonconte lajmin dhe të merrte masa serioze për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve të saj.
Nga ana tjetër, është i çuditshëm edhe qëndrimi i mediave, që vendosën të mos e mbulonin lajmin në fjalë. APPA do të përpiqet të kontaktojë drejtuesit e qendrave shëndetësore, të paktën në ato burgje që konstatohet se janë më problematike dhe nuk plotësojnë as kushtet minimale të kujdesit shëndetësor. Nëse nuk do të marrë asnjë reagim prej tyre, atëherë të gjitha kërkesat e veta do t’i adresojë në formën e kërkesave të hapura përmes të gjitha kanaleve të informimit që ka në përdorim.
[1]Council of Europe: Human Rights Europe: http://www.humanrightseurope.org/2016/03/albania-poor-detention-conditions-and-prison-healthcare-revealed-in-new-anti-torture-report/ aksesuar për herë të fundit më 25 Mars 2016
[2]Council of Europe Annual Penal Statisticshttp://wp.unil.ch/space/space-i/prison-stock-2014-2015/ aksesuar për herë të fundit më 25 Mars 2016
[3]Ligji Nr.8328, Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve http://www.qbz.gov.al/Ligje.pdf/LIGJ%20per%20te%20denuarit.pdf aksesuar për herë të fundit më 25 Mars 2016
[4] Ministria e Shëndetësisë http://www.shendetesia.gov.al/al/newsroom/lajme aksesuar për herë të fundit më 25 Mars 2016