![F. Gjana](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2016/03/F.-Gjana-300x300.jpg)
F. Gjana
1- Moratoriumi i gjuetisë
Më 30 janar 2014, u ndalua me ligj[1] ushtrimi i gjuetisë në të gjithë territorin e vendit për një periudhë 2 vjeçare. Afati i këtij ligji mbaroi më 15 mars të këtij viti. Por a ka funksionuar ky moratorium? Si ka ndikuar ai mbi faunën e vendit tonë? A ka arritur Inspektorati i Mjedisit të kontrollojë dhe të sigurohet për zbatimin e ligjit? Pikërisht për këto çështje priten shpjegime nga Ministria e Mjedisit dhe institucionet që janë në varësi të saj. Deri në tani nuk është publikuar asnjë analizë rreth efektit që ka pasur zbatimi i këtij moratorium 2 vjeçar.
Kanë qenë dy shoqata, përkatësisht Shoqata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) dhe Shoqata për Ruajtjen e Shpendëve dhe Gjitarëve të Shqipërisë (ASPBM), që janë shqetësuar për shkeljet e vazhdueshme që ka pasur moratoriumi i gjuetisë. Rastet e shkeljeve janë faktuar nga vëzhgimi në terren i grupeve të monitorimit, që kanë ngritur këto shoqata.
Sot, pothuajse pas dy viteve, konstatojmë se përmbushja e objektivave të moratoriumit të gjuetisë nuk është realizuar. Gjuetia e paligjshme vazhdon të ushtrohet dhe muajt e fundit është rritur edhe më shumë. Intervali kohor kur aplikohet gjuetia e paligjshme përfshin orët e mbrëmjes dhe orët e para të mëngjesit, kryesisht gjatë fundjavës. Jo rastësisht, për abuzuesit është e preferueshme gjuetia në këto orare, pasi në këtë periudhë kohore organet përgjegjëse për zbatimin e ligjit kanë një vigjilencë të ulët për sa i përket kontrollit të terrenit, për të mos thënë zero. Abuzuesit ushtrojnë gjueti pothuajse në të gjitha zonat e mbrojtura ligatinore, por edhe në zonat e mbrojtura malore, që kanë qenë në fokus të monitorimit. Nuk janë kursyer llojet e rralla të kafshëve që janë pjesë e listës së kuqe të faunës së Shqipërisë, si kaprolli, ujku, derri i egër etj.
Moratoriumi është aplikuar te qytetarët që kanë një leje gjuetie, kurse pjesa tjetër, pra mbi 130.000 armëmbajtës që kanë gjuajtur pa leje gjuetie, pritej që do të vazhdonin të gjuanin pa leje sepse juridikisht ata e kanë pasur edhe më parë të ndaluar gjuetinë. Logjikisht nuk duhet të ishte vendosur një moratorium për gjuetinë por për armët, pra bllokimin e armëve të gjahut.
Ministri Koka ka deklaruar që po mendohet shtyrja[2] e këtij moratoriumi edhe për dy vite të tjera. Por para se të merret një vendim i tillë i bëjmë thirrje Ministrisë së Mjedisit, Ministrisë së Rendit dhe organeve përgjegjëse për zbatimin e ligjit që së pari të marrin masa për mirëfunksionimin e këtyre institucioneve që të vënë nën kontroll gjuetinë e paligjshme, duke mbrojtur kështu pjesën tashmë tejet të rrezikuar të faunës së egër në Shqipëri.
2- Ajri që thithim
Agjencia Kombëtare e Mjedisit ka deklaruar[3] se ajri në Tiranë vazhdon të jetë i ndotur dhe nuk ka asnjë përmirësim. Kjo gjendje alarmante shfaqet edhe në qytetet e tjera të Shqipërisë. Sipas specialistëve, ndotja e ajrit në këto nivele të larta vjen si pasojë e shumë faktorëve, ndër të cilët më kryesorët mbeten: automjetet e vjetërsuara, trafiku në zonat urbane dhe djegia e mbeturinave vend e pa vend. Është me vend të citoj objektivin[4] e Ministrisë së Mjedisit në lidhje me cilësinë e ajrit ku thuhet:
‘’… për të mundësuar parandalimin dhe pakësimin e rreziqeve ndaj jetës dhe shëndetit të njeriut duke synuar përmirësimin e cilësisë së ajrit në masën 8% …’’
Por çfarë ka bërë dhe po bën Ministria e Mjedisit për këtë problem madhor, ndërkohë që është në dijeni se çdo vit 500 vdekje në qytet i atribuohen ndotjes së ajrit? A do mundet Ministria jonë e Mjedisit të përmbushë këtë objektiv brenda vitit 2017?
Jemi në situatën ku ndotja e ajrit është mbi normat e lejuara nga BE-së dhe kjo po shkakton pasoja të parikuperueshme mbi shëndetin, e për pasojë po ulet jetëgjatësia e njerëzve. Ekspertët paralajmërojnë se nëse nuk merren masa urgjente, rënia e pritshme e jetëgjatësisë së popullsisë, sidomos asaj që jeton në kryeqytet, do të jetë 1- 2 vjet për çdo banor. Për të njëjtën arsye (ndotjes së ajrit), çdo vit shfaqen rreth 1400 raste të reja me kancer (sidomos ai i mushkërive dhe lëkurës).
Në aspektin ligjor, ministria siguruar miratimin e ligjit[5] Nr. 162/2014 “Për mbrojtjen e cilësisë së ajrit në mjedis” dhe vendimit[6] Nr. 594, datë 10.09.2014 “Për miratimin e Strategjisë Kombëtare për cilësinë e ajrit të mjedisit”.
Sa po zbatohet ky ligj? A po realizohen masat për të cilat qeveria është zotuar në Strategjinë Kombëtare për cilësinë e ajrit të mjedisit? Mos ndoshta përveç përpilimit të politikave të mëdha, kemi nevojë dhe për disa nisma të vogla, por më të prekshme, për të minimizuar sado pak këtë rrezik që i kanoset çdo njeriu që banon në territorin shqiptar?
Këto të dhëna janë mjaft alarmante dhe nevojitet menjëherë një ndërhyrje për përmirësimin e situatës, duke shtuar se plan veprimi për cilësinë e ajrit duhet të ketë vëmendjen e duhur në terma ligjorë institucionalë, programorë dhe financiarë. Prandaj i kërkojmë ministrisë të marrë masat e duhura, sepse detyra e saj është të sigurojë cilësinë e jetës për çdo njeri.
[1] Fletorja Zyrtare e Republikës së Shqipërisë, 28 Shkurt 2014 – Ligji nr. 7/2014 “Për shpalljen e moratoriumit të gjuetisë në Republikën e Shqipërisë”
(http://www.qbz.gov.al/botime/fletore_zyrtare/2014/PDF-2014/20-2014.pdf )
[2] Video: Moratoriumi i gjuetisë, Koka: Mund të shtyhet dhe për dy vite
(https://www.youtube.com/watch?v=YOfu2e-vwrc)
[3] Video: Qytetet, smog dhe zhurmë
(https://www.youtube.com/watch?v=9WHuBpXq53Y)
[4] Artikull: Objektivat
(http://www.mjedisi.gov.al/al/ministria/misioni-dhe-objektivat/objektivat)
[5] Ligji Nr. 162/2014 “Për mbrojtjen e cilësisë së ajrit në mjedis”
[6] Vendim Nr. 594, datë 10.09.2014 “Për miratimin e Strategjisë Kombëtare për cilësinë e ajrit të mjedisit”