1- Mirëqenia shqiptare fluturon me sukses drejt SHBA-ve
Ministri Klosi ndërmori një udhëtim zyrtar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me rastin e mbajtjes së sesionit të 60-të të Komisionit mbi Statusin e Gruas në OKB. Vizita shërbeu gjithashtu për të bërë disa takime me zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit, ku ndër të tjera u diskutua progresi i qeverisë shqiptare në lidhje me reformat e ndërmarra për rritjen e mirëqenies dhe shtrirjen e mëtejshme të bashkëpunimit me një sërë aktorësh ndërkombëtar. Në të gjitha rastet, ministri e prezantoi Shqipërinë si një histori suksesi, veçanërisht në lidhje me gjitha reformat që MMSR-ja ka ndërmarrë. Mirëpo, pavarësisht kësaj, për secilën çështje të axhendës ekzistojnë një sërë problemesh.
2- Përfaqësimi gjinor
Në fjalën e mbajtur në Komisionit mbi Statusin e Gruas në OKB, ministri e prezantoi Shqipërinë si një model suksesi për respektimin e kuotave gjinore, kryesisht në nivelet e larta të vendimmarrjes. Megjithëse në kabinetin e qeverisë shqiptare janë 8 gra në pozicionin e ministreve, duke përbërë kështu 42 % të tij, në kuvendin e Shqipërisë kjo prani nuk është më shumë se 25%. Për më tepër, të dhënat që mendohet se na ekspozojnë si një vend lider në Europë në lidhje me përfaqësimin gjinor në qeverisjen lokale, në mos qëllimisht të manipuluara, janë të pasakta. Kështu, është e vërtet që sipas Kodit Zgjedhor në listat e kandidimit për këshillat bashkiake në zgjedhjet e 2015-tës gratë dhe burrat ishin të përfaqësuar 50% me 50%, megjithatë ka një dallim mes kandidimit dhe produktit politik. Deformimi i kuotës gjinore të shpallur dhe përfaqësimi real gjinor është cilësuar prej vitesh si problem në raportet e OSBE- ODHIR për vlerësimin e standardeve zgjedhore në Shqipëri[1]. Kështu, zgjedhjet e fundit lokale të 2015-tës prodhuan vetëm 2 bashki me përfaqësim të barabartë mes grave dhe burrave në këshillat bashkiakë, kurse të tjerat vazhdojnë të kenë një hendek të madh gjinor, duke penalizuar gratë[2]. Paçka përfaqësimit të pamjaftueshëm të grave në nivele të larta të vendimmarrjes, ajo që mbetet vërtet shqetësuese është gjendja e përgjithshme e grave dhe e vajzave. Shqipëria renditet në vendin e 70-të nga 109 në raportin e 2015 te World Economic Forum mbi Hendekun Gjinor. Edhe pse është përmirësuar me 13 vende në krahasim me 2014-tën, ajo konsiderohet si vendi që ka pasur progresin më të vogël në rajon në 10 vitet e fundit[3]. Shqipëria renditet ndër 10 vendet që performojnë më dobët në botë në lidhje me hendekun gjinor në shëndetësi dhe nen indeksin e mbijetesës[4]. Për më tepër, dhuna me bazë gjinore dhe vrasjet e grave si pasojë e dhunës në familje vazhdojnë në nivele të larta. Një në dy gra në Shqipëri përjeton dhunën në familje.
3- Reforma e Pensioneve
Një tjetër model suksesi i prezantuar nga ministri Klosi ka qenë reforma e pensioneve e ndërmarrë nga qeveria shqiptare në vitin 2014. Përveç faktit që reforma është realizuar si një domosdoshmëri e kohës, duke qenë se skema e mëparshme të pensioneve ishte konsideruar përveçse e padrejtë, tërësisht jo efikase, sipas ekspertëve të qeverisë skema aktuale e pensioneve është edhe modeli më i mirë i reformimit të skemave të pensioneve në gjithë rajonin. Në fakt, reformat e një natyre si ajo e pensioneve, që e tejkalon natyrën strukturore të reformave të përgjithshme, mund të konsiderohen të suksesshme apo të dështuara në një kohë shumë më të largët, rreth 20-30 vjet më vonë nga faza fillestare e implementimit dhe indikatorët e kontrollit vetëm një vit mbas futjes së skemës së re në zbatim nuk tregojnë shumë për situatën reale pas reformës. Megjithatë, ministri Klosi ka deklaruar se analiza e indikatorëve të deritanishëm tregon se kjo reformë është shembull për gjithë rajonin. Ndër indikatorët e vlerësuar është ulja e deficitit mes kontribuuesve dhe përfituesve të skemës, që konsiderohet edhe si arritja më e madhe e reformës. Në fakt, nëse mbahet parasysh fushata agresive e ndërmarrë nga Ministria e Financave, veçanërisht nga drejtoritë tatimore në vend me qëllim luftën ndaj informalitetit në punë dhe deklarimit të punonjësve në organin tatimor, duket se më shumë se fryt i reformës, rritja e numrit të kontribuuesve është përmirësuar nga një aksion ad-hoc qeveritar, i cili mund t’i ketë rezultatet jo afatgjata.
Probleme të tjera, që kanë të bëjnë me reformën, lidhen me atë pjesë të konsiderueshme të popullsisë, e cila do të preket negativisht nga skema e re e pensioneve – shkelje kjo e parimeve të drejtësisë sociale dhe asaj morale. Ata që penalizohen janë kontribuues që përgjatë viteve kanë paguar sigurimet shoqërore në bazë të pagës minimale. Duke qenë se ligji i vjetër i pensioneve e llogariste skemën e kontributeve mbi pagën bruto, kurse skema aktuale e llogarit kontributin mbi pagën neto, kjo kategori do të marrë më pak para se pjesa tjetër e shoqërisë përgjatë gjithë jetës së tyre, para dhe mbas ciklit të punës. Duke konsideruar se kjo është edhe pjesa me të ardhurat më të ulëta të popullsisë, edhe pse përgjatë viteve pensioni i tyre do të rritet gradualisht sipas parashikimeve të skemës, ata do të mbeten pjesa e shoqërisë që do të vazhdojë të ketë të ardhurat më të ulëta (nga pensioni) në shoqëri. Kurse nga ana tjetër, edhe ata njerëz që përgjatë jetës kanë punuar shumë, kanë pasur paga të larta dhe në total paguajnë më shumë nga sa do të përfitojnë pension, konsiderohen nga ekspertët e majtë të qeverisë si solidarë. Për ta, kjo dukuri shihet si diçka e natyrshme! Pra skema në fjalë nuk parashikon të pajtojë të dy situatat e mësipërme në mënyrë që të zbusë sado pak pabarazinë sociale dhe atë morale, por mjaftohet me pretendimin se kjo është një skemë më e mirë sesa ajo pararendëse, që po e çonte sistemin drejt falimentimit.
Së fundi, ndërkohë që ekspertët e ministrisë argumentojnë si arritjen më të lartë të skemës së pensioneve rritjen reale të pensioneve krahasuar me ato të reformës pararendëse, duhet theksuar se rritja e pensioneve në kohën kur shoqërohet me rritjen graduale të moshës së daljes në pension (67 vjeç për burrat dhe 65 vjeç për gratë), në kushte dhe standarde pune të pa përshtatmë dhe larg parametrave europiane, është e debatueshme nëse e gjithë kjo përkthehet realisht në rritje të mirëqenies së individit në cilëndo fazë të jetës së tij apo jo.
Si përfundim, edhe pse është detyrë e ministrit të prezantojë brenda dhe jashtë vendit arritjet e politikave të ndryshme socio-ekonomike që ndërmerren në Shqipëri, do të ishte më me vend dhe serioze nëse këto deklarime do të shoqëroheshin me raporte progresi (afatshkurtër/ afatmesëm) mbi secilën politikë/reformë të ndërmarrë. Duket jo shumë shpresëdhënëse e ardhmja e shkurtër e aktivitetit të ministrisë, e cila nga një anë trumbeton me të madhe përtej oqeanit suksesin në lidhje me rritjen e mirëqenies sociale, sidomos në lidhje me grupet më të prekshme të shoqërisë, por nga ana tjetër edhe pse pretendon të ketë një rritje të buxhetit nominalisht me 4.3 % në krahasim me vitin 2015, në fakt nuk ka asnjë ndryshim në buxhetin e 2016-tës në raport me PBB-në. Kështu, projekt buxheti i MMSR-së për vitin 2016 është 27.63%, apo në vlerë absolute 73.7 mld. lekë. E shprehur në raport me PBB kjo vlerë është 4.81%, e njëjtë po të krahasohet me raportin e vitit 2015 që ishte 4.82%[5]. Nëse do ndiqet parimi se reformat e mëdha kërkojnë shumë të ardhura, atëherë është e vështirë të priten ndryshime të mëdha prej ministrisë për vitin 2016.
[1] Për më tepër, shih këtu : http://www.osce.org/odihr/elections/albania/153461?doënload=true
[2] http://www.shekulli.com.al/m/post.php?id=326416#sthash.Sn5aTaO8.dpbs
[3]http://www3.ëeforum.org/docs/GGGR2015/cover.pdf
[4] Po aty, fq 17
[5]MONITORIMI I PROJEKT BUXHETIT https://www.osfa.al/sites/default/files/osfa_monitorimi_i_projekt-buxhetit_2016.pdf