A.P.P.A.A.P.P.A.A.P.P.A.A.P.P.A.
  • KREU
  • BLOG
  • APPA
  • EKIPI

    Raport Mars 2016 – Ministria e Kulturës

    B. Llalla

    B. Llalla

    1- Kultura e koncesionit dhe trashëgimia

    Prirja e qeverisë dhe e politikave aktuale që ka shqetësuar shumëkënd në shoqërinë shqiptare, mbetet aksioni “koncesion”, një kulturë politiko-ekonomike mbisunduese në vitet e fundit. Kësaj mode nuk mundi t’i shpëtonte as Ministria e Kulturës, që erdhi në qendër të vëmendjes së opinionit publik nëpërmjet një urdhri, sipas të cilit do të jepen me koncesion, ose në artikulimin e moderuar “do menaxhohen së bashku me partnerët publikë e privatë”, monumentet e kulturës në Shqipëri, në administrim të MK dhe institucioneve të varësisë.

    Ajo që mësuam menjëherë pas publikimit të këtij lajmi[1] ishte se ky urdhër ishte firmosur nga ministrja e Kulturës që në muajin tetor të vitit 2015 dhe publikimi i tij në fletoren zyrtare u bë vetëm në datën 17 mars 2016.

    Së pari, këtu kemi një shkelje të të drejtës së informimit publik nga ana e institucioneve shqiptare, pasi urdhri u publikua rreth 5-6 muaj me vonesë. Më tej, shumë specialistë të fushës apo opinionistë të ndryshëm dhe  media kanë kontestuar faktin se për hartimin e këtij vendimi nuk janë konsultuar grupe interesi dhe specialistë të trashëgimisë kulturore. Ndërmarrja e një hapi të këtillë nuk është paraprirë nga transparenca, ndërkohë që formulimi i urdhrit është bërë pa zhvilluar më parë një debat mbi çështjen në fjalë.

    Shqetësimi kryesor lidhet me aftësitë menaxhuese të këtij institucioni të një rëndësie të veçantë për sa u përket pasurive kombëtare dhe ruajtjes e mirëmbajtjes së tyre. Sikurse do të thoshte në të shkuarën ministrja e kulturës gjatë një interviste, “ne nuk kemi prioritete se të gjitha janë prioritet dhe të gjitha i kemi prioritet”,  një frazë që me sa duket përdoret për të justifikuar përpjekjet e institucionit për të dalë nga kornizat e profilit të vet kur është fjala për para dhe bashkëpunëtorë. Ajo të çon natyrshëm në përfundime që vënë në dyshim aftësitë menaxheriale dhe vizionin e liderit të këtij dikasteri, po ashtu sikurse edhe  veprimtaritë e ditëve të sotme, që projektojnë hijen e dyshimit mbi aftësitë bashkëpunuese dhe përgjegjshmërinë e MK-së në realizimin e punës sipas profilit të caktuar.

    Pyetja që të vjen menjëherë ndërmend sapo ndeshesh me lajme të kësaj natyre, është: Sa i domosdoshëm është një urdhër veprimi i kësaj natyre? Çfarë ka bërë efektivisht MK-ja gjatë këtyre viteve për çështjet e trashëgimisë kulturore?[2]A nuk ekzistojnë mundësi apo variante të tjera në funksion të menaxhimit dhe mirëmbajtjes së këtyre aseteve kulturore?

    Menjëherë pas replikave të shumta me të cilat u përball MK-ja pas publikimit të lajmit, ministrja e kulturës reagoi duke raportuar mbi situatën alarmante të monumenteve. Në vend të analizës për nivelin aktual të menaxhimit dhe organizimin e diskutimit publik mbi rrugëzgjidhjet e mundshme, Ministria e Kulturës e gjen me vend të justifikojë paaftësinë e  vet dhe ta drejtojë vëmendjen nga privati, ndërkohë që  përmes trajtimit të çështjes nga ana e medias është artikuluar qartë dyshimi nëse mund ta përballojë këtë detyrë delikate privati, i cili në plan të parë ka interesin për përfitime dhe reflekton një sens përgjegjësie  gjithnjë në pikëpyetje?![3]

    Sa punoi ky dikaster për përmirësimin e politikave, planeve të menaxhimit dhe koordinimit të punëve me institucionet e vartësisë? A mund të flitet për fuqizimin dhe rritjen e kapaciteteve të specialistëve të fushës si pjesë e punës me një perspektivë të qartë? A i ka shfrytëzuar ky dikaster kapacitetet aktuale të nëpunësve, partneriteteve dhe ekspertëve, a ka qenë ai bashkëpunues dhe i hapur me individë, specialistë, ekspertë, nëpunës për t’u konsultuar, për të vjelë ide, opinione mendime dhe t’i verë në funksion të hartimit të programeve apo strategjive të punën? A ka ky dikaster një strategji të mirëfilltë për ruajtjen dhe trajtimin e traditës kulturore, pjesë e së cilës janë edhe monumentet? A e njeh detyrimin për transparencë dhe respektimin e ligjit me anë të të cilit operon çdo ditë?[4]

    Është me vend të theksojmë se vendi ynë ka nevojë për kualifikimin e mëtejshëm të individëve në aspektin e menaxhimit të objekteve të artit e kulturës, të strukturojë tregun e restaurimeve, të verifikojë në mënyrë sistematike nivelin e ekspertizës së kompanive restauratore, të përmirësojë mekanizmat e kontrollit shtetëror mbi sektorin privat si faktorë me peshë në rritjen e aftësive menaxheriale dhe hartimin e platformave  solide në të ardhmen. Ndërkaq, përveç dhënies me qera nga 5 deri në 20 vjet (aspekti financiar i urdhrit), ky vendim i ministrisë nuk specifikon se cilat monumente kanë nevojë për restaurim, apo se çfarë lloj biznesesh mund t’i marrë ato me qira.[5]

    Në daljen publike për një deklaratë shtypi, Ministrja e Kulturës thotë se janë mbështetur në modelet të ri jetësimit dhe përdorimit të monumenteve të kulturës në Europë, edhe pse me ironi, pohohet se ligji për trashëgiminë nuk e lejon “udhëzimin” të bëhet plotësisht funksional paçka se në disa hapësira duket se e favorizon të ashtuquajturin partneritet publik privat. Në ndihmë të këtyre “garancive” do të ngrihet edhe një Komision i Posaçëm për Menaxhimin e Pasurive Kulturore, “që s’është aspak detyrim ligjor, por vullnet i ministrit të sotëm është edhe provë përgjegjshmërie, me të cilën ne e trajtojnë këtë çështje”.

    Ajo që dimë me siguri është se autoriteti më i lartë për të vendosur dhe për të thënë fjalën e fundit në çdo vendim dhe në aspektin ligjor në çështjet e kulturës dhe trashëgimisë, mbetet vetë titullari me i lartë i institucionit të kulturës, pra Ministri që e drejton, sikurse parashikon edhe urdhri në fjalë, edhe se kujt do t’i jepet e drejta e përdorimit të aseteve kulturore kombëtare me ose pa vendim komisioni.

    [1]Faqja Zyrtare e MK http://www.kultura.gov.al/al/newsroom/deklarata-per-shtyp/per-udhezimin-e-mk-per-dhenien-me-qira-dhe-menyren-e-administrimit-te-monumenteve-te-kultures-me-qellim-rijetezimi&page=1

    [2]Gazeta Shqip
    http://www.gazeta-shqip.com/lajme/2016/03/25/ministria-e-kultures-dorezohet-nuk-i-mbajme-dot-monumentet/

     

    [3]Vizion Plus Tv
    http://vizionplus.al/edhe-monumentet-tek-privati/

    [4]Gazeta Panorama
    http://www.panorama.com.al/ska-koncesion-per-kalate-buxheti-smjafton-per-tu-kujdesur/

    [5]Gazeta Sot
    http://sot.com.al/politike/t%C3%AB-gjith%C3%AB-pasurit%C3%AB-e-shtetit-me-koncesion-qeveria-i-kalon-miliarda-lek%C3%AB-privatit-p%C3%ABr

    Ndaje raportin me miqtë në: Share on Facebook
    Facebook
    Tweet about this on Twitter
    Twitter
    Share on LinkedIn
    Linkedin

    Related

    Arkiva

    Buletinët 2015 - 2016 (sipas muajve)

    Buletinët 2015 - 2016 (sipas ministrive)

    Partnerët

    *Faktet, analizat dhe qëndrimet e
    publikuara nga APPA, nuk shprehin opinionin e partnerëve tanë.

    Fridrih Ebert Foundation
    KLSH



    Rruga Ismail Qemali (Ish Blloku)
    Pallati 34/1, H 4, Kati 2 Ap 6,
    Tiranë, Shqipëri



    +355 67 27 27 555



    info@appa.al

    >Facebook
    >Twitter
    >LinkedIn

    • KREU
    • BLOG
    • APPA
    • EKIPI
    A.P.P.A.