![Elena Pici](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2015/02/Elena-300x300.jpg)
Elena Pici
Muaji mars gjeti në detyrë Ministrin e ri të Financave, z. Arben Ahmetaj[1], të cilit i urojmë suksese në detyrën e re, sidomos në një situatë ku stabiliteti makro-ekonomik është sfiduar nga problematika te reja, që do të trajtohen më poshtë në këtë raport.
1- Rreziku i deflacionit – çfarë duhet të marrim në konsideratë[2]
Debati publik për financat gjatë muajit mars është përqendruar tek situata e rënies së çmimeve në vend, të cilën guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, e pranoi si një situatë dezinflacioniste, por theksoi se nuk jemi në deflacion (pra nuk kemi arritur në vlera negative). Pavarësisht termit, ne (sikurse shumë ekspertë të tjerë të ekonomisë[3]) gjykojmë se kjo është një situatë për t’u mos anashkaluar me argumentin se ‘është e përkohshme dhe jo e rrezikshme’. Është e rëndësishme të trajtohen shkaqet dhe pasojat e deflacionit dhe masat që Banka e Shqipërisë duhet të marrë në bashkëpunim me qeverinë.
Në muajin shkurt inflacioni pësoi rënien më të madhe të 13 viteve të fundit në vlerën 0.2%. Banka e Shqipërisë e argumentoi situatën bazuar në faktorët e huaj që ndikojnë në ekonomi, si p.sh. rënia në nivel botëror e çmimit të naftës (rënie 8% në bursat europiane) apo rënia e çmimeve të mallrave të konsumit nga importi (që edhe në Shqipëri do të kishin rënë po mos të ishte për përmbytjet e fundvitit që rritën çmimet e fruta-perimeve[4]). Sigurisht, që këta faktorë ndikojnë, pasi e gjithë zona ekonomike europiane po i druhet situatës deflacioniste[5]. Megjithatë, situata nuk duket të jetë aspak e përkohshme dhe për këtë duhet kuptuar roli negativ që ka deflacioni.
Është e vështirë nga shumë të kuptohet se deflacioni, megjithëse nënkupton një ulje të çmimeve dhe një vlerësim të monedhës, është në fakt një situatë jo favorizuese për ekonominë. Përjashtim bëjnë rastet kur ulja e çmimeve vjen si pasojë e rritjes së produktivitetit në prodhim, i cili mund të jetë rezultat i përdorimit të teknologjive të reja, pra çmimet ulen pa prekur të ardhurat për konsum. Ky nuk duket të jetë rasti i Shqipërisë (dhe as i Europës në fakt) ku situata dezinflacioniste është rezultat i tkurrjes së konsumit dhe i kapaciteteve të papërdorura në ekonomi, që nënkupton rritje ekonomike nën potencial.
Rënia e nivelit të inflacionit ka nisur që me vitin 2010. Periudha të gjata dezinflacioni shkaktojnë stagnim ekonomik dhe rritje të papunësisë, si pasojë e uljes së konsumit dhe rënies së normave të interesit, çka nuk favorizon depozitat bankare. Gjithashtu, rritja e vlerës së parasë rrit dhe vlerën e borxhit të huaj, që ndikon drejtpërdrejtë në buxhet. Në këtë situatë, në skenarin më të mirë të të cilit inflacioni do të shkojë 2%, duket shumë e vështirë që rritja ekonomike të jetë 3.4% sipas parashikimeve të fundit të FMN-së[6] pas takimeve 2 javore në Tiranë.
Në mënyrë që kjo të bëhet e realizueshme ne sugjerojmë që përtej politikave ekspansioniste te Bankën Qendrore (pra rritjes së ofertës së parasë), qeveria duhet të fokusohet tek riorganizimi ekonomik për të nxitur nivelet e punësueshmërisë dhe rikonsiderimi i sistemit të taksave. Ndonëse në 2016-n nuk pritet të ketë ndryshime të mëdha në taksat direkte – pas rritjes dy vjet radhazi të tatimfitimit, tatimit mbi të ardhurat personale, taksës së qarkullimit dhe akcizës së disa produkteve – bizneset do të përballen me kostot e taksave e tarifave indirekte[7]. Situata mund të ishte ndryshe sikur çmimi i naftës apo i energjisë elektrike të ulej (meqenëse ka dhe dezinflacion) për konsumatorët në Shqipëri po aq sa në Europë (në fakt në Shqipëri ka pësuar vetëm ngritje).
Së fundmi, duhet nxitur shtimi i të ardhurave. Me rënien e remitancave nga emigrantët, burimi kryesor i të ardhurave për familjet janë pagat. Ngrirja e pagave për sektorin publik për 3 vjet nuk favorizon konsumin dhe ul standardin e jetesës. Kjo duhet shoqëruar dhe me politika punësimi, të cilat në të njëjtën kohë japin dhe shpresë për personat që vazhdojnë të emigrojnë, të cilët kanë pasur një farë ndikimi në uljen e konsumit dhe mosqarkullimin e parasë.
2- Problemi i radhës? – realizimi i shpenzimet kapitale
Në një kohë që viti i kaluar u karakterizua nga mosarritje të vazhdueshme të planit për të ardhurat buxhetore, bilanci i treguesve paraprakë fiskalë për dy-mujorin e parë të vitit 2016[8] (publikuar me vonesë nga Ministria e Financave) karakterizohet nga një situatë e anasjelltë. Mbledhja e të ardhurave për këtë periudhë ka realizuar plotësisht planin, madje për disa tatime të caktuara si p.sh. Tatimi mbi Fitimin janë realizuar mbi masën 100% (kjo ndoshta edhe për shkak të bazës së ulët të krahasimit[9] me vitin më parë). Problemi i radhës është në fakt mosrealizimi i shpenzimeve kapitale, ku bëjnë pjesë të gjithë investimet publike, të cilat ishin 2 herë më të ulëta se ato të një viti më parë. Për rrjedhojë, buxheti i shtetit përgjatë 2 mujorit të parë të vitit rezultoi me një suficit (tepricë) prej rreth 9.9 miliardë lekësh.
Pavarësisht se termi suficit mund të përngjajë pozitiv, kjo është një situatë në të cilën qeveria nuk mund të ketë luksin të mbajë para të pashpenzuara në buxhet[10]. Kjo sepse shpenzimet korrekte (pra ato për paga, pensione dhe interesa borxhi) janë realizuar, ndërkohë që mosrealizimi qëndron tek shpenzimet për investime, të cilat janë ato që në fakt i japin shtysë zhvillimit ekonomik. Kjo situatë kërkon angazhimin e qeverisë për realizimin e investimeve publike, të cilat do të lehtësonin dezinflacionin (trajtuar në temën paraardhëse), do të shmangnin shpërdorimin e suficit buxhetor për projekte të nxituara gjatë muajve të fundit të vitit (skenar që fatkeqësisht ndodh rëndom) dhe do të favorizonin rigjallërimin e ekonomisë.
[1]Për më shumë, referojuni raportit të muajit Shkurt, APPA!
[2]Institucioni kryesor përgjegjës për stabilitetin e cmimeve është Banka e Shqipërisë, por kjo temë po trajtohet në këtë raport pasi shkaqet dhe masat që duhen marrë janë ndër-institucionale
[3]Angjeli, A. Mars 2016. http://www.panorama.com.al/deflacion/
[4]Mapo.al. Mars 2016. http://www.mapo.al/2016/03/te-dhenat-e-bsh-pa-permbytjet-do-kishim-deflacion-qe-ne-2015-n
[5]The Economist. Janar 2016. http://www.economist.com/blogs/economist-explains/2015/01/economist-explains-4
[6] Exit.al. Mars 2016. http://exit.al/2016/03/22/konkluzionet-e-misionit-te-fmn-se-pikat-kryesore/
[7]Për më shumë referojuni: Liperi, O. Revista Monitor. Janar 2016. http://www.monitor.al/taksat-e-fshehta-shumefishojne-barren-e-re-fiskale/
[8]Ministria e Financave. Mars 2016. http://www.financa.gov.al/al/njoftime/lajme/treguesit-fiskale-paraprake-te-buxhetit-te-konsoliduar-per-2-mujorin&page=1
[9]Erebara, Gj. Mars 2016. http://www.reporter.al/problemi-i-ri-i-qeverise-shpenzimi-i-pakte-i-parave-te-buxhetit/
[10]Tomorri, K. Mars 2016. https://www.facebook.com/klodian.tomorri?fref=ts