
M.Tringaj
1- Fondi SARED, një lajm i mirë për agrofinanicimin
Paratë nuk mund të blejnë lumturinë, por mund të blejnë traktorë dhe kjo për fermerët pothuajse është e njëjta gjë. Bujqësia punëson 50% të fuqisë punëtore, por përfiton vetëm 4% nga totali i financimeve ndërsa kontribuon në vetëm 18% të PBB[1], shumë herë më pak se potenciali i saj real. Financimi i saj i vazhdueshëm është thelbësor për të përmirësuar rezultatet dhe konkurueshmërinë në sferën e produkteve bujqësore primare, veçanërisht në zonat rurale. Investimet në teknologji, në stabilimente agro-përpunuese dhe në marketingun e produkteve bujqësore kërkojnë shuma të konsiderueshme parash.
Duket se lajme të mira vijnë nga MBZHUA. Programi gjermano-danez “Mbështetje për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural në zonat e pa favorizuara në Shqipëri“ – SARED, zbatuar nga GIZ, garanton një fond prej 6.500.000 Euro për fermerët shqiptarë. Për investimet në nivel ferme, shuma totale e investimeve që duhet të aplikohet është nga 400.000 lekë deri në 3.500.000 lekë. Granti mbulon 75% të investimit. Për investimet jashtë ferme (për grumbulluesit dhe agro-përpunuesit) shuma totale e investimeve që duhet të aplikohet është nga 700.000 Lekë deri në 10.000.000 Lekë, dhe këtu granti mbulon sërish 75% të investimit.
Afati i aplikimit është nga 14 marsi deri më 30 qershor 2016 dhe përfshin fermerët e agropërpunuesit në gjashtë qarqe: Shkodër, Kukës, Dibër, Korçë, Elbasan dhe Berat. Mbështetja e skemës së grantit SARED do të ofrohet vetëm në tre drejtime kryesore: mbarështimi i blegtorisë së imët (për prodhimin e qumështit dhe të mishit), pemët frutore dhe arrorët, bimët aromatike dhe mjekësore. Në vitin 2015, nga ky grant përfituan vetëm 21 fermerë. Vlera totale e shpërndare ishte diku tek 277.218 Euro, rreth 4.3 % e fondit total prej 6.500.000 Euro, që pritet të lëvrohet deri në vitin 2018. Duket se fushata sensibilizuese drejtuar fermerëve në të gjithë vendin, që të aplikojnë për të përfituar nga fondi SARED në mbështetje të zhvillimit rural, ishte veç një faktor që ndikoi në realizimin në nivele tepër të ulëta të ofertës financiare tek fermerët në vitin 2015[2].
Detyrimi për të informuar dhe mbështetur fermerët dhe agropërpunuesit në aplikimin e tyre, duket se nuk është prioritet për MBZHRAU. Nëse tenton të telefonosh në numrin zyrtar të kësaj ministrie dhe konkretisht të koordinatorit për të drejtën e informimit, do të kesh mundësinë vetëm të dëgjosh në sfond një muzikë klasike dhe më pas linja mbyllet. Dhe nëse përdor detajet e kontaktit të MBZHUAU, të përfshira në broshurat informuese të projektit SARED, mos prisni as këtu që dikush t`ju përgjigjet. Asnjë përgjigje me e-mail nuk të kthehet, gjithashtu. Por nëse tenton të kontaktosh GIZ Albania, zbatuesin e këtij programi, suporti dhe asistenca është maksimale. Dhe ky përbën një lajm të mirë për gjithë të interesuarit te cilët do të kenë lehtësi burokratike gjatë aplikimeve të tyre, falë GIZ Albania.
2- Nevojë për transparencë, informacion dhe mbështetje
Gjatë një takimi në përvjetorin e Projektit AgroKapital, projekt në mbështetje të financimit të fermerëve dhe agrobizneseve shqiptare financuar nga USAID, ambasadori i SHBA u shpreh se ka ende shumë biznese që kanë nevojë për më shumë akses në kapital që të rriten dhe se nevojiten reforma ligjore për ta bërë sektorin kredidhënës më transparent[3]. Transparenca dhe informacioni shpesh kthehen në pengesat kryesore që fermerët të ndihen pjesë e suksesit të projekteve të financimeve në vend.
Bujqësia shqiptare, përveçse iniciativave financiare të qeverisë dhe partnerëve të huaj, kërkon mbështetje të vazhdueshme zinxhir në nivel rajonal e atë qendror. Aplikimi i teknologjive bashkëkohore, nisma e studimeve të mirëfillta shkencore janë ende sfida që duhet të kthehen në domosdoshmëri. Strukturat këshilluese dhe informuese të institucioneve përgjegjëse thuajse nuk ekzistojnë, çka rezulton në një ngurtësim të marrëdhënieve direkte me fermerët. Sektori financiar bankar shpesh e sheh me risk dhënien e kredive për sektorin bujqësor. Ndërkohë është e domosdoshme që qeveria të sigurojë një fond garant për bankat. Ky financim pritet të premtohet nga qeveria.
Tashmë, pas 25 vitesh që nga fillimi i viteve ’90, gjithkush e njeh burokracinë zvarritëse te institucioneve publike dhe vështirësinë për të marrë informacione dhe të asistohesh nga punonjës të shërbimit publik, që paguhen prej taksave të qytetarëve. Në një epoke ku dixhitalizimi, teknologjia e avancuar, informacioni i shpejtë janë kthyer në kryefjalën e ditës, zonat rurale dhe ato malore përcjellin një realitet mesjetar. Fakti që infrastruktura ekzistuese minon lulëzimin e agrobizneseve, të bën të kuptosh se sektori që punëson gjysmën e shqiptarëve ka ende rrugë të gjatë deri në transformimin e tij të plotë e rrënjësor si kontribuues vital i ekonomisë shqiptare.
3- Me sytë nga qielli
Ndonëse e begatuar me pasuri të shumta, në Shqipëri pasojat e fatkeqësive natyrore thellohen për shkak të ndërtimeve pa kriter në zona të palejueshme, degradimit të pyjeve, shfrytëzimit të tokës dhe të pasurive natyrore që parandalojnë erozionin e tokës si dhe dëmtimit masiv të sistemit të kullimit të tokave, që ka sjellë një situatë përmbytjesh të përvitshme. Me një rrjet hidrografik me gjatësi 49.027 km dhe me një sipërfaqe të pellgut ujëmbledhës 43.306 km4, do duhej të ishim krenar për pasurinë tonë natyrore. Por vepra e shëmtuar e shkatërrimit të rrjetit ujitës dhe kullues ka sjellë mospërdorimin në mënyrë eficiente të këtij burimi të vlefshëm, duke shkaktuar përmbytjet e rajoneve të tëra bujqësore si në jug ashtu dhe në veri. Është fakt ironik, që në zonat rurale udhëtohet larg për të siguruar ujin e pijshëm apo për kullim dhe transporti detyrimisht kryhet me kafshë shtëpiake.
Drejtoria e Emergjencave Civile, në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare, llogarit një kosto prej 35 milionë eurosh në vit që i krijohet vendit nga fatkeqësitë natyrore pa llogaritur kostot sociale[4]. Hartimi dhe miratimi i një ligji, nëpërmjet të cilit të bëhet sigurimi i detyrueshëm për fatkeqësitë natyrore, duhet të realizohet në bashkëpunim të ngushtë me qeverinë. Krijimi i një fondi të posaçëm si një e ardhur për kompanitë e siguracioneve, mund të jetë një rrugëzgjidhje për kompensimin në kohë reale të dëmeve që krijohen nga përmbytjet[5].
E listuar nga Banka Botërore si një nga vendet më të rrezikuara nga fatkeqësitë natyrore, Shqipëria ende nuk ka një platformë kombëtare të mbrojtjes nga ndryshimet e klimës apo katastrofat natyrore. Ky realitet vjen më i hidhur, pas zhgënjimit se investime serioze nuk janë kryer për parandalimin e fatkeqësive natyrore të përvitshme. Disa investime të pakta e në prag fushatash elektorale nuk janë vepra te mirëfillta dhe të qëndrueshme për të shmangur përmbytjet dhe për të zhvilluar bujqësinë shqiptare. Ajo çka përbën lajm të mirë është fillimi i projektit të kullimit gjatë këtij viti me fondin prej 25 miliardë lekësh, që pritet të konsolidohet në vitet që vijnë deri në plotësimin tërësor të rrjetit. Duke shpresuar në përfundimin e projektit, le të lutemi dhe të shpresojmë, duke mbajtur sytë nga qielli, për mëshirë!
[1]AgroKapital një program për mbështetjen e financimit të agrobiznesit
http://cbs.al/index.php?id=19
[2]Udhëzuesi për Aplikantët
http://www.bujqesia.gov.al/files/pages_files/15-04-17-09-37-19Udhezuesi_per_Aplikantet.pdf
[3] Lajme të Mira për Agrofinancimin
http://agroweb.org/?id=10&l=906&ln=sq&url=lajme-te-mira-per-agrofinancimin
[4]“PASURITË NATYRORE”
[5]Fatura e përmbytjeve: 35 milion euro humbje çdo vit
http://www.mapo.al/2016/01/fatura-e-permbytjeve-35-milion-euro-humbje-cdo-vit