![R. Xhemollari](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2016/03/R.-Xhemollari-300x300.jpg)
R. Xhemollari
1- Zgjedhjet në universitete, reflektim i mentalitetit politik!
MAS miratoi në datën 15 mars 2016 rregulloren “Për organizimin e zgjedhjeve të para për autoritetet dhe organet drejtuese në institucionet publike të arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë” si dhe Urdhrin Nr. 110 “Për fillimin e procesit zgjedhor dhe datën 20 Prill, për zhvillimin e zgjedhjeve për autoritetet dhe organet drejtuese në institucionet publike të arsimit të lartë”[1].
E parë në planin e institucioneve akademike, këto zgjedhje nuk pritet të sjellin ndryshime për sa i takon mentalitetit të sjelljes së rivalëve, të cilët kanë filluar të përdorin të gjitha mjetet dhe format që përdorën rivalët politike në zgjedhjet lokale dhe qendrore duke u konsideruar armiq dhe jo bashkëgarues. Pasojë e ligjit të ri për arsimin e lartë është dhe lënia në hije e studentëve, të cilët kanë 10% të peshës së vendimmarrjes në këto votime dhe janë më pak të rëndësishëm se sekretaret.
Sa i takon rolit rregullator dhe mbikëqyrës të procesit, Ministria e Arsimit dhe e Sportit nuk i kushtoi rëndësi këtyre zgjedhjeve jo vetëm duke nxjerrë në minutën e fundit rregulloren, por edhe duke e kaluar ngjarjen në mungesë të plotë vëmendjeje. Procesi do t’i jepej një dimension publik nëse KQZ do ta administronte procesin zgjedhor, si i vetmi institucion shtetëror që punon me zgjedhjet në Shqipëri.
Gjithashtu, duke iu referuar modeleve perëndimore, fushatat e kandidatëve mund të pasqyroheshin në një faqe online të ministrisë për të mundësuar përplasjen e ideve, të programeve dhe inkurajimin e debateve pozitive.
2- Testohen mësuesit, të parët në dhunë, të fundit në dije.
Në kuadër të reformës në arsimin parauniversitar, MAS publikoi Raportin Kombëtar të Identifikimit të Nevojave për Trajnimin e Mësuesve dhe të Drejtuesve[2].
Ky raport nxori në pah shifra të errëta për sa i takon formimit të mësuesve, ku veçojmë:
- 42% e mësuesve i shpjegojnë vetvetes pasi kanë probleme në testin “Mësimdhënia dhe të nxënit”
- 52% e mësuesve çalojnë në etikë dhe komunikim me nxënësit dhe prindërit.
Duke iu referuar shifrave të mësipërme në rang republike, shkolla ka humbur dy qëllimet e saj kryesore që janë edukimi dhe mësimdhënia.
Jo më kot rasti i dhunës ku mësuesja rrihte nxënësit u shfaq në Dibër, pasi ky është edhe qyteti, ku mësuesit kanë dalë më dobët në testin e etikës dhe komunikimit. [3]I ngjashëm ishte edhe rasti i Fierit, ku nëndrejtoresha kapi për flokësh drejtoreshën në sy të nxënësve.[4]
Ministrja e Arsimit znj. Nikolla këtë herë, ndryshe nga testimi i nxënësve, i kërkoi falje prindërve të 500.000 nxënësve si dhe pezulloi 51 agjencitë, të cilat pajisnin deri më tani me kredite mësuesit. [5]
Gjithsesi nuk mjafton vetëm kaq për të luftuar dukurinë në fjalë, por nevojitet përmirësim i procesit të rekrutimit të mësuesve, i trajnimit dhe certifikimit të tyre dhe mbajtja larg kthetrave të përfaqësuesve politikë, pasi sistemi arsimor nuk mund të jetë tortë elektorale. Sa u përket rasteve të dhunës të shfaqura në shkolla muajin e fundit, duhet rritur prania dhe roli i bashkëpunimit me psikologun, i cili parashihet të mbulojë 3 shkolla dhe një shkollë ka minimalisht 1500 nxënës, si dhe roli i policimit në shkolla, pasi prezenca dhe njoftimi i uniformave që mbulojnë territorin e shkollës mund të ndihmojë në mënyrë efikase në zbulimin dhe parandalimin e rasteve të njëpasnjëshme të dhunës.
3- Ministrja e Arsimit harron Sportin!
Nga muaji nëntor 2015 Ministrja e Arsimit znj. Nikolla nuk ka marrë pjesë në asnjë aktivitet sportiv. Ajo nuk ka promovuar dhe nuk ka folur publikisht për sportin që nga data 3 nëntor. [6]
Znj. Nikolla dhe institucioni që drejton është njëlloj përgjegjës për të dyja fushat që mbulon, fusha të lidhura ngushtësisht me njëra-tjetrën. Në misionin e saj kjo ministri duhet të promovojë Federatën e Sportit shkollor dhe universitar, projektet që lidhen me edukimin sportiv në shkolla dhe kulturën e sportit në institucionet e edukimit.
[1]http://www.arsimi.gov.al/al/newsroom/njoftime/rregullore-per-organizimin-e-zgjedhjeve-te-para-per-autoritetet-dhe-organet-drejtuese-ne-institucionet-publike-te-arsimit-te-larte-ne-republiken-e-shqiperise
[2]http://www.izha.edu.al/wp-content/uploads/2016/03/Raporti-IDENTIFIKIMI-I-NEVOJAVE-PER-TRAJNIM.pdf
[3]http://www.shekulli.com.al/p.php?id=406780
[4]http://www.gazeta-shqip.com/lajme/2016/03/11/nendrejtoresha-kap-per-flokesh-drejtoreshen/
[5]http://www.gazetaexpress.com/lajme/nikolla-pezullon-51-agjenci-private-kreditimi-mesuesit-nuk-shkonin-fare-ne-trajnim-180762/?utm_source=website&utm_medium=RA&utm_content=Lindita%20Nikolla,Mesues,Agjenci%20kreditesh&utm_campaign=InsideArticle&past_aid=
[6]http://www.arsimi.gov.al/al/newsroom/lajme/te-shendetshem-me-sport-te-ushqyer-me-art&page=4