1- Situata ekonomiko-tregtare; një realitet, dy qëndrime
Ministria ka qenë jashtëzakonisht aktive gjatë këtij muaji. Mund të thuhet pa frikë se mund të jetë një ndër ministritë më aktive për sa i takon takimeve. Në fakt ministri Ahmetaj ka zhvilluar mbi pesë vizita zyrtare, në të cilat është takuar me homologë apo përfaqësues të lartë të BE-së dhe jo vetëm, me të cilët ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi apo ka ndarë pikëpamje mbi ecurinë e reformave në Shqipëri, ndër të cilat mund të përmenden marrëveshja për nxitjen e tregtisë me Kosovën, e nënshkruar në Tiranë më 23 mars, si dhe ajo me Bullgarinë, me të njëjtin qëllim, e nënshkruar po në kryeqytetin tonë, më 20 mars. Më 11 mars, në një dalje publike, ministri njoftonte se do të faleshin në masën 80% gjobat për mos-pagesën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të bizneseve, për ata që i bëjnë këto pagime brenda një afati të caktuar, duke e paraqitur një nismë të tillë si një formalizim të tregut. Më 3 mars, ministri Ahmetaj nënshkroi me BE-në marrëveshjen COSME, për mbështetjen financiare të SME-ve, për konkurrueshmërinë dhe inovacionin e sipërmarrjeve, që ka të bëjë me një fond prej 2,3 mld eurosh, që vë në dispozicion BE-ja për vendet e ndryshme, dhe nga i cili pritet të përfitojnë edhe sipërmarrjet shqiptare. Në 17 mars ministri Ahmetaj do ta vlerësonte me këto fjalë punën e ministrisë së tij: “Rritja ekonomike në 2014 u arrit falë reformave të ndërmarra nga qeveria në sektorët kyçe. Së bashku me FMN jemi të bindur se duke ruajtur tempin e duhur të reformave strukturore, do të bëjmë të mundur që rritja ekonomike në 2015 të arrijë nivelin e 3%”. Nga e gjithë kjo tablo duket sikur zhvillimi ekonomik, gjendja e bizneseve dhe tregtia në vend po lulëzojnë.
Por një peizazh krejt të ndryshëm paraqesin shifrat nga institucionet zyrtare të statistikave. Për shembull, për sa i takon tregtisë, rezulton se në muajin Janar 2015 eksportet e mallrave arritën vlerën 18 mld lekë, duke u ulur me 0,6 % në krahasim me Janar 2014 dhe 8,0 % në krahasim me Dhjetor 2014. Rënie ka patur edhe në importet e mallrave, ku rezulton së në muajin Janar 2015 ato arritën vlerën 35 mld lekë, duke u ulur me 0,2 % në krahasim me Janar 2014 dhe 35,6 % në krahasim me Dhjetor 2014. Rënia e importeve mund të ketë të bëjë në mënyrë direkte me rënien e fuqisë blerëse. Kështu që rritja e sivjetme ekonomike për të cilën flet ministri, jo domosdoshmërisht mund të ketë ndikuar në fuqinë blerëse të shtresës së mesme dhe të asaj të varfër, apo edhe të vetë shumicës së bizneseve. Defiçiti tregtar i janarit (merret ky muaj si pasojë e studimeve tremestrale), pra diferencave mes eksporteve dhe importeve në vendin tonë, ka qenë 17 mld lekë në favor të importeve, duke u rritur me 0,3 % në krahasim me janarin 2014.
Ndërkohë është vënë re edhe se indeksi i çmimeve vjetore për muajin shkurt, por edhe atë mars ka prekur një rritje përkatësisht prej 2,3 dhe 2,2%. Rritja vjetore e indeksit të çmimevë që varfëron xhepat e taksapaguesve, për sa i takon muajit shkurt 2015 është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +1,88 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” kanë kontribuar vetëm me +0,23 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” kanë kontribuar me +0,12 pikë përqindje.
Po te kemi parasysh, programin e Rilindjes, një ndër “kuajt e betejës elektorale” ka qenë ulja drastike e TVSH-së për ushqimet dhe ilaçet bazë, gjë e cila ka mbetur në kalendat greke, sepse jo vetëm që nuk ka ndodhur, por sikurse cituam më lart, ka qenë pikërisht ky grup që ka ndikuar më tepër në rritjen e çmimeve dhe që sigurisht ka prekur më tepër ekonominë e brishtë të konsumatorëve të varfër në vendin tonë, që nuk janë të pakët.
2- Turizmi, shumë panaire për asgjë
Agjencia Kombëtare e Turizmit (AKT) vetëm duke nisur që nga fillimi i këtij viti, e ka përfaqësuar turizmin shqiptar në të paktën 5 panaire ndërkombëtare, sikurse kanë qenë ato të datave 19-22 shkurt në Pragë, 12-14 shkurt në Milano, 28 janar-1 shkurt në Madrid, 15 janar në Vienë, dhe 4-8 mars në Berlin. Pa harruar panairet e shumtë të vitit 2014, mes të cilëve më i rëndësishmi është ai i Londrës, ku turizmi shqiptar përfaqësohet çdo vit dhe që kap një shifër rreth 100 mijë eurosh për marrjen e hapësirës me qera, arredimin, akomodimin dhe shpenzimet e tjera administrative. Mund të thuhet pa frikë se me këtë ritëm AKT merr pjesë në të paktën 10 panaire ndërkombëtare në vit, me vlera që pas asnjë dyshim mund t’i kalojnë 200 mijë eurot, kur vetëm pjesëmarrja në njërin prej këtyre panaireve kushton rreth 100 mijë euro. Pra nga buxheti vjetor prej rreth 700 milionë lekësh të vjetra që qeveria miratoi sivjet për AKT, duke i shtuar 100 milionë lekë buxhetit të vjetshëm, thuajse gjysmën kjo agjenci e shpenzon për pjesëmarrje në panaire ndërkombëtare turizmi. Në rast se ky do të ishte një investim që do të përkthehej në rritjen e numrit të turistëve që vijnë në Shqipëri, kjo do të ishte fantastike. Por duke qenë se të dhënat e tre-mujorit të tretë të 2014, që janë të dhënat e fundit zyrtare lidhur me ardhjet e turistëve në Shqipëri, flasin për një situatë që zor se e kalon atë të vitit 2012, që ka qenë viti më i mirë turistik në periudhën e qeverisë së kaluar, nuk është e qartë se cila është strategjia dhe vizioni i pjesëmarrjes në të gjitha këto panaire dhe cili është ndikimi i tyre direkt në shtimin e turistëve të huaj në vendin tonë.
Me shifra në dorë, po të krahasohet tremujori i parë i vitit 2013, me atë të 2014-s, pra gjashtë muaj pasi qeveria e re e kishte marrë detyrën, Shqipërinë e kanë vizituar rreth 27,300 turistë perëndimorë më shumë. Po të kihet parasysh se viti 2013 pati rreth 9% rënie të numrit të turistëve në krahasim me vitin pararendës, kjo rritje për 2014-n është me të vërtetë minimale. Duke qenë se turistët afatgjatë në vendin tonë, pra turistët që qëndrojnë më shumë se një javë përbëhen në masën mbi 80% nga turizmi patriotik, pra nga shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë, turistët e tjerë janë kryesisht ditorë dhe sikur të gjithë turistët perëndimorë extra të 2014-s në rastin më ekstrem të kishin shpenzuar shifrën marramëndëse prej 1 mijë eurosh në ditë në vendin tonë në qëndrimin e tyre ditor, nuk do t’i justifikonin dot kurrsesi shpenzimet e ethshme dhe kuturu për panaire ndërkombëtare të AKT-së. Agjencia, që ka një buxhet prej 700 milionë lekësh për 2015-n, bën mirë që këto para t’i përdorë në radhë të parë për të promovuar turizmin shqiptar te vetë shqiptarët, pasi shpenzimet e këtyre të fundit për pushime turistike nëpër destinacione të huaja luksi, është përllogaritur se mund të shkonin sa e gjithë shuma e turizmit patriotik e marrë së bashku. Me një vizion promovimi turistik vetëm me fletushka dhe panaire, apo argëtim operatorësh turistikë të huaj në vendin tonë, është e drejtë të shtrohet pyetja: turizmi shqiptar “quo vadis”?
Referime:
Instat.gov.al
Albania.al
Ekonomia.gov.al