1- Strategjia Shqiptare e Taksimit Rrugor
Një ndër temat më të rëndësishme të këtij muaji në fushën e transportit ka qenë “Strategjia Shqiptare e Taksimit Rrugor”, e cila u konkretizua më datë 13 mars me nënshkrimin e një kontrate konsulence me kompaninë “Egnatia Odos”. Në kuadër të diskutimit të këtij projekti Ministri Edmond Haxhinasto, më 24 mars, mori pjesë në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave për të argumentuar nevojën e miratimit nga Parlamenti të marrëveshjes së “Strategjisë Shqiptare të Taksimit Rrugor”. Qëllimi i këtij projekti, që ka një vlerë prej 149. 117 Eurosh është përcaktimi i segmenteve në të cilët do të vendosen tarifa qarkullimi.
Pse shihet e nevojshme të nënshkruhet një marrëveshje konsulence me kompaninë në fjalë, profili i së cilës fokusohet në aktivitete që lidhen me menaxhimin, supervizimin apo kontrollin e karakteristikave teknike të rrugëve? Ndërkohë ky projekt, që duhet të realizohet brenda 8 muajve, duhet të përfshijë një analizë në nivel politikash apo identifikimin e segmenteve rrugore potencialisht të përshtatshme për aplikimin e taksës rrugore. Çfarë lloj konsulence do mund të japë kompania “Egnatia Odos” për ndërtimin e Strategjisë Shqiptare të Taksimit Rrugor?
Vërtetë jemi në situatën që rrjeti rrugor ka nevoja të mëdha për mirëmbajtje dhe qëllimi i këtij taksimi është gjetja e parave për mirëmbajtjen e tij, por pse kjo barrë duhet të bjerë direkt te qytetarët? Pse duhet paguar për rrugë që janë ndërtuar me taksat e qytetarëve? Aktualisht shqiptarët paguajnë taksë regjistrimi vjetore, taksë qarkullimi 27 lekë për çdo litër karburanti (pa përfshirë këtu Tatimin mbi Vlerën e Shtuar) e tashmë duhet të paguajnë edhe taksë qarkullimi për rrugë pa standarde, ku kalimi në to ndër të tjera mund t’u dëmtojë dhe automjetet. Lind natyrshëm pyetja, a janë kryer kontrollet dhe analizat e duhura teknike për të parë nëse kompanitë që kanë qenë përgjegjëse për ndërtimin e segmenteve të caktuara rrugore kanë arritur të realizojnë punën në cilësinë dhe standardin e duhur? Secili nga ne ka qenë rëndomtë dëshmitar i ndërtimit të një rruge të re dhe daljes së saj jashtë funksioni brenda një periudhe të shkurtër, kjo për shkak të cilësisë së dobët të punimit apo materialeve të përdorura.
Nëse do t’i kushtohej vëmendje kontrollit cilësor të rrugëve në momentin e përfundimit të ndërtimit të tyre, padyshim që dhe kostoja e mirëmbajtjes së tyre do të ishte në shifra shumë herë më të ulëta. Për të mos harruar që jemi në një periudhë kur ekonomia është në rënie dhe varfëria po rritet. A është kryer ndonjë studim për impaktin që do të kenë këto taksime në xhepin e një qytetarti shqiptar? Sa do të ulet mirëqenia?
Ndërkohë që duhen 8 muaj për të realizuar këtë projekt, për Rrugën e Kombit aplikohet një politikë tjetër. Segmenti është shpallur në koncesion dhe flitet që tarifa për mjetet e vogla nuk do të jetë më e vogël se 5 Euro. Përveç kësaj, ministri i Financave ka filluar fushatën për rrugën e Arbrit, pasi edhe ajo do të jepet me konçesion. Ky diferencim sipas ministrit Edmond Haxhinasto ndodh pasi këto segmente kanë nevojë për investime të mëdha kapitale. Rrugët të cilat priten që të bëhen me pagesë do të jenë Rruga e Kombit, rruga Tiranë-Elbasan, për të cilin projekti ka parashikuar edhe toll station (stacion pagese), rruga e Arbrit, bypass-i i Vlorës dhe ai i Fierit. Pra akoma pa filluar mirë ky projekt, kemi të përcaktuar pesë segmente rrugore ku do të aplikohet taksimi. Për çfarë analizash do të shpenzohen 149 117 Euro, kur tashmë janë përcaktuar pesë segmente ku do të aplikohet taksimi? Moria e këtyre pyetjeve përballet me përgjigjen e vetme se nuk po tregohet një qasje e mirë drejt kësaj çështjeje, ku shtimi i barrës për qytetarët shihet si zgjidhja e vetme, në një kohë kur nuk janë konsumuar të gjitha alternativat.
2- Rrugët e vdekjes
Çdo vit përballemi me një numër në rritje të aksidenteve rrugore. Sipas INSTAT-it që nga viti 1995 deri në 2013-ën kanë humbur jetën në aksidentet automobilistike 5769 persona. Një numër që çdo vit po vjen në rritje. Padyshim që nëse i referohemi raporteve të policisë, thuhet që shkaku kryesor ka qenë shpejtësia tej normave të lejuara apo shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor nga ana e drejtuesve të mjeteve. Por shkaqe të tjera shumë të rëndësishme që ndikojnë në këtë numër të lartë aksidentesh janë niveli i sigurisë që ofrojnë rrugët tona, cilësia dhe mungesa e sinjalistikës.
Legjislacioni dhe Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë përcakton mjaft mirë kategoritë e rrugëve, standarded dhe parametrat përkatëse që duhet të kenë apo mënyrën sesi duhen menaxhuar. Por për arsye sociale apo zgjidhje të momentit në terren, konstatohen projekte në zbatim që lihen përgjysmë dhe shfrytëzimi i rrugëve fillon pa përfunduar ndërtimi i tyre.
Vetëm në muajin mars kanë ndodhur 11 aksidente rrugore, ku 5 prej tyre kanë ndodhur në akse rrugore që konsiderohen pika të zeza (sipas një studimi të vitit 2011 ku janë përcaktuar pikat e rrezikut në rrugët e Shqipërisë, harta e pikave të rrezikut dhe lista e këtyre pikave). Ndërkohë që numri aksidenteve dhe viktimave rritet, Ministria nuk ka politika për ndërtimin e planeve apo projekteve për rehabilitimin e zonave që konsiderohen me rrezikshmëri më të lartë, çështje e cila duhet të ishte prioritet për këtë Ministri.
Edukimi i qarkullimit sidomos në sezonet turistike mbetet një mision i pamundur.
Referenca:
- http://www.egnatia.eu/page/default.asp?la=2&id=2240
- Treguesit e varfërisë sipas rajoneve
(http://www.instat.gov.al/al/themes/niveli-i-jetes%C3%ABs.aspx ) - http://acp.al/news/760/Pas-Durres-Kukes,-ja-rruget-e-tjera-qe-do-behen-me-pagese/
- http://www.instat.gov.al/al/themes/transporti.aspx?tab=tabs-5
- Ligjin nr.8378,dt.22.7.1998
- http://top-channel.tv/artikuj.php?c=12
- http://www.transporti.gov.al/files/userfiles/Qarkullimi_dhe_siguria_rrugore/Harta_e_Pikave_te_Zeza_2011.pdf
- http://www.transporti.gov.al/files/userfiles/Qarkullimi_dhe_siguria_rrugore/Lista_e_Pikave_te_Zeza.pdf