![](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2015/01/Blerina-Lalla.jpg)
Blerina Llalla
1- Historia e një Gjobe Dixhitale
Platformat dixhitale në Shqipëri nuk përbëjnë ndonjë risi të veçantë për publikun pasi janë prezente nëpërmjet subjekteve private tashmë prej një dekadë e ca, por kur përmendim RTSH-në, këtu kemi të bëjmë gjithnjë me një risi pasi bëhet fjalë për një institucion publik të një rëndësie të veçantë në vendin tonë.
Sipas detyrimit kryesor në bazë të vendimit të Komunitetit Europian, brenda muajit Qershor 2015 duhet që çdo vend anëtar i Komunitetit Europian të ketë përfunduar me patjetër platformën për dixhitalizimin e televizioneve publike kombëtare, që do të thotë të bëhemi pjesë e një sistemi transmetimi dixhital të unifikuar. Kjo histori nuk i ka fillesat në ditët e sotme, por ajo vazhdon të kthehet në qendër të vëmendjes herë pas here, dhe ende nuk dihet fundi, nëse kjo platformë do të implementohet apo jo në Shqipëri.
Më date 19 Mars të këtij viti u nënshkrua kontrata e shumëpërfolur për dixhitalizimin e RTSH-së ndërmjet tre palëve; Ministres së Inovacionit dhe Administratës Publike Znj. Harito, Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH-së dhe Drejtorit të Përgjithshëm të kompanisë Rohde & Swarz.
Gjatë fjalës së mbajtur, Ministrja Harito theksoi se përfundimi i kësaj etape të rëndësishme mundëson respektimin e afatit kohor të vendosur nga KE për transmetimet audiovizive duke garantuar për qytetarët shqiptarë TV dixhitale pa pagesë. Shqipëria i bashkohet kështu vendeve të rajonit dhe të Europës perëndimore, të cilët e kanë realizuar këtë proces me sukses.
Po të kthehemi pas në kohë do të kujtojmë se bëhet fjalë për disa vite diskutime, debate publike dhe parlamentare në lidhje me praktikën, teknologjinë, legjislacionin që duhet dhe kushteve të zhvillimit të infrastrukturës së nevojshme etj, por pa rezultat. Çështja mbeti pezull. Sot gjendemi me një kontratë në dorë, dhe një faturë të majme për tu paguar nga shteti ynë në përmbushjen e këtij kriteri dhe kjo vetëm katër muaj përpara përfundimit të afatit të vendosur nga Komuniteti Europian.
A është kjo kontratë një gjobë në duart tona apo një zgjidhje me kosto të shumëfishtë? Në fjalën e saj Ministrja Harito shprehet se kjo kontratë shkon në përputhje me vendimin e gjykatës duke i kthyer të drejtën e mohuar nga qeveria e shkuar kompanisë gjermane që ishte ngarkuar për realizimin e këtij procesi. Ndërkohë nga Kryeministri i vendit theksohet se kjo marrëveshje u arrit në kohën e imponimit të teknologjisë dixhitale nga operatorët privatë në Shqipëri, në funksion të gjetjeve të zgjidhjeve te reja dhe sikurse nënvizohet, nga realizimi i këtij procesi do të gjenerohen të ardhura të konsiderueshme, si dhe njëkohësisht do të rritet cilësia e shërbimeve për qytetarët.
Sipas deklaratave dhe kritikave te OSBE-së ndaj qeverisë shqiptare për RTSH-në, theksohet se për dy vite rresht forcat politike parlamentare nuk kanë arritur të miratojnë legjislacionin e duhur, gjë që ka ndikuar në bllokimin e procesit të transmetimeve dixhitale të RTSH-së dhe nuk bëri të mundur që ai të kthehet në transmetues të mirë publik që kontrollohet, është hartuar për publikun dhe financohet nga publiku. Kështu që nuk mund të harrojmë shkaqet e pezullimit të këtij procesi standard europian dhe botëror ku sërish do të na duhet ne taksapaguesve të ndajmë peshën e rradhës të kostos financiare.
Fakti është që prej vitit 2007 RTSH-së iu dhanë fillimisht dy frekuenca për të dalë në transmetim dixhital, por për shkaqe të infrastrukturës teknologjike që disponon ky institucion do të duhej shumë punë, investim dhe kosto për të arritur gradualisht gjatë këtyre viteve në një transmetim të platformës dixhitale sipas standardeve të kërkuara. Gjithashtu nga momenti i vendosjes në frekuenca dixhitale po në të njëjtin vit u vendos taksa e aparatit brenda faturës së energjisë elektrike. Një taksë e papaguar më parë nga shqiptarët por që të ardhurat e saj do të ndihmonin buxhetin e RTSH-së në krijimin e mundësive për blerjen e pajisjeve të reja moderne sipas standardeve të teknologjisë bashkëkohore. Pra, nuk mund të ketë shërbim pa parapagim ose pagesë të vazhdueshme.
Lind pyetja: A është e mundur që të arrihet në më pak se katër muaj realizimi i plotë i një procesi të tillë, i cili nuk u realizua prej kaq vitesh? Nëse do të merrnim parasysh informacione të dhëna për publikun nga specialistet e fushës, një ndër faktorët që mund të çojë në dështimin e procesit të dixhitalizimit është afati i kërkuar nga firma gjermane e cila në kontratën e nënshkruar kërkon një periudhë prej njëzetë e katër muajsh për realizimin e plotë të këtij procesi.
Një tjetër fakt është infrastruktura e nevojshme për vendosjen e impianteve, si dhe sasia e shumës që shteti duhet t’i paguajë kompanisë. Fatura e këtij procesi shkon në rreth 23 milionë euro, dhe për këtë firma gjermane ka vendosur kushtet e saj në kontratë, kushte të cilat nuk janë bërë të ditura për publikun. Firma kërkon që pagesa të bëhet me dy këste, përkatësisht: i pari, rreth 10% e vlerës të paguhet brenda 15 ditëve nga firmosja e kontratës në formën e një paradhënie dhe i dyti në momentin e dorëzimit të transmetuesit në shtetin tonë. Një kusht ky që e vendos në pozitë të vështirë qeverinë tonë. Kjo pasi qeveria do të duhet të vendosë garanci shtetërore për shumën e kërkuar (sipas kushteve të kontratës), duke garantuar marrjen e një kredie në një nga bankat e njohura europiane për llogari te RTSH-së.
Përveç kushteve të pranuara, me sa duket firmosja e kësaj kontrate u vendos vula dhe të ashtuquajturit tender skandal që bllokoi procedurën për këto dy vite, tender i nisur në kohën e qeverisë së shkuar dhe i menaxhuar tashmë nga Ministrja Harito. Proces shumë i përfolur për shkak të akuzave të opozitës së dikurshme sot në pushtet dhe shkaktar i debateve publike e frenimit në gjetjen e zgjidhjeve nga palët parlamentare. Me sa duket, konflikti i vazhdueshëm politik me akuza të ndërsjella për korrupsion ndërmjet dy qeverive, asaj të shkuar dhe kësaj aktuale, përfituese në këtë rast doli kompania në fjalë, e cila fitoi gjyqin mbi këtë tender dhe ka të drejtën të zbatojë punimet sipas kushteve të kontratës së firmosur.
Morali dhe mesazhi në këtë rast është i thjeshtë, sepse nëse kjo klasë politike do të kishte punuar për të arritur në një marrëveshje në funksion të lehtësimit të realizimit të këtij procesi, dhe të gjenin gjuhën e përbashkët pa përdorur tone agresive, do të na e kishin kursyer shumë faturën financiare. Do të na kishin kursyer kohën, dhe do të kishim një përparim gradual drejt realizimit të procesit të dixhitalizimit, duke krijuar infrastrukturën e nevojshme teknike, po ashtu edhe atë ligjore, për ta përballuar me sukses dhe dinjitet këtë sfidë sipas standardeve europiane.
Por me sa duket ne do të vazhdojmë të paguajmë për vendimet e çdo qeverie që vjen e shkon. Kjo sepse referuar të gjitha modeleve që kemi patur prezente, në qeverinë tonë merren vendime, kryhen veprime, firmosen kontrata e marrëveshje dhe propozimi apo vendimi për ndryshim të legjislacioneve përkatëse bëhet pas çdo vendimi, që të shkojë në funksion të veprimeve. Do të kemi ndryshim dhe në ligjin e RTSH-së.
Përfundimi është po ai, gjendemi me një kontratë në dorë që do ta paguajmë ne të gjithë, për hir të mekanizmit të madh, të quajtur shtet. Dhe për sa i përket deklaratave mbi transmetimin dixhital që do të ofrohet falas, duhet të mos harrojmë rritjen e taksës në të ardhmen, mbi aparatin së bashku me faturën e energjisë elektrike, por të fillojmë të heqim diçka mënjanë, sepse kjo taksë i vjen indirekt TVSH-së dhe vjen në rritje në proporcion me rritjen e të ardhurave për frymë të popullsisë. Është taksë e njëjtë si ajo për biznesin, makinën apo shtëpinë, dhe kjo taksë i ofrohet TVSH-së për shërbimin e tij.
Edhe pse dixhitalizimi ofron një mbulim më të madh të popullsisë me shërbimin internet dhe ofron cilësi mediatike më të lartë, çka do të thotë përgjegjësi, apo shkallë informimi më të gjerë, përfundimi mbetet i njëjtë: paguaj që ta kesh. Minimumi, një dekoder do të blihet, (ndërsa ne duhet të bëjmë maksimumin).