1- Stopkorrupsionit.al një sukses i paverifikueshëm.
Ministria për Çështjet Vendore, ka si prioritet komplementar edhe luftën kundër korrupsionit. Pas promovimit të bujshëm të fillim-shkurtit të këtij viti, kjo ministri publikoi disa të dhëna statistikore. Përpara se të marrim në shqyrtim këto të dhëna, le të shohim për një moment dy elemente shqetësuese të urdhrit kryeministror për miratimin e rregullores së Stopkorrupsionit.al.
Së pari, në pjesën e tretë të këtij urdhri, titulluar: Regjistrimi i praktikave korruptive të denoncuara, në pikën a), thuhet: Qytetarët mund të bëjnë denoncimin e rasteve korruptive vetëm në rrugë elektronike, nëpërmjet aksesimit të kanalit të komunikimit, që është Faqja Unike e Denoncimit të Korrupsionit. Në pamje të parë, dikush mund të thotë “sigurisht që për të aksesuar një website rruga elektronike do të përdoret”. Mirëpo nuk është ky shqetësimi parësor. Ajo që kryeministri dhe ministri përkatës marrin si të mirëqenë është se të gjithë qytetarët e këtij vendi kanë akses në një pajisje elektronike që është e lidhur me internet. Edhe nëse i besojmë për një moment kësaj hipoteze, na del përpara një dilemë disi ideologjike: A e kanë për detyrë qytetarët që të zotërojnë një pajisje elektronike të lidhur me internet, ndërkohë që shteti nuk ua mundëson këtë falas? Nëse përgjigja është jo, atëherë duhet theksuar se kjo iniciativë do t’i lehtësojë jetën vetëm një shtrese të caktuar qytetarësh duke margjinalizuar kështu të gjithë ata, që nuk zotërojnë një PC, Smartphone, dhe që nuk i kanë këto të lidhura me internet, apo që në rastin më të keq nuk dinë t’i përdorin.
Së dyti, në nenin 8 të kësaj rregulloreje, pika 1, thuhet: Institucionet përgjegjëse (institucionet e varësisë të Kryeministrit), ministrisë përkatëse, Prefekti i Qarkut, shqyrtojnë denoncimin e kryer sa më shpejtë të jetë e mundur, por jo më vonë se 30 ditë nga dita e dorëzimit të saj. Kjo do të thotë se me gjithë përgjegjshmërinë dhe profesionalitetin e stafit të kësaj ministrie, një çështje e denoncuar mund të zvarritet deri në 30 ditë. Le të mendojmë për një moment objektivisht dhe le të marrim disa raste denoncimesh. Rasti 1- A mundet një qytetar ta denoncojë korrupsionin teksa aplikon për asistencë sociale dhe i ka fëmijët të paushqyer? Rasti 2- A mund të presë 30 ditë një i vetëpunësuar që me kredi bankare ose borxhe ka vendosur të bëjë tregti dhe denoncon ryshfetin që i kërkojnë në doganë? Pra ai duhet të qëndrojë 30 ditë peng në zonën midis dy policive? Dhe rasti 3 – Si mundet të presë 30 ditë një i sëmurë që ka nevojë për operacion, teksa i afërmi i tij i dëshpëruar ka vendosur të përdorë stopkorrupsionit.al ? Sigurisht që unë përmenda Administratën Publike, Policinë dhe Shëndetësinë si tre sektorë klasikë të rasteve të korrupsionit, mirëpo shumë lehtë mund të imagjinojmë nga një rast për çdo situatë.
Propozimi ynë në këtë rast do të ishte jo thjesht ndryshimi i këtij afati, por delegimi i autoritetit për te verifikuar ngjarjet në terren, tek Njësitë Policore Lokale të Krimit Ekonomik.
Në datën 23 mars, ministria publikoi në faqen e vet online disa statistika rreth portalit www.stopkorrupsiuonit.al. Ku në shifra të përgjithshme deklarohet se janë marrë 4256 raste denoncimi prej të cilave janë mbyllur 2086 raste, dhe janë refuzuar 412 raste. Këto statistika nuk janë shoqëruar me sqarime përkatëse. Përshembull, nuk është sqaruar nëse rastet e mbyllura kanë rezultuar në akuza të pabaza, apo janë vërtetuar. Nuk është sqaruar as nëse këto raste kanë çuar në paralajmërimin, pezullimin apo përjashtimin e ndonjërit prej 2086 nëpunësve (minimalisht) të përfshirë në këto raste. Gjithashtu, mbetet e pasqaruar edhe pse 412 raste janë refuzuar që të merren në shqyrtim. Këto pyetje, stafi i APPA do t’i adresojë zyrtarisht në vazhdim bazuar tek e drejta e informimit publik.
2- Trajnim për vetëm 36 nëpunës.
Dita e fundit e muajit ka shërbyer edhe si dita e përfundimit të trajnimit për 36 punonjës të prefekturave të Shqipërisë rreth Reformës Territoriale Administrative që do të hyjë në fuqi pas zgjedhjeve lokale të 21 qershorit. Ky trajnim, bazuar tek axhenda e trajnimit, nuk ka patur të integruar asnjë testim apo formë tjetër për të vërtetuar nëse këta 36 punonjës nga e gjithë Shqipëria i kanë përvetësuar apo jo dijet teknike me të cilat do të qeveriset lokalisht Shqipëria në vazhdim.
Referime
http://www.ceshtjetvendore.gov.al/al/prior itetet/lufta-kunder-korrupsionit
http://www.ceshtjetvendore.gov.al/al/newsroom/lajme
www.stopkorrupsionit.al