- Shqipëria dhe integrimi rajonal
Nëse i referohemi punës së Ministrisë së Integrimit gjatë muajit Mars, ajo ka konsistuar në takime intensive në kuadër të vizitave nga zyrtarë të ndryshëm evropianë në vendin tone, apo edhe eventeve të tjera të ndjekura nga Ministri Znj. Gjosha. Për t’u përmendur ishte Konferenca e Komisioneve Parlamentare të Ballkanit Perëndimor i e datës 13 Mars, e kryesuar nga vendi ynë me qëllimin për të ndarë përvojën e integrimit dhe si një inkurajim i bashkëpunimit më të thelluar midis vendeve të rajonit. Ajo çka mbetet mister mbas një kërkimi për sa i përket raportimit mbi konferencën në fjalë, është a ka patur përfaqësues të vendeve të rajonit në këtë takim? Një fakt i tillë është i pamundur të deduktohet, si nga mbulimi mediatik që ka patur, po ashtu edhe nga ai i faqes zyrtare të Ministrisë, të cilat kanë publikuar vetëm fjalimet e zyrtarëve pjesëmarrës të vendit tonëii. Si rrjedhim, nuk arrijmë të kuptojmë qëndrimin e vendeve fqinje ndaj një nisme të tillë, vizionin e tyre apo projektet konkrete, për të cilat flitet ndër vite me radhë në të tilla konferenca, por që nuk arrijnë të prodhojnë politika të përbashkëta. A ishte kjo konferencë e kryesuar nga Shqipëria e suksesshme apo ishte një konferencë e vendeve të rajonit, organizuar nga Shqipëria, ku Shqipëria ftoi vetveten dhe pastaj foli për veten?
E vërteta është që Ballkani ka nevojë për më tepër konferenca të përbashkëta, që të organizohen pikërisht me iniciativë rajonale dhe të kalojnë në një tjetër nivel, duke zbuluar fushat më të përshtatshme për bashkëpunim e duke prodhuar politika specifike që jetësojnë këtë bashkëpunim. E gjithë kjo për të theksuar se destinacioni përfundimtar i Shqipërisë mund të jetë Bashkimi Europian, por i vetmi “tren” që e çon atë atje është integrimi rajonal dhe ka ardhur e ka kaluar koha, që iniciativat e përbashkëta të trajtohen me seriozitet e jo për të bërë deklaratat e zakonshme për fqinjësinë.
Ndër të tjera, muaji Mars ka qenë akoma edhe më i ngjeshur në takime dhe zhvillimi intensiv i tyre është një aspekt për t’u përgëzuar. Si vend kandidat, Shqipëria duhet të kalojë në një proces negociatash, të cilat për dëgjuesin e thjeshtë, shpeshherë, duken si deklarata pa kuptim në takime që përsëriten pa fund. Për vendimmarrësit politikë këto deklarata kanë rëndësi të veçantë sepse tregojnë ecurinë (ose jo) të integrimit dhe nëse publiku është i vëmendshëm ka arritur të kuptojë se gjuha e BE është bërë më “e mprehtë” e më “kërkuese”, në një kohë që nga një konstatim i Newsletter-it Eurospeak iii të Lëvizjes Europiane në Shqipëri nga raporti i Marsit i Parlamentit Europian mbi vendet e Ballkanit Perëndimor, sugjeron se progresi kushtëzohet nga kriza ekonomike, korrupsioni dhe nevoja për të garantuar lirinë e medias.
Vazhdimisht në deklarata në media gjen referenca mbi faktin se Znj. Gjosha në takime ka raportuar mbi reformat, ndërkohë që asnjë raport institucional nuk është bërë i njohur për publikun. Nuk është e rëndomtë atëherë që Eurodeputetja Macovei, si kryetare e delegacionit të Parlamentit Europian deklaroi se “ Fjalët, dokumentet, strategjitë nuk janë të mjaftueshme. Ato janë të nevojshme, por duhen zbatuar.”
- Acquis Communitaire – Quo Vadis?!
Komisioneri i Bashkimit Europian për Politikat e Fqinjësisë Europiane dhe Negociatat e Zgjerimit, z. Johannes Hahniv në vizitën e tij të 20 Marsit përveçse bëri të qartë, si të tjerë kolegë të tij më parë, se Shqipëria në fakt nuk ka asnjë faktor të jashtëm pengues për anëtarësimin dhe i vetmi preokupim ka të bëjë me implementimin e reformave dhe gjithashtu një çështje të ngritur si shqetësim edhe nga APPA në raportin e muajit Shkurt, mbi rëndësinë e përafrimit të legjislacionit. Z. Hahn u shpreh: “Gjithashtu është me shumë rëndësi që të ecet përpara me implementimin e legjislacionit, pasi procesi i integrimit për çdo vend që aspiron të bëhet pjesë e Bashkimit Europian nuk ka të bëjë vetëm me përshtatjen e legjislacionit të një vendi me atë të BE-së, por me zbatimin e tij në praktikë”. Një çështje e ngritur me të drejtë duke qenë se as Ministria e Integrimit, as Drejtoria e Ligjeve të Bashkimit Europian, as Komisioni i Integrimit, që kanë detyrën kryesore për monitorimin e procesit të Acquis së bashku, nuk ka publikuar asnjë raport mbi mënyrën se si procesi i përafrimit ka shkuar deri tani, jo vetëm në terma sasiorë në kuptimin e sa ligjeve janë arritur të përshtaten, por edhe në cilësi apo edhe në pasqyrimin e problematikave që hasen. Deri tani, informacioni i vetëm që Ministria e Integrimit i ofron publikut janë disa paragrafë në faqen zyrtare që japin në vija të përgjithshme se në çfarë konsiston Acquisv(Ndiqni likun në fund të raportit).
Pyetjet lindin natyrshëm: a ka Ministria e Integrimit një plan të caktuar për zbatimin e Acquis Communitaire për një periudhë kohe të caktuar dhe si po shkon ky plan?
Në c’ mënyrë sigurohet që mbas përshtatjes së Legjislacionit, të sigurohet njëkohësisht edhe zbatimi i dispozitave të reja?
Duhet të përmenden këtë muaj edhe 3 mbledhjet e zhvilluara në Komisionin e Integrimit, ku megjithëse duhet të themi se niveli i përgjithshëm i debatit duket se ka një përmirësim nga muaji i kaluar, sërish mbetet në pikëpyetje cilësia dhe zbatueshmëria e ligjeve të prodhuara.
Kalimi i ligjeve në komisione ndjek një procedurë të caktuar, vihet re se shumica e punës bëhet jashtë dyerve të këtyre takimeve. Si rrjedhim, është e vështirë të kuptohet se si është cilësia e ligjit të prodhuar krahasuar më atë paraardhës, a ka patur vështirësi në përshtatjen me ligjet e BE, a ka ligje apo edhe thjeshtë dispozita të veçanta të cilat janë të pa aplikueshme në vendin tonë dhe si i bëhet në të tilla raste? Për më tepër, gjithnjë duke u bazuar në proces verbalet, është e qartë se diskutimi i ligjeve vazhdon të jetë më tepër objekt negociatash midis partive në pozitë dhe atyre në opozitë, ku ajo çka prodhohet nuk është ligji më i mirë i mundshëm, fruti i një pune profesionale, por i përplasjeve partiake.
Mund të konkludojmë se të vetmit aktorë që nuk përmenden janë qytetarët vetë, të cilët marrin pjesë në mënyrë të tërthortë në momentin që u jepet akses i plotë në të gjithë procesin e ligjbërjes dhe debati ekspozohet tërësisht ndaj kritikave të tij.
- Trekëndëshi Macovei – pozitë – opozitë
Ngjarja më e rëndësishme, që nga marrja e statusit kandidat, ka qenë takimi midis përfaqësueseve të Parlamentit Shqiptar me ata të Parlamentit Europian vi zhvilluar në datat 16-17 Mars, që shënuan përplasje midis opozitës dhe europarlamentares Macovei duke u mbyllur pa rekomandime nga ana e kësaj të fundit. Për suksesin e takimeve për hapjen e negociatave do të veçojmë dy versione, atë të Znj. Gjosha dhe atë të Znj. Macovei. Në një intervistë dhënë në datën 25 Mars për “Revistën Televizive të Mbrëmjes” vii në Top Channel, në kuadër të vizitës së komisionerit Hahn dhe delegacionit të Parlamentit Europian, Znj. Gjosha është shprehur shumë e kënaqur me prezantimin si një “front i bashkuar” mes qeverisë dhe opozitës përballë BE dhe citojmë: “Mund të them që ishte tejet i suksesshëm edhe për diçka shumë të veçantë që nuk ka ndodhur më parë, dialogu mes mazhorancës dhe opozitës ishte me të vërtetë i admirueshëm.”
Ndërkohë europarlamentarja Macoveiviii në një intervistë të dhënë për ABC News shprehet se ka përshtypjen se qytetarëve shqiptarë iu ka ardhur në majë të hundës me skandalet në Parlament apo në instanca të tjera, si dhe se, sistemi partiak dominohet nga një person. Këtë e dëshmon fakti, sipas saj, se shumë nga deputetët e opozitës ishin dakord me amendamentet e draft-rezolutës, por që më vonë do t’i shpreheshin asaj se nuk mundeshin t’i pranonin se atë urdhër kishin.
Pra, dialogu midis mazhorancës dhe opozitës në këtë rast nuk ishte “i admirueshëm” dhe duhet të bëhet një sforco më e madhe për të koreografuar qëndrimet e tyre përpara se takime të tilla të ndodhin. Nëse do guxojmë të kemi shpresë për suksesin e negociatave të ardhshme, një nga problemet që duhet të zgjidhet është që duhet të paraqitemi si një front i bashkuar, duke përfaqësuar popullin shqiptar, jo interesat elektorale.
- Ministri apo Ministria???
Titullari i Ministrisë së Integrimit, Znj. Gjosha, mori pjesë në prezantimin nga Fondacioni SOROS i përfundimeve të anketimit të zhvilluar në nivel kombëtar
“Perspektiva e Anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, perceptime dhe realitete”ix, nga ku ajo veçoi se mbështetja e përgjithshme në favor të anëtarësimit shkon diku te 87 %. Ajo çka Znj. Gjosha ka adresuar nga anketimi në fjalë ka qënë sidomos pjesa e perceptimit të shqiptarëve se me hyrjen ne BE, ky i fundit do t’i lajë, pastrojë, pasurojë e kulturojë, duke u shprehur që i tillë perceptim duhet të ndryshojë në funksion të ndërgjegjësimit për të përmbushur detyrimet.
Në një kohë që retorika politike përqendrohet gjerësisht në përfitimet që integrimi do t’i sjell vendit tonë, është e pakuptueshme përse ende publiku shqiptar nuk njihet në mënyrë periodike me punën konkrete që zhvillojnë departamentet e kësaj Ministrie, përtej një përshkrimi të përgjithshëm në Organigramën e Ministrisë. A nuk do ishte e kuptueshme dhe e pritshme që Ministria e Integrimit Europian të bëhej një model për ministritë e tjera, duke bërë transparente punën e saj, por edhe raportimin si një modus operandi?!
Referime
http://www.integrimi.gov.al/al/newsroom/fjalime/ fjala-e-ministres-gjosha-gjate-konferences-se– kryetareve-te-komisioneve-parlamentare-per– politiken-e-jashtme-te-vendeve-te-ballkanit– perendimor
http://telegraf.al/politike/meta-cdo-nisme-ti– sherbeje-ekonomise-ka-ikur-koha-e-politikave-te– vjetra
http://eurospeak.al/zgjerimi/291-infografika– vleresimi-i-progresit-te-ballkanit-perendimor– drejt-integrimit-europian
http://www.integrimi.gov.al/al/programi/perafrimi -i-legjislacionit
http://top– channel.tv/lajme/artikull.php?id=295037#k1
http://www.top– channel.tv/lajme/artikull.php?id=295534#relin
http://www.gazetastart.com/makovei-si-i– nxorem-nga-politika-te-inkriminuarit_40459.html
https://www.osfa.al/publikime/anketimi– kombetar-mbi-perceptimet-pritshmerite-drejt– anetaresimit-te-mundshem-te-shqiperise-ne-be