1-Alarm për produktet ushqimore shqiptare. Rusia indiferente do të heqë embargon.
Ka disa kohë që qytetarët shqiptarë ndjehen të pasigurt në lidhje me cilësinë e ushqimeve që konsumojnë. Për këtë arsye më datë 17 Mars, Ministria e Bujqësisë ka ndërmarrë një iniciativë shumë të rëndësishme në lidhje me kontrollet periodike që do të organizojë ndaj fermerëve. Sipas ministrisë, ata fermerë që do të konstatohen se kanë abuzuar me të mbjellat e tyre dhe prodhojnë produkte me kimikate dhe hormone tej normave të lejuara do të ndëshkohen.
Paradoksalisht, Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti pohon se prodhimet shqiptare janë më bio se ato të importuara. Ai kërkoi të shmangen spekulimet në media se prodhimet tona bujqësore janë të ndotura me kimikate, madje pohon se në bazë të analizave të bëra, rezulton se prodhimet tona janë më të pastra, më bio, se ato të importuara, në drejtim të pranisë se insekticideve apo pesticideve të përdorura për rritjen e tyre.
Ministri, ka theksuar se në media po spekulohet në lidhje me këtë çështje, dhe për të vërtetuar vlerën e tyre ai solli si argument faktin që prodhimet tona kërkohen dhe eksportohen në Danimarkë, Zvicër, Holandë, Gjermani, etj.
Ndoshta, ministria ka të drejtë, media mund të jetë duke spekuluar, por qytetarët që konsumojnë këto lloj ushqimesh vazhdojnë të jenë të shqetësuar dhe kanë nevojë të “çlirohen” nga dyshimet. E vetmja formë, ndoshta do të ishte ndëshkimi i rasteve që konstatohen abuzive gjatë këtyre kontrolleve periodike, të cilave të shpresojmë se do t’i nënshtrohen të gjithë në të njëjtën mënyrë. Ndoshta ministri ka pasur disa arsye kur ka pohuar se mediat ndoshta janë duke spekuluar, pasi po më 17 Mars, bëhet i ditur lajmi se Rusia do të heqë embargon ndaj produkteve bujqësore shqiptare.
Më 16 Mars, Ambasadori ynë në Moskë, Arben Gazioni, ka zhvilluar një takim në Ministrinë e Bujqësisë së Federatës Ruse, Agjencinë e Kontrollit Veterinar dhe Fitosanitar, me qëllim zhbllokimin e embargos ruse për eksportet e produkteve bujqësore shqiptare në tregun rus dhe duket se ky takim ka qenë i suksesshëm. Kujtojmë se embargo e u vendos në fund të vitit të kaluar, kur Agjencia Federale Ruse për Mbikëqyrjen Veterinare dhe Fitosanitare vendosi të ndalojë importin e frutave dhe perimeve nga Shqipëria, nga data 8 dhjetor 2014, me argumentin se, mallrat shqiptare shoqëroheshin me një çertifikatë fitosanitare false. Ky lajm është i mirë jo vetëm në lidhje me sigurinë e cilësisë së prodhimeve bujqësore shqiptare, por dhe për arsyen se Rusia ishte shndërruar në një nga destinacionet kryesore të frutave dhe perimeve që Shqipëria shet jashtë.
A është kjo një garanci se të gjitha prodhimet bujqësore shqiptare do të përmbushin të gjitha standarded e kërkuara apo këto kushte do të duhet të plotësohen në mënyrë specifike vetëm për ato ushqime që e kanë destinacionin për diku jashtë Shqipërisë?
Duhet të kujtojmë se kontrolli ndaj këtyre produkteve është dhe një nga prioritetet e Qeverisë për sektorin e Bujqësisë dhe Blegtorisë dhe sipas vendimeve të Këshillit të Ministrave janë arritur këto vendime:
Vendim i KM. nr. 260, datë 27.3.2013 “Për caktimin e rregullave për kontrollin, marrjen e mostrave, analizave e të procedurave, dhënien e rezultateve të tyre, si dhe vlerësimin e analizave të plehrave”
Vendim i KM nr. 87, datë 30.1.2013 “Për përcaktimin e kritereve të tregtimit, certifikimit dhe testimit të farave foragjere”
Kjo do të thotë se proceset e kontrollit dhe sanksionet kundrejt abuzuesve janë domosdoshmëri në një situatë të tillë, ku dyshimi është më i madh se vetë popullsia.
2- Marrëveshje Bashkëpunimi me OBBU.
Firmoset Marrëveshja Kuadër e Bashkëpunimit midis qeverisë shqiptare, të përfaqësuar nga Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave dhe Organizatës Botërore të Bujqësisë dhe Zhvillimit (FAO) për periudhën 2015-2017. Kjo marrëveshje u firmos nga Ministri i Bujqësisë Z. Edmond Panariti dhe përfaqësuesi rajonal i FAO-s për Evropën, Z. Tony Allonzi, më datë 19 Mars.
Marrëveshja përmban katër prioritete kryesore të bashkëpunimit, të cilat janë: 1- Ruajtja dhe administrimi i burimeve natyrore, 2- ndryshimet klimaterike dhe administrimi i fatkeqësive natyrore, 3-zhvillimi i kapaciteteve për hartimin e politikave të zhvillimit bujqësor dhe rural në Shqipëri, duke e vënë theksin në mbështetjen e rolit të gruas në këtë drejtim, 4- Përafrimi i politikave bujqësore dhe zhvillimit rural me standardet evropiane. Kjo marrëveshje do t’i përgjigjet kërkesave emergjente në drejtim të politikave dhe prioriteteve të qeverisë shqiptare në sektorin e bujqësisë.
Ky duket se është një lajm i mirë në një kohë kur qeveria Shqiptare e ka thuajse të pamundur: 1-të menaxhojë rastet e fatkeqësive natyrore, (rasti i fundit, ndodhur një muaj më parë); 2-të përafrojë politikat bujqësore me standarded evropiane.
Referime http://www.mapo.al/2014/03/produktet– pesticide-dhe-hormone-ministria-kontroll– farmacive-dhe-fermave
http://acp.al/news/735/Rusia-do-te-heqe– embargon-ndaj-produkteve-bujqesore– shqiptare
http://www.balkanëeb.com/site/ministri– panariti-marreveshje-me-fao-n-per-zyren– e-re-ne-shqiperi/
http://www.bujqesia.gov.al/al/programi/zh villimi-rural/bujqesia-dhe-zhvillimi-rural
http://www.bujqesia.gov.al/al/lajme/njofti me-per-shtyp/ministria-e-bujqesise– firmos-marreveshjen-e-bashkepunimit– kuader-me-organizaten-boterore-te– bujqesise-dhe-ushqimit