Muaji mars si dhe disa prej ditëve të fundit muajit shkurt, kanë mirëpritur diskutimet mbi Draft Strategjinë e Zhvillimit të Arsimit Parauniversitar të lançuar nga Ministria e Arsimit dhe e Sportit. Pas hartimit nga ekspertët e arsimit, dokumenti është diskutuar me partnerë të ndryshëm. Aktivitetet e diskutimit të draftit, me qëllim gjithëpërfshirjen si dhe pasurimin e cilësisë së saj janë organizuar me mbështetjen e UNDP.
Gjatë prezantimit të këtij dokumenti, titullarët e Ministrisë kanë theksuar përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së arsimit në Shqipëri si një domosdoshmëri dhe prioritet në arsimin parauniversitar. Ndërtimi i skemës së re të prioriteteve u mirëprit nga të gjithë aktorët pjesëmarrës duke nënvizuar mbështetjen konkrete të deritanishme të secilit prej donatorëve dhe palëve të tjera.
Ajo çka u vu re së pari është se shuma e akorduar për arsimin parauniversitar nuk ka rritje domethënëse. Ajo u rrit saktësisht me 2.19%, krahasuar me 2.53% të PBB dhe është shumë larg premtimit të Programit të Rilindjes, i cili thotë se burimet financiare nuk do të jenë më pak se 5% e PBB. Sipas Ministrisë, ky dokument është propozim për transformimin, për reformimin dhe për zhvillimin e arsimit, sipas një modeli të frytshëm planifikimi, menaxhimi dhe vlerësimi.
Puna për hartimin e Strategjisë ka filluar në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit në prillin e vitit 2014. Gjatë periudhës prill-gusht 2014, u përgatit “Raporti Paraprak për Reformën e SAPU-së”. Nga diskutimi i gjetjeve dhe i propozimeve të Raportit u përftua korniza e konceptimit të
Strategjisë, objektivat dhe pritshmëritë sipas përparësive të përcaktuara.
Në vitin 2014, u organizuan tre workshop-e, në të cilët ekspertë vendas dhe të huaj, mësues, përfaqësues të organizatave të ndryshme dhe shoqëria civile kanë kontribuar në identifikimin e pikave të forta, problemeve, vështirësive dhe në zhvillimin e kornizës konceptuese.
Megjithëse synimi i kësaj strategjie duket mjaft ambicioz, vihet re nevoja e domosdoshmërisë së prezencës së donatorëve ndërkombëtarë si dhe organizatave të shoqërisë civile dhe institucioneve të tjera për të mbushur boshllëqet e strategjisë.
Përfaqësues të APPA Tank kanë marrë pjesë në takimet e diskutimit të Draft Strategjisë duke ofruar sugjerimet dhe pikëpyetjet e tyre. Mbetet për t’u shqyrtuar dhe analizuar se si do të reflektohen të gjitha sugjerimet e grumbulluara në Strategjinë përfundimtare e cila do të shkojë për miratim në qeveri.