1-Në shërbim të kryeministrit.
Kryeministria e Shqipërisë, si institucion, është e tëra nën drejtimin e Kryeministrit, mirëpo në shërbim të gjithë pjesës tjetër të admnistratës, si dhe në shërbim të qytetarit. Kjo nuk ndodh në rastin tonë. Në fakt, në rastin e Shqipërisë, kryeministria është institucion i cili njësohet në formë dhe përmbajtje me Edi Ramën, kryeministrin. Këtë traditë joprofesionale të tranzicionit shqiptar, duket se kryeministri po e trashëgon për të mos shkuar më pranë standardeve të BE-së për një administratë në shërbim të qytetarit, por për një administratë në shërbim të drejtuesit. Le ta nisim këtë raport me shpresën se shumë shpejt kjo kulturë do te ndryshojë dhe se punonjësit e administratës sonë do të kreditohen për meritat dhe arritjet që realizojnë, dhe nuk do të fshihen gjithnjë pas hijes së Kryeministrit.
Që në fillim të muajit, kryeministri Rama udhëtoi drejt Vlorës duke i dorëzuar çelësat e një banese të re Znj. Dhora Gjoni, banesën e mëparshme të së cilës e dëmtuan përmbytjet e muajit shkurt në Novoselë. Në të njëjtën ditë për ironi, kryeministri viziton edhe punëtorët e projektit të Rrugës Transballkanike që është duke nxjerrë si të pastreha 150 familje. Moskorrektësia politike vazhdon teksa kryeministri deklaron: “Pasi u zgjidh problemi me të gjitha familjet që duhet të lironin banesat e tyre për çeljen e kësaj rruge, sot jam shumë i kënaqur që fillon më në fund, pas shumë e shumë vitesh, të realizohet projekti …”. Dhe më pas shton:
“… Bashkë me pjesën tjetër të vijës bregdetare apo Lungomaren siç i thonë vlonjatët, janë dy projektet e mëdha që do të çelin fuqishëm rrugën e rilindjes së plotë të infrastrukturës të këtij qyteti …“, a thua se qytetarët e shpërngulur prej shtëpive do të lumturoheshin, qetësoheshin dhe ngushëlloheshin prej këtyre fjalëve. Gjatë kësaj dite Z. Rama shpërndau gjithashtu edhe dëshmitë e legalizimeve të radhës, pa harruar sigurisht batutat e veta si kryeministër, por ama personale ndaj qytetarëve, të cilët nuk guxojnë kurrsesi t’ia kthejnë si qytetarë sepse përtej personit, ai është kryeministri. Një tjetër dilemë e lëvizjeve politike në qeveri, është nëse ministrja e Zhvillimit Urban, që shoqëron kryeministrin zakonisht në show-t e tij, e lëshoi për pamundësi menaxhimi sektorin e turizmit, apo sepse turizmi dhe zhvillimi urban në Shqipëri përbëjnë paradoks po të vendosen pranë.
Edhe pse i zhytur në dallgën oqeanike të ngritur prej rrëfimit, ku deputeti i PS Tom Doshi pretendonte se kishte zbuluar një atentat për vrasje ndaj tij, kryeministri gjeti kohën që të përuronte Qendrën Rinore të Tiranës. Do t’i kthehemi QRT, sapo të servirim vetëm dy hipoteza rreth çështjes Doshi. Së pari, pse kryeministri Rama menjëherë pas akuzave të Tom Doshit në vend që të solidarizohej me të si një koleg partie (minimalisht) doli në deklaratë duke i pretenduar akuzat e Doshit si “histori të shëmtuar”? A kishte informacion paraprak kryeministri i vendit, që e bëri të merrte një vendim jo vetëm politik, por mbi të gjitha juridik mbi rrëfimin e Doshit? Nëse po, pse nuk e kishte informuar paraprakisht publikun? Së dyti, pse kryeministri përshëndeti kërkesën e Prokurorisë për arrestimin e Doshit, ndërkohë që Prokuroria në vetvete na sjell një dimension më thellë në këtë dilemë: Pse prokuroria, duke pasur dy pista hetimi mbi tryezë (1- Ilir Meta ka paguar për të vrarë Tom Doshin; 2- Tom Doshi gënjen), zgjedh të ndjekë pistën e dytë. Kjo do të thotë parimisht, se Prokuroria në vetvete ka arritur përmes hetimit të shuajë çdo dyshim që pista e parë është e pavërtetë.
Faktet që pista e parë është e pavërtetë, nuk u publikuan asnjëherë.
Le të mjaftohemi me pyetjet për momentin, duke qenë se e gjithë kjo çështje do të kërkonte një hetim të jashtëzakonshëm, sikur vetëm në aspektin politik e asgjë tjetër. Le të kthehemi tek QRT. Papritur, ashtu sikurse ka ndodhur deri më tani me Zyrat e Punës në të gjithë Shqipërinë, apo me Zyrat e Kujdesit Social, edhe me Zyrat e Rinisë asnjëherë nuk u bë publike thirrja për të rekrutuar punonjës për to. Edhe ne këtë rast, kryeministri nuk e humbi mundësinë për të ironizuar mungesën e kryetarit të bashkisë se Tiranës në këtë event, a thua se ai vete shkonte në eventet e përurimeve qeveritare kur ishte dikur kryebashkiak (kujtojmë për analogji mungesën e Z. Rama në përurimin e Qendrës TEN).
2- Moratoriumi i gjuetisë, shteti laik, dhe mjedisi.
Në këtë muaj të rrëmujshëm një prej sukseseve që qeveria festoi, ishte mbyllja e moratoriumit 1 vjeçar të gjuetisë në parkun e Divjakës. Sigurisht që sukseset e vogla kërkojnë zotime edhe më të mëdha. Le të urojmë që kjo qeveri dhe të tjerat që do të vijnë do të veprojnë me përgjegjshmëri të shtuar ndaj mjedisit.
Më datë 11 mars, kryeministri mori pjese në një ceremoni për 90 vjetorin e Medresesë së Tiranës, ku vetëm duke parë fjalimin e tij me këtë rast, mund të kuptohet se si instrumentalizohet sërish besimi fetar si dekor politik. Kjo pasi kryeministri e konsideron institucionin fetar si garant të laicitetit shtetëror. Një silogjizëm i përmbysur i cili të bën të mendosh se religjioni ka për qëllim garantimin e shtetit laik, kur në fakt, thelbi i çdo lloj religjioni është të afrojë sa më shumë njerëz te Perëndia. Mirëpo kryeministri nuk e konsideron asnjëherë këtë, por përkundrazi, gjen rastin t’i kujtojë institucionit fetar në parim, një pakt të heshtur. Paktin se nëse institucioni fetar (cilidoqoftë) nuk cenon laicitetin, atëherë shteti do t’i dhurojë lirinë për të ekzistuar.
Një tjetër sukses të cilin Rama e inspektoi personalisht, ishte nisja e punimeve për Impiantin e Trajtimit të Mbetjeve Urbane në Elbasan. Le të urojmë gjithashtu që ky impiant të realizohet në kohë dhe kushtet më të mira, dhe të hapë rrugën për impiante përpunimi në të gjithë Shqipërinë.
Më 18 mars kryeministri mbajti një fjalim të gjatë për të promovuar iniciativën e hapjes së dosjeve të informacionit sekret, të periudhës së regjimit komunist. Gjatë këtij fjalimi, kryeministri mori sigurisht të gjitha meritat për këtë iniciativë, dhe u përpoq ta fshihte faktin që kjo është një direktivë e drejtpërdrejtë prej BE-së përtej dëshirës ose mosdëshirës, vullnetit apo pavullnetit të cilësdo palë.
Më tej gjatë muajit kryeministri përdori një klishe tashmë të konsumuar në lidhje me informatizimin e mëtejshëm të administratës. Në një moment të fjalës së tij, ai thotë: “Për këtë arsye, ne jemi të angazhuar shumë fort në këtë drejtim dhe një plan tërësor, që përfshin prekjen përmes teknologjisë së re të mbi 300 shërbimeve që ofrohen sot për qytetarët shqiptarë është tanimë në veprim. Ambicia jonë është që në vitin 2017, pjesa dërrmuese e këtyre shërbimeve të mund të ofrohen online për qytetarët”. E gjitha kjo të bën të mendosh se nga ana tjetër mirëqenia e shqiptarëve është e tillë sa ata të mund të kenë një pajisje si PC, apo Smartphone që t’u mundësojë atyre aksesin nga çdo fshat sado i largët, në këto shërbime.
3- Patriotizmi i pashembullt
Më 23 mars, u zhvillua ajo që u quajt edhe ngjarja e muajit në politikën e jashtme, takimi i dy qeverive Shqipëri–Kosovë. Përtej gjithë ndjenjave dhe emotivitetit që ky takim përcolli, le të shohim më nga afër dy aspekte: 1- Protokollet e nënshkruara; 2- Takimi në këndvështrimin rajonal. Për aspektin e parë, lista e protokolleve të nënshkruara shkoi në 11, mirëpo asnjë prej këtyre protokolleve nuk premton ndonjë përmirësim reformues të marrëdhënieve, apo ndonjë përfitim të menjëhershëm politiko-ekonomik. Po t’i vërejmë me kujdes këto 11 nënshkrime, do të shohim se në fakt janë dokumente që Shqipëria do të duhej t’i nënshkruante me të gjitha vendet fqinje, dhe mbi të gjitha, edhe sikur të refuzonte t’i nënshkruante, direktiva për bashkëpunim në rajon është e drejtpërdrejtë prej BE-së, dhe në këtë rast, të dyja vendet janë të etura për t’iu bindur këtyre direktivave.
Aspekti i dytë, na bën të shkojmë drejt pyetjes, a ia vlen të shijojmë një shfaqje populiste për të rrezikuar marrëdhëniet me fqinjët? Sigurisht që këto marrëveshje mund të ishin nënshkruar pa nevojën e një mbledhjeje të dekoruar për efekte psikologjike.
Vetëm një ditë më pas, në tryezën e Dialogut të Nivelit të Lartë Shqipëri-BE, kryeministri deklaroi ndër të tjera se “… jemi besimplotë se në vjeshtë, ne do t’i japim Komisionit në dorë gjithçka të plotësuar, lidhur me të 5 prioritetet… ”.
Këto 5 prioritete (1-Krijimi i një administrate profesioniste dhe të depolitizuar; 2-Forcimi i pavarësisë të institucioneve të drejtësisë; 3-Lufta kundër korrupsionit; 4-Lufta kundër krimit të organizuar; 5-Mbrojtja e të drejtave të njeriut), janë kaq evazive, saqë në çdo rast nuk do të mund të konsideroheshin dot të ezauruara, apo të plotësuara, pasi secili prioritet në vetvete nënkupton një proces të vazhdueshëm dhe jo një vendmbërritje statike. Kështu, vetëm vjeshta do të na dëshmojë nëse qeveria do të ketë realizuar plotësisht deri në tetor: Reformën në administratë, reformën në drejtësi, reformën anit-korrupsion, dhe reformën e gjerë në rend publik dhe liritë kushtetuese. Vjeshta do të na tregojë gjithsesi nëse qeveria do t’ia dalë, apo ky premtim nuk do të mbahet dot jo vetëm ndaj qytetarëve, por as ndaj BE-së.