![Gerion TRESKA, MSc](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2016/03/G.-Treska-300x300.jpg)
Gerion TRESKA, MSc
1- Kush fshihet pas gishtit të “investimeve të huaja”?
Stuhia që po përshkon ekonominë shqiptare megjithëse është fakt dhe të gjithë qytetarët e shikojnë dhe e ndjejnë sidomos në xhepat e tyre, duket se në sferën politike po trajtohet thjesht si një çështje e zakonshme aspak me rëndësinë e duhur. Eklipsimi i keqtrajtimit të kësaj çështjeve i dedikohet në mënyrë të veçantë Reformës në Drejtësi por njëkohësisht edhe një busulle që duket se tregon më së shumti drejtimin e gabuar.
Pavarësisht përpjekjeve për të formalizuar bizneset, qasja e ndjekur nga më i vogli tek më i madhi duket se ende vazhdon të shkaktojë reagime tek të vegjlit pasi tek të “mëdhenjtë” nuk dihet se kur do të mbërrijë. Le të mos harrojmë se jemi pranë fundit të mandatit të kësaj qeverie dhe koha nuk duket mjaft premtuese bazuar në këtë qasje për t’u marrë edhe me të “mëdhenjtë”, mbase sepse kjo nuk është edhe fort në interes të politikës, të mos harrojmë kush i financon kryesisht fushatat respektive.
Me statistika më shumë dekurajuese se sa inkurajuese, ku vetëm në vitin 2015 u regjistruan pothuajse 3 herë më shumë çështje për falimentim të kompanive krahasuar me vitin 2014, më saktësisht në 2015 çështjet për faliment të regjistruara në Gjykatën e Shkallës së Parë ishin 64 përkundrejt 22 çështjeve në 2014[1]. Vlen të përmendet se në këtë listë bëjnë pjesë biznese të mëdha si Kurum, Albanian Airlines, Volalba, Italcrom etj. Por në anën tjetër kemi edhe një biznes më të formalizuar për të cilin e gjithë qeveria përpiqet të marrë lavdet por që nuk po jep ende rezultat.
Guri i parafundit i shahut që po luhet për të nxitur ekonominë shqiptare është varësia e tejskajshme për investime të huaja direkte. Marrëveshje pas marrëveshjeje MZHETTS dhe vetë Kryeministri përpiqen të promovojnë Shqipërinë si një partner të sigurtë dhe nxitës për bizneset dhe investitorët e huaj. Me gjithë dritat e alarmit të ngritura nga Trupat Diplomatik vendas për përkeqësimin e situatës ekonomike, rritjen e riskut si dhe të nivelit të korrupsionit, askush nuk duket të reagojë denjësisht mbi këto zëra.
Fakt është se investitorët serioz dhe ata më të besueshëm po largohen dhe po e heqin vëmendjen nga Shqipëria, në veçanti ata kinez, duke i lënë vend investitorëve pasues të cilët kryesisht nuk kanë një emër të mirë në fushën e biznesit. Po përse duhet të ndodhë kjo situatë në një vend ku Kryeministri gjatë Konferencës “Reforma në Ekonomi dhe klima e biznesit” është shprehur se informaliteti i biznesit është ulur ndjeshëm? Madje po në të njëjtën Konferencë ai shprehet se me anë të reformave të qeverisë u shpëtua falimenti i shumë kompanive dhe se konkurrenca në biznesin shqiptar po fillon të funksionojë.
Me gjithë optimizmin e Kryeministrit duket sikur përfaqësuesi i Bankës Botërore në Shqipëri nuk e mendon kaq të lulëzuar situatën e ekonomisë Shqiptare. Dhe sipas qëndrimit të këtij institucioni, Shqipërisë do t’i duhen disa dekada për të arritur standardet europiane të ekonomisë, duke filluar që nga rritja ekonomike prej 4.5%. Pavarësisht vlerësimit për hapat e ndërmarrë nga qeveria, sërish vëmendja mbetet tek niveli më i ulët i investimeve të huaja në Shqipëri krahasuar me vendet e Ballkanit[2].
Debatit mbi çështjen e investimeve të huaja direkte i është bashkuar edhe Drejtori Ekzekutiv i AIDA-s i cili sjell lajmin se në 5 muajt e fundit kanë qenë 96 kompani të huaja që kanë kërkuar informacion nga AIDA për të investuar në vendin tonë[3]. Por ky informacion nuk jep asnjë tablo apo të dhënë mbi natyrën ose besueshmërinë e këtyre investitorëve.
Mbas gishtit të investimeve të huaja është e qartë se po fshihen shumë palë dhe institucione kryesisht qeveritare, por ky duket një qëndrim krejt kundër rrymës së realitetit që po ndodh jashtë zyrave të administratës qeveritare. Ajo çka është akoma më e vështirë për t’u pranuar nuk është ikja e investitorëve por varësia ndaj fondeve të huaja për të zhvilluar ekonominë vendase.
2- Ekonomia Shqiptare në dorë të investimeve publike!
Mbingarkimi prej reformave të ndërmarra nga qeveria po i imponon në mënyrë të vazhdueshme një ritëm disi çorientues klimës së biznesit me ndryshime të paparashikueshme në rregullore dhe rregulla. Ky është mesazhi që vjen nga Zëvendës-Shefi i Misionit të Ambasadës së SHBA në Tiranë i cili i bashkohet shumë zërave të ngritur edhe nga përfaqësitë e tjera diplomatike në vendin tonë[4].
Duke theksuar më së shumti vështirësitë që hasin jo vetëm kompanitë amerikane por edhe ato të tjera ndërkombëtare në zbatimin e kontratave, vendimet e gjykatave si dhe korrupsionin Zëvendës-Shefi i Misionit të Ambasadës së SHBA në Tiranë shprehet se këto janë elementë kyç të cilët patjetër ndikojnë në atraktivitetin e vendit për të zhvilluar biznes.
Këtij shqetësimi ndërkombëtar po t’i shtojmë edhe deklaratën e Ministrit Ahmetaj se ka një rënie të madhe të konsumit publik, jo atij privat dhe pikërisht ky ka qenë qëllimi që Qeveria të mos ketë pjesën e luanit në konsum futemi në një rreth vicioz I cili na kthen gjithnjë në pikën e fillimit. Statistikat jo vetëm të INSTAT por edhe ato te EUROSTAT tregojnë qartë se ka një rënie të konsumit jo vetëm publik por edhe atij privat. Dhe si të mos mjaftojë kjo bizneset dhe individët ndjehen të pasigurtë për të ardhurat e tyre. Sipas Reporter.al[5] problemi shtesë është se qeveria po vijon të mos shpenzojë dhe ka gjasa, do të vijojë të mos shpenzojë edhe për këtë vit.
Në fakt kjo situatë është trishtuese dhe vërteton se ekonomia shqiptare po mbahet vetëm nga dy burime:
- Investimet publike, të cilat janë me pikatore,
- Investimet e huaja direkte, te cilat po zbehen ato të duhurat duke i lënë vend investitorëve më të pasigurtë.
Ajo çka duket qartë në këtë situatë është se qeveria ndodhet në një ngërç për ta bërë ekonominë vendase tërheqëse për investitorë të huaj serioz dhe të besueshëm. Dhe që të mbushë këtë “gabim” përpiqet që herë pas here të kryejë shpenzime publike në formën e injeksioneve të vogla “sa për të mbajtur frymën” ekonomia e vendit. Në këtë mënyrë tenderat bëhen akoma më joshës duke nxitur informalitetin dhe abuzimin me procedurat dhe jo vetëm, fakte të cilat janë treguar në kohë jo vetëm nga kjo qeveri por edhe nga të tjerat.
Në përfundim ajo çka vret ekonominë vendase duket se është faktori plotësisht “made in Albania”, politika që prodhojmë dhe modeli i gabuar që ndjekim si ekonomi, nëse ende mund të quhet e tillë. Një vend i cili mbahet ose përmes parave të të huajve ose injeksioneve qeveritare tregon qartë që brenda veten nuk përmban pothuajse asgjë prodhuese për të ardhmen.
[1] Rritet me trefish numri I kompanive për faliment – http://acp.al/news/2176/Gjykata-e-Tiranes,-ne-2015-en-u-trefishua-numri-i-falimenteve-te-kompanive/
[2] Konferenca “Reforma në Ekonomi dhe klima e biznesit” – http://acp.al/news/2209/Rama:-Reformat,-te-lidhura-me-ekonomine%3b-jo-takse-te-sheshte/
[3] AIDA konfirmon interesimin e kompanive te huaja në Shqipëri – http://www.balkanweb.com/site/drejtori-i-aida-ne-news24-96-kompani-te-huaja-kane-kerkuar-informacion-per-te-investuar-ne-shqiperi/
[4] Intervistë e David Muniz – http://albanian.tirana.usembassy.gov/latest-embassy-news/2016-deklarata/interviste-e-david-muniz-zevendes-shefi-i-misionit-te-ambasades-se-shba-ne-tirane-me-gazeten-panorama-4-maj-2016.html
[5] Lehtësimi sasior mund të mbërrijë në Shqipëri – http://www.reporter.al/lehtesimi-sasior-politika-qe-mund-te-mberrije-ne-shqiperi/