1-“Pacient”, nuk është më kryefjala e Sistemit Shëndetësor Shqiptar…
Sot, Shqipëria ballafaqohet me një sistem shëndetësor kompleks dhe të dobët. Shërbimet shëndetësore sot mbështeten nën dy shtylla kryesore, kujdesin shëndetësor publik dhe atë privat. Megjithatë, ajo që lehtësisht tërheq vëmendjen është cilësia e ulët e shërbimit shëndetësor publik dhe kosto e lartë financiare e shërbimit shëndetësor privat. Është shqetësues fakti që sistemi shëndetësor shqiptar, dominohet nga kultura e varfër civile dhe mungesa e informacionit te pacientët. Përgjithësisht, në momentin që qytetarët ballafaqohen me një shqetësim shëndetësor apo një kërkesë urgjente shëndetësore, ata nuk janë në gjendje të zgjedhin se ku duhet të shkojnë dhe cilin trajtim duhet të ndjekin. Fatkeqësia më e madhe është se ata nuk njohin diferencë midis shërbimeve shëndetësore, ndaj janë të detyruar të pranojnë dhe të binden ndaj asaj çfarë ofrohet në “tregun” mjekësor.
Në kushtet në të cilat gjendet sistemi shëndetësor në Shqipëri, mjekët janë krejtësisht indiferentë, megjithëse është domosdoshmëri mbrojtja e pacientëve. Megjithatë, në rastet kur Urdhri i Mjekut ka “ngritur zërin” mbi çështje apo problematika të caktuara, nuk ka pasur asnjë feedeback pozitiv. Këto dhe shumë arsye të tjera, kanë sjellë të ashtu-quajturin liberalizimin e sistemin shëndetësor dhe spitalet private janë një nga format më dominante të kësaj forme të re organizimi në sistemin mjekësor shqiptar.
Në të njëjtën kohë, monitorimi dhe kontrolli mbi sektorin shëndetësor privat nga institucionet shtetërore është bërë më i vështirë dhe komplikuar. Sipas specialistëve apo rasteve të cilat raportohen në media, spitalet private ofrojnë shërbim të dobët shëndetësor dhe kosto shumë të lartë. Rastet jo te suksesshme që kanë ndodhur nuk kanë qenë në qendër të inspektimeve të institucioneve shtetërore përgjegjëse, duke lehtësuar punën e këtyre spitaleve dhe vështirësuar jetën e pacienteve.
Në këto kushte, në Shkurt të viti 2015, Banka Botërore, aprovoi fondin prej 31.1 milion Euro, në kuadër të Projektit për Përmirësimin e Sistemit Shëndetësor më Shqipëri, projekt ky që do të vinte në bashkëpunim me qeverinë Shqiptare[1].
Shqipëria i është bashkuar Bankës Botërore në vitin 1991 dhe që nga ajo kohë janë nënshkruar rreth 84 projekte duke kapur vlerën e 2.1 miliard dollar, të cilat u janë dhuruar shtetit tonë nëpërmjet fondeve IDA dhe IBRD. Banka Botërore, si një partner i fuqishëm dhe i besueshëm, nuk ka arritur ende të ndryshojë apo përmirësojë kushtet në sistemin shëndetësor shqiptar. Mungesa e vullnetit politik si dhe aferat korruptive, nuk lejojnë hapjen e shtigjeve të reja dhe përmirësimin e kushteve primitive në sektorin mjekësor shqiptar. Për ti ardhur në ndihmë këtij konstatimi, mjafton të ndjekim median dhe ato çfarë raportohen aty. Jo më larg se më 12 Maj, gazeta Panorama denoncon rastin e 6 pacientëve që vuanin nga HIV/AIDS, të cilët humbën jetës si rezultat i mungesës së ilaçeve në pavijonin e infektivit në Qendrën Spitalore Nënë Tereza në Tiranë[2].
Ndërkohë, jo më larg se një muaj më parë, APPA, raportoi nëpërmjet raportit të muajit prill, fenomenin e mungesës së medikamenteve bazike në spitale[3].
Për t’ju rikthyer edhe një herë fenomenit të liberalizimit të sistemit mjekësor, mbetet ende e paqartë dhe gjithmonë e më shumë dyshuese liria absolute e këtyre veprimtarive private, të cilat më shumë ngjasojnë me agjenci biznesi se sa agjentë në shërbim shëndetësor. Domosdoshmëria për të ngritur një strukturë funksionale në këtë sistem është emergjente. Sot, më shumë se kurrë, Shqipërisë i duhet: (i) Implementimi i strategjive si dhe politikave të cilat përmirësojnë shërbimin shëndetësor në sektorin publik; (ii) Forcimi i kapaciteteve menaxheriale të institucioneve shëndetësore përmes implementimit të modeleve bashkëkohore në menaxhimin shëndetësor duke garantuar në këtë mënyrë që do të jetë “pacienti” në krye dhe kryefjala e sistemit shëndetësor shqiptar.
2-Një qendër konsulte për të shmangur radhët e gjata
Një nga lajmet e arritjeve të Ministrisë së Shëndetësisë, ndër të tjera është dhe lajmi mbi ngritjen e një qendre të konsultës ambulatore pranë QSUT-ës[4]. Në përurimin e kësaj qendre, ishte i pranishëm dhe Kryeministri i vendit, Edi Rama. Kjo qendër do të jetë në shërbim vetëm për ata pacientë të cilët do të kërkojnë shërbim mjekësor në lidhje me sëmundjet e brendshme dhe kirurgjikale. Qëllimi i krijimit të saj, (eveniment për sistemin shëndetësor shqiptar, domosdoshmëri absolute në çdo vend të botës, mungesa e së cilës rithekson dhe një herë gjendjen e mjerueshme në të cilën ndodhet mjekësia në Shqipëri), është për të shmangur radhët e gjata nëpër sportele. Ky është argumenti që ka ngritur faqja zyrtare e Ministrisë së Shëndetësisë në artikulimin e detajuar të lajmit në fjalë.
Në fakt, qendrat e konsultës ambulatore, të cilat dikur mirë funksiononin në Shqipëri në çdo zonë të populluar, janë dyert e para ku duhet të trokasë çdo qytetar në momentin që ballafaqohet me një problem shëndetësor. Qëllimi parësor i tyre është të japë ndihmën e parë për njerëzit që kërkojnë ndihmë shëndetësore si dhe të diagnostikojë çdo pacient duke dhënë ose jo rekomandimin për vizitë më të detajuar në spital. Në rast se në Shqipëri, këto lloj qendrash do të funksiononin, atëherë nuk do të ishin shpenzuar 110 milionë lekët, që shkuan në ngritjen e qendrës së konsultës në QSUT, ku ndër të tjera, ashtu sikurse u përmend dhe më lart, vendi i saj nuk është në QSUT, por në çdo zonë të banuar me qytetarë shqiptar. Në një sistem të ngritur mirë, sigurisht që do të shmangeshin radhët e gjata, megjithëse kam frikë se dhe në këtë rast argumenti nuk qëndron, pasi qëllimi në vetvete nuk duhet të jetë shmangia e radhëve, por shërbimi cilësor me mjetet e duhura dhe në kohën e duhur.
[1] World Bank http://www.worldbank.org/en/neës/press-release/2015/02/27/ëorld-bank-to-help-improve-quality-access-and-efficiency-of-albanias-health-care-system aksesuar për herë të fundit më 28 Maj 2016
[2] Gazeta Panorma http://www.panorama.com.al/mungesa-e-ilaceve-opozita-akuza-beqajt-kane-humbur-jeten-6-paciente-me-sida/ aksesuar për herë të fundit më 28 Maj 2016
[3] APPA Think Tank https://appa.brentonkotorri.com/raport-prill-2016-ministria-e-shendetesise/ aksesuar për herë të fundit më 28 Maj 2016
[4] Ministria e Shëndetësisë http://www.shendetesia.gov.al/al/neësroom/lajme/qender-moderne-e-konsultes-ambulatore-ne-qsut&page=1 aksesuar për herë të fundit më 25 Maj 2016