
Flutura GJANA, MSc
- Mbetjet Urbane
Mbetjet Urbane vazhdojnë të mbetem një shqetësim për sa i përket cilësisë së mjedisit, e cila ndikon drejtpërdrejtë në cilësinë e jetës së popullsisë që jeton në territorin shqiptar. Problem i cili është shumë më i zhvilluar në qendrat e mëdha urbane si Tirana, Elbasani, Durrësi, Vlora, Shkodra etj. Mungesa e sistemeve të grumbullimit dhe atyre të trajtimit të mbetjeve urbane janë dy shkaqet kryesore të kësaj problematike.
Situata pritej të përmirësohej me miratimin e ’’Strategjisë Kombëtare të Menaxhimit të Mbetjeve’’ [1] dhe ’’Planit Kombëtar të Menaxhimit të Mbetjeve’’[2]. Si plani, ashtu edhe strategjia u miratuan[3] me Vendim të Këshillit të Ministrave më 9 prill të vitit 2011. Por, impaktet pozitive që priteshin të dukeshin që në 5 vjeçarin e parë të implementimit të kësaj strategjie nuk duken gjëkundi.
Në strategji citohet se brenda vitit 2015 duhet të arrihet:
- Të realizohet mbledhja e mbetjeve sipas kategorive: letër, metal, plastike dhe qelq deri në 2015
- Të arrihet menaxhim i mbetjeve, parandalim i hedhjes së paautorizuar së mbetjeve dhe jo të miratuara nga autoritetet lokale deri në 2015,
- Sasia e mbetjeve të mbledhura nga autoritetet lokale të cilat janë ricikluar apo përzier të rritet në 25% deri në vitin 2015,
- Të ndërtohet një impiant djegieje në bashkëpunim me industrinë deri në fund të vitit 2015
- Konvertimin e landfilleve në një metodologji të verifikueshme deri në vitin 2015,
Secili nga ne mund të thotë me kompetencë të plotë që nuk është përmbushur asnjë nga pikat e lartpërmendura. Ku qëndron vlera e miratimit të planeve apo strategjive(?) kur asnjë nga këto nuk merret ’’seriozisht’’ nga institucionet tona dhe drejtuesit e tyre.
Më e keqja është se ne akoma nuk e dimë se me çfarë kemi të bëjmë. Kjo vjen si pasojë e mungesës së të dhënave të përditësuara për sasinë dhe llojin e mbetjeve. Në kushtet, kur përballemi me mungesë të të dhënave çështja bëhet edhe më e rëndë. Diskutimi për menaxhimin e mbetjeve nuk ka më vlerë për politika që drejtojnë menaxhimin sepse është e pamundur të gjenerohen dhe të implementohen politika në mungesa të një sistemi kombëtar të raportimit standard. Me doemos duhet të analizohet se sa kemi për të menaxhuar për të pasur politika të drejta të menaxhimit të mbetjeve.
Problemi i menaxhimit të mbetjeve në Shqipëri nuk vjen si mungesë e ligjeve (që natyrisht kanë nevojë të përmirësohen edhe më tej), por si mungesë e planifikimit të burimeve njerëzore, financiare dhe investimeve në infrastrukturë, si mungesë e kapaciteteve teknike, e komunikimit të dobët midis qeverisë lokale dhe qendrore mbi çështjet e mbetjeve, bashkëpunimit të dobët midis autoriteteve lokale dhe kompanive private, si dhe mungesës së infrastrukturës së nevojshme për t’i mbledhur dhe për t’i përpunuar ato.
Politikat mjedisore në Shqipëri dhe vetë realiteti shqiptar, po përballen me një sërë problematikash dhe shqetësimesh të dukshme. Shqipërisë, përkatësisht qeverisë dhe Ministrisë së Mjedisit i mungon vizioni afatgjatë për të menaxhuar çdo aspekt që lidhet me mbetjet urbane. Për ndërtimin e një Shqipërie të qëndrueshme Ministria duhet të ndjekë objektivin që ka vendosur që të mund të sigurohet përparimi drejt menaxhimit të qëndrueshëm të mbetjeve.
I rikujtojmë Ministrisë së Mjedisit që sipas Direktivës 1999/31/KE[4], shtetet anëtare detyrohen të reduktojnë sasinë e mbetjeve biodegradueshme me 35% deri në 2016.
[1] Strategjia Kombëtare Shqiptare mbi Mbetjet
(http://www.riciklimi.al/uploads/documents/424728857-1351123004.pdf)
[2] Plani Kombëtar i Menaxhimit të Mbetjeve
(http://www.riciklimi.al/uploads/documents/1419094604-1351202813.pdf)
[3] Fletorja Zyrtare e Republikës së Shqipërisë
(http://www.qbz.gov.al/botime/fletore_zyrtare/2011/PDF-2011/36-2011.pdf)
[4]Council Directive 1999/21/EC
(http://eur-lex.europa.eu/LexUriServ/LexUriServ.do?uri=OJ:L:1999:182:0001:0001:EN:PDF)