
Brenton KOTORRI, BA
1- Kodheli vetëledhatohet në Hamburg
Pranvera e tretë e qeverisë Rama nuk mund të mos shoqërohej me shopingun sezonal. Skandali në fjalë u raportua gjerësisht prej disa mediave gjermane dhe mediave shqiptare gjithashtu. Ministrja Kodheli gjatë një vizite zyrtare në Gjermani, ka përdorur eskortën shtetërore për të bërë Pazar personal. Gazeta e përditshme gjermane, “Hamburg Morning Post” i ka kushtuar një shkrim një shëtitje të ministres Mimi Kodheli në dyqanet e famshme në Hamburg.
Tabloidi gjerman shkruan se, Kodheli ka shkuar në dyqanet e zonës Alsterhaus, duke kaluar plot të dy orë atje, por nuk jep informacion se sa mund të ketë shpenzuar ministrja shqiptare. “Tri limuzina me drita të ndezura, një Mercedes S-Class dhe një automjet i policisë ushtarake. Vizitë shtetërore? Jo, ministrja shqiptare e Mbrojtjes, Mimi Kodheli po bën pazar. Pas vizitës në Berlin, Kodheli shkoi në Hamburg me helikopter. Në këtë qytet, ministrja e Mbrojtjes ka bërë dy orë shopping në dyqanet VIP të Alsterhaus”,- shkruan “Hamburg Morning Post”[1]. Në gazetë thuhet se, Mimi Kodheli që nga e Hëna ndodhet në Gjermani për të takuar homologen gjermane ku diskutohej për situatën në Ballkan dhe marrëdhëniet me Rusinë[2]. Më pas ajo është parë me Hummer dhe makina të tjera luksoze nëpër dyqanet e kushtueshme VIP të Alsterhaus. Gazetari është përpjekur të marrë vesh nga shitësit për shpenzimet që ka bërë ministrja, por nuk ka mundur të zbulojë diçka të tillë. Ajo që ka çuditur të gjithë është fakti se Mimi Kodheli shoqërohej nga makina të shumta luksoze.
Ndoshta ajo mund ta ketë menduar si një shpërblim të vogël për veten pas suksesit në parlament të miratimit të ligjit për faljen e detyrimeve të pensioneve të ushtarakëve[3], a thua se shteti i kishte trajtuar aq mirë deri më tani. Aktiviteti privat i ministres Kodheli që krekosej në restorantet e luksit dhe dyqanet e shtrenjta të Gjermanisë[4] tërhoqi vëmendjen e gjermanëve, jo se ata nuk janë mësuar me njerëz të pasur, por ngase nuk janë mësuar me paseriozitet dhe abuzim të tillë me detyrën. Ministrja Kodheli, nuk ka hezituar ta ndajë këtë shëtitje private me shpenzime shtetërore as në mediat sociale, duke shprehur një lumturi të tejskajshme pa kaluar as 40 ditë nga varrosja e dy efektivëve të FA që e humbën jetën para syve të saj. Tragjedi, për të cilën me mbylljen e hetimeve deklaruan që të paktën nuk e ka fajin Shtabi i FA dhe as ministria[5], por se çfarë ndodhi në të vërtetë duket se nuk kanë ndërmend ta hetojnë.
Arroganca e shfaqur hapur duket që kur i drejtohet koleges së vet gjermane me etiketimin “mikesha ime”, një gjest që e bëjnë përgjithësisht vetëm politikanë të dorës së dytë të botës së tretë për t’i rritur rëndësinë vetes; ndërkohë që as njerëz të rëndomtë të cilëve u lejohet mungesa e kortezisë nuk krenohen se ushqehen për drekë e darkë me bazë peshku sikurse bën ministrja jonë[6]. Me një skandal të tillë, në perëndim ministri dorëhiqet, ose minimalisht kërkon falje. Shembulli i një standardi të lartë për këtë, është ish-ministri australian i Pushtetit Lokal, i cili vetëm pse u akuzua për fjalor vulgar nga një kamariere në Hong Kong, dha dorëheqjen për të ruajtur dinjitetin e qeverisë dhe të vendit të vet[7]. Por ky nuk mund të jetë kurrsesi rasti i Kodhelit ajo nuk është australiane, dhe as ne në fakt.
2- Kush e mbron shtetin?
Ministria e Mbrojtjes ka përjetuar edhe një turp tjetër gjatë muajit maj. Një pakujdesi e pafalshme ka bërë të mundur që Ministria e Mbrojtjes të miratojë pa teklif një marrëveshje qiradhënieje për Kombinatin Mekanik të Poliçanit ndaj një kompanie Bullgare që po hetohet për lidhje me krimin e organizuar ndërkombëtar. Pas një kërkese për të drejtë informimi nga ana e BIRN, Ministria e Mbrojtjes tha se i është përgjigjur kërkesës së Ministrisë së Ekonomisë duke deklaruar se ajo është dakord me dhënien me qira. BIRN mësoi gjithashtu se plani është që kombinati të jepet me qira me vlerën simbolike prej 1 euro, si pjesë e deklaratave të qeverisë për nxitjen e investimeve në ekonominë shqiptare. Por të dhëna të siguruara nga BIRN tregojnë se kjo kompani është e lidhur me një prej figurave më famëkeqe të krimit të organizuar në Bullgari. BIRN ka mësuar gjithashtu se përveç kompanisë Bullgare, dy kompani të mirënjohura amerikane që operojnë në fushën ushtarake ishin të interesuara për marrjen në shfrytëzim kombinatit së Poliçanit, por kërkesat e tyre janë hedhur poshtë. Nuk janë dhënë sqarime pse u preferuan bullgarët përballë amerikanëve[8].
3- NATO
Lajme relativisht të mira vijnë nga NATO. Relativisht, duke mbajtur parasysh se nuk ka asnjë studim të deritanishëm lidhur mbi bilancin kosto – përfitim të anëtarësimit tonë në aleancë. Sidoqoftë, së shpejti do të ngrihet në Shqipëri një Qendër Ekselence e NATOs[9]. Asambleja Parlamentare e NATOs, një organizim periferik ndaj aleancës në vetvete, por me përfaqësues të mesëm të vendeve anëtare u mblodh në Shqipëri në fund të muajit, pa gjasa për ndonjë produkt ndryshimsjellës. Së fundmi, në kuadër të NATOs[10], një grup ushtarësh shqiptarë kanë realizuar me sukses një stërvitje të detajuar në Poloni[11]. Për asnjë prej këtyre ngjarjeve, ministria nuk informon për të mirat dhe përfitimet që ka Shqipëria. Gjë që ne e kërkojmë të ndodhë sa më shpejt për një publik më të mirinformuar në përmbajtje dhe jo në formë.
[1] Hamburg Morning Post http://www.mopo.de/hamburg/staatsbesuch-aus-albanien-verteidigungs-ministerin-shoppt-im-alsterhaus-24042928
[2] Lapsi.al http://www.lapsi.al/node/30302#.V0oX-5F9602
[3] Falen detyrimet per ushtaraket http://www.mbrojtja.gov.al/index.php/neësroom-2/1731-miratohet-ligji-per-faljen-e-detyrimeve-te-ish-ushtarakeve
[4] Selfie e ministers http://www.mapo.al/2016/05/kjo-eshte-ina-dhe-eshte-eskorta-me-e-miregafa-e-rende-e-ministres
[5] Deklarata per mbylljen e hetimeve http://www.mbrojtja.gov.al/index.php/neësroom-2/1727-2016-04-28-14-04-36
[6] Axhenda e vizitës http://www.mapo.al/2016/05/portali-gjerman-mopo-kodheli-pas-shoppingut-peshk-per-dreke-dhe-darke dhe http://www.gazetadita.al/axhenda-ky-ishte-programi-i-ministres-kodheli-gjate-vizites-ne-gjermani/
[7] Doreheqja e ministrit Australian http://www.telegraph.co.uk/neës/ëorldneës/australiaandthepacific/australia/12072336/Australian-government-minister-resigns-over-incident-in-Hong-Kong-bar-ëith-female-public-servant.html
[8] Reporter.al http://www.reporter.al/kompania-me-lidhje-me-krimin-e-organizuar-kerkon-me-qira-kombinatin-armeve/
[9] Qendra e studimeve NATO http://www.mbrojtja.gov.al/index.php/neësroom-2/1754-ne-shqiperi-do-te-ngrihet-nje-qender-ekselente-e-nato
[10] Asambleja Parlamentare https://www.youtube.com/ëatch?v=Ëgs_Z5_NTec dhe http://www.balkanëeb.com/site/shqiperia-mirepret-asamblene-parlamentare-te-nato-s-ja-cfare-u-diskutua-ne-diten-e-pare/
[11] Stërvitja në Poloni http://www.mapo.al/2016/05/video-krenohet-kodheli-keta-jane-zemerluanet-qe-po-na-nderojne