
Blerina LLALLA, MSc
Muaji Maj në Ministrinë e Kulturës vijon me një sërë aktivitetesh artistike kulturore organizuar nga institucionet e vartësisë apo me mbështetjen e këtij dikasteri. Ajo qe po vëmë re kryesisht këtë periudhe mbetet konteksti formal dhe promovues (një gjë e mire ne lidhje me promovimin për disa artiste apo individë) por që ngre pikëpyetje mbi aspekte të tjera të aktivitetit të punës së kësaj Ministrie, pasi ajo çka kemi nevojë të shohim nga liderët e këtij institucioni është jo vetëm pjesëmarrja në aktivitete apo evente artistike të shumëpritura por edhe një diskutim e bashkëpunim më i gjerë në hartimin dhe përpilimin e politikave të reja apo raportimeve më konkrete mbi projekte në sektorin e kulturës dhe trashëgimisë kulturore, sidomos në periudhën e lulëzimit të turizmit kulturor. Por këtë herë do të ndalemi në aspekte të tjera të punës së kësaj Ministrie pasi do të donim të dënim më konkretisht deri ku jemi me disa procese të nisura prej kohësh dhe për të cilat nuk kemi një informim në mënyre konstante.
Dy fjalë për të shumëpriturën reformë ligjore të trashëgimisë kulturore
Prej rreth dy vitesh qëndrojmë në pritje të riformulimit të Ligjit për Trashëgiminë Kulturore, proces mbi të cilin nuk ka pasur një informim në mënyrë konstante ndaj publikut. Ndërkohë që do të ishte shumë e nevojshme duke iu referuar zhvillimeve të fundit në kontekstin menaxheriale te institucioneve të linjës dhe implementimit të programeve apo praktikave të ruajtjes, mirëmbajtjes e zhvillimit të projekteve ne funksion të konservimit, promovimit apo mirëmbajtjes dhe shfrytëzimit te monumenteve te kulturës shqiptare. Publikimi i fundit mbi procesin e punës për reformën ligjore në sektorin e trashëgimisë kulturore daton rreth tetë muaj më parë, kjo publikuar vetëm në faqen zyrtare të MK në rrjetet sociale, gjatë një takimi me përfaqësues të Bordit të Drejtorëve të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim. Në muajt në vijim e deri më sot ende nuk kemi një konkretizim të kësaj nisme.
Nëse do t’i hidhnim një vështrim historikut të përpunimit apo ndryshimeve në ligjin për trashëgiminë kulturore në vendin tonë, edhe pse pas viteve të tranzicionit ka pësuar përmirësime, jemi të ndërgjegjshëm që ka sërish hapësira për tu përshtatur apo ndryshuar dhe në bazë të sugjerimeve të eksperteve vendas apo të huaj. Nevoja për rishikim ekziston edhe pas ndërhyrjeve të kryera nën ndikimin e legjislacioneve të vendeve perëndimore me dëshirën e mirë dhe përpjekjen për tu përshtatu me to apo praktika të avancuara bashkëkohore. Kjo nevojë vjen jo vetëm për tu renditur kah aleatëve ndërkombëtare në politikat e fushës por edhe për faktin se sistemi aktual i Trashëgimisë Kulturore në vendin tonë kërkon një riorganizim rrënjësor për të siguruar së pari një administrim dhe menaxhim më të mirë sipas standardeve dhe risive të kohës në funksion të ruajtjes, zhvillimit, mbrojtjes e konservimit të elementeve të rëndësishme të kësaj trashëgimie, ndër vlerat me të larta të kombit tonë. Këtu mund të kujtojmë se në disa raste gjendemi edhe përpara vendimesh apo urdhëresash të cilat ndodh të mos jenë efektive në masën e duhur për efekte kushtëzimi nga kjo prapavijë ligjore. Kjo nuk do të nënkuptonte dështimin apo cilësinë e ligjit aktual, por nevojën për rishikim dhe riformulim pasi rëndom nuk gjen zbatim apo nuk respektohet në masën e duhur. Gjithashtu ndodh të krijohen konfuzione apo debate pasi udhëzimet ligjore mund të jenë të paqarta dhe hasin vështirësi në fazën e aplikimit.
Për sa i përket përcaktimeve të detyrimeve të pushtetit vendor, lidhur me mbrojtjen dhe ruajtje e trashëgimisë kulturore në territorin e tyre nuk janë të qarta, gjë qe në disa raste ka çuar edhe në përplasje te institucioneve të kulturës në nivel qendror apo atyre të vartësisë, në përplasje me institucionet e pushtetit vendor, siç do te ishte dhe rasti i disa muajve më pare për restaurimin e Piramidës, ne Tiranë me status – monument kulture i kategorisë së dyte. Sipas ligjit përkatës në Shqipëri Trashëgimia kulturore materiale dhe jo materiale, e luajtshme dhe e paluajtshme në Shqipëri u adresohet tre pronarëve të ligjshëm që janë: Shteti, Institucionet Fetare dhe personat private. Prandaj përpos shumë ndryshimeve të nevojshme, duhen ri parë edhe përcaktimet e qarta të kompetencave dhe të përgjegjësive të institucioneve brenda vetë sistemit përgjegjës për trashëgiminë kulturore, gjë që në disa raste ka sjellë edhe përplasje midis tyre.
Një tjetër rast për rishikim që kërkon reformimin e këtij kuadri ligjor është nevoja për të siguruar harmoninë e këtij ligji me ligjet e tjera që lidhen me buxhetimin, turizmin, planifikimin e territorit, mbrojtjen dhe aplikimin konkret të sanksioneve në rastet e kundërvajtjes etj. Kështu që lind nevoja edhe për forcimin e mekanizmave të penalizimeve ndaj atyre që dëmtojnë trashëgiminë kulturore. Në ligjin aktual gjenden disa formulime që janë pothuajse të pazbatueshëm, ndaj duhet bërë një përcaktimi i masës së gjobave në nivele më të larta, për të ndëshkuar realisht krimin ndaj veprave të trashëgimisë kulturore si dhe të sigurohet struktura e duhur organizative për monitorimin dhe inspektimin në terren të rasteve abuzive. Aktualisht dimë se masat ndëshkimore aplikohen nga Drejtoritë Rajonale te TK nëpër rrethe sipas kontestimeve përkatëse apo te rastit. Prandaj do te ishte e nevojshme mundësia e krijimit te një strukture e cila do te mund të përfshinte dhe një inspektorat të çështjeve të trashëgimisë i cili mund ti atashohej MK, DRK-ve në rrethe, puna e te cilëve do të konsistonte në terren me kontrolle periodike dhe raportime të herë pas hershme. Do të ishte i nevojshëm mbajtja në vëzhgim e terrenit në shumë aspekte, pasi edhe në rastet kur ka pasur kontestime për abuzime, masat ndëshkimore nuk janë aplikuar, kjo për sa i përket çështjes së gjobave. Abuzimet mund të jenë nga me të ndryshmet e te pafundmet, nga me të parëndësishmet deri tek ato më fatale por kjo nuk do të thotë që kjo pjesë e ligjit të qëndrojë e paralizuar dhe të papërgjegjshmit të mos ndëshkohen, sikurse ka ndodhur deri më sot duke filluar nga rastet më të lehta deri tek çështjet e trafikimit të veprave të artit apo të trashëgimisë kulturore janë inekzistente në “publik”, aq sa shumëkujt, ndodh qe nuk i shkon mendja kurrë se çfarë mund të ndodhe realisht dhe sa te renda janë këto akte në dëm të ruajtjes së pasurisë kulturore dhe ne funksion të humbjes së saj. Prandaj mund të themi, se në realitetin shqiptar, një nga problemet kryesore është mosveprimi i ligjit ndaj dëmtuesve.
Në kuadrin e kësaj linje te mendimit, mund te themi se është shumë e paqarte edhe situata e kontrollit te tregut te materialeve kulturore edhe pse jo të listuara në listën kombëtare te trashëgimisë. Është fjala për të gjitha at subjekte “antikuarësh” ose “vjetërsirave” “origjinale”, pasi ndodh që mes mallrave të këtyre subjekteve të gjenden dhe sende të çmuara të cilat mund të kalojnë pa u “vlerësuar” dhe të zhduken edhe jashtë territorit të Shqipërisë. Ndaj një emergjencë në këtë fushë është “firoja” e madhe e materialit vlera kulturore e çfarëdo natyre qoftë dhe pa dallim përmasash apo rëndësie (te regjistruara/certifikuara). Këtë e kupton edhe përgjatë një hulumtimi të zakonshëm në pazaret e qyteteve historike të cilat tashmë po tregtojnë në masë prototipe të riprodhuara keq të objekteve tradicionale po aq sa edhe mallra të importuara që nuk janë pjesë origjinale apo riprodhime të modeleve të prodhimit kulturor vendas sipas traditës.