![Rezarta CAUSHAJ, MSc](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2016/03/R.-Caushaj-300x300.jpg)
Rezarta CAUSHAJ, MSc
- Dita e Europës: Shqipëria Vs. BE
Po e fillojmë raportimin e këtij muaji me një krahasim të aktiviteteve të mbajtura me rastin e 9 Majit, i cili është festuar si në Tiranë, edhe në institucionet e BE. E njohur gjerësisht si Dita e Europës, kjo ditë rikujton Deklarata Schuman që shënoi fillimin e projektit politik të Bashkimit Europian që njohim sot. Në vendin tonë është zhvilluar nga Ministria e Integrimit një aktivitet i titulluar sporadikisht “EU Tranzit”, ku janë ftuar zyrtar shqiptar, europian e ambasador dhe i konceptuar si një aeroport, simbolika të bën të kuptosh se vendi jonë pret të marr avionin për në BE.
E gjithë Festa Tematike në fakt rezultoi thjeshtë një nga inskenimet e zakonshme, në të cilën u përfitua edhe një herë për të organizuar një panair për reklamim biznesi dhe për mbajtjen e fjalimeve të zakonshme. Duke iu referuar fjalimit të Znj. Gjosha , qytetarët shqiptar mund të mendojnë se mjafton miratimi i reformës në drejtësi nga palët për të hyrë në BE, ndërkohë që e vetmja shpresë që kemi me zbatimin e jo thjeshtë miratimin e reformës, është hapja zyrtare e negociatave për hyrjen në BE. Duhet të rikujtojmë ndoshta se edhe në rastin më optimist, fqinji jonë Serbia, e cila mori aprovimin në vitin 2014 për hapjen e negociatave, ende nuk ka filluar bisedimet për kapitujt e Aquis pas dy viteve. Vlerësojmë se organizimi i eventeve të tilla ka për qëllim vetëm t’i shërbejë një axhendë të kufizuar politike, ku tentohet të luhet me shpresat për hyrjen e shpejt në BE e ekzaltimin e zakonshëm të një turme të vogël në qendër të qytetit. Më konkretisht, thirrja e Ministrit ndaj qytetarëve për të ecur shpejt përndryshe do humbasin avionin për në BE nuk ka sens në një vend ku qytetarët nuk janë përgjegjës për mos përparimin në reforma.
Ndërkohë, në BE festimet përqendrohen kryesisht në Bruksel e Strasburg dhe më shumë se festë shërben si një ditë ndërgjegjësimi, sidomos ri kujtesë mbi fillesat e BE dhe arsyet e krijimit të tij për t’i dhënë fund luftërave në Europë. Presidenti Schulz, duke iu referuar idesë së krijimit të BE jo menjëherë, por hap pas hapi nëpërmjet arritjesh konkret, I mëshoi fortë respektimit të të drejtave të njeriut, paqes dhe faktit që ka ardhur koha që të luftohet për BE . Më tepër se rikujtimin e një ditë, BE hap dyert e institucioneve gjatë gjithë muajit dhe aktivitetet janë kryesisht debate mbi problemet më të nxehta të BE, seminare më anë të të cilave zbulohen shqetësimet e një qytetari europian, stenda ku ofrohet informacion qytetarëve e deri te festivalet rajonale. Duke qenë se vetë BE gjendet vetë në një moment krize, është e rëndësishme analizimi i këtyre aktiviteteve si një mënyrë për të reflektuar se cila është qasja më e mirë për zgjidhjen e problemeve, ku orientimi ndaj qytetarëve, pyetja e përfshirja e tyre është gjithmonë një fillim i mirë.
2. Gjithëpërfshirja
Është trajtuar në Sesionin Përmbledhës të Konventës për Integrimin Europian çështja e institucionalizimit të debatit mbi procesin e integrimit, duke tentuar të përfshihen edhe aktor nga biznesi apo shoqëria civile. Kjo nismë është e mirëpritur duke qenë se BE ka përsëritur herë pas here mungesën jo vetëm të pjesëmarrjes së shoqërisë civile, por mungesën në vendimmarrje të saj.
Në këtë aspekt na ka habitur deklarata e Znj. Gjosha, ku konkretisht ajo shprehet “Ministria e Integrimit i është përmbajtur rolit të saj koordinues për të standardizuar konsultimet më këta aktorë, duke i pasur periodike ku veçanërisht me shoqërinë civile jemi përpjekur të kemi një bashkëpunim konkret dhe të frytshëm”, tha Ministrja Gjosha”. Habia vjen për shkak se në asnjë cep të portalit zyrtar të Ministrisë nuk gjenden takime periodike me shoqërinë civile, nuk gjenden shpallje për takime, nuk gjenden axhenda për diskutime me shoqërinë civile. Në vazhdën e kësaj që sapo thamë, në Konventë janë formuar 4 grupe pune me pjesëmarrje nga institucione shtetërore, OJF, sektor privat, media e akademik. Natyrisht asnjë e dhënë nuk publikohet mbi kriteret e zgjedhjes së tyre apo sa ka qenë koha e paralajmëruar për përfshirjen e tyre.
Për të njëjtën problematik është shprehur këtë muaj edhe Këshilli Kombëtar i Integrimit , ku në mbledhjen e radhës është lajmëruar se së shpejti do nisin një sërë aktivitetesh nëpër rrethe, që kanë për qëllim informimin mbi përfshirjen e grupeve të ndryshme të interesit si dhe mbajtjen e Shkollës Verore për Çështjet e Integrimit për herë të parë me shpresën e krijimit të një akademie rajonale që do të aftësojë një grup negociator me bazë të gjerë, i cili të ofrojë ekspertizë duke u angazhuar në proces.
Vlerësojmë se të dyja këto nisma do të ishin mjaftë pozitive nëse do të realizoheshin mbi baza meritokracie, pa u ndikuar nga përzgjedhjet partiake apo njohjet personale.
3. IPARD në vëmendje
Programi i Instrumentit të Para Aderimit për Zhvillimin Rural, i parashikuar të ndihmojë vendet aspirante për ngritjen e programeve të zhvillimit të bujqësisë në standardet e BE, ka ardhur në vëmendje këtë muaj pas konfirmimit se ky program do të kompensojë dëmet e pësuara nga fermerët gjatë përmbytjeve të shkurtit 2015, nga i cili kanë përfituar 3,529 fermerë me negocim të Ministrisë së Integrimit.
Duke marr shkas, jemi përpjekur të gjejmë se si ka qenë ecuria e programit deri më sot, cilat kanë qenë arritjet apo projektet e zbatuara, a kanë qenë ose jo të suksesshme.
Nga çka zbuluam, duke hulumtuar ueb sajtin e Agjencisë Kombëtare për Zhvillim Rural dhe Bujqësor, është që shumica e këtyre fondeve përdoren vetëm si mjet subvencionimi, ku një ide më të saktë e jep një VKM e datës 10.02.2016 , e cila përshkruan të gjitha rastet kur ofrohet subvencioni dhe masa e përfituar. Nuk ka asnjë referencë se çfarë mund të bëhet për të inkurajuar përdorimin e teknologjive moderne në sektorët e bujqësi-blegtorisë, që është një nga qëllimet e programit. Ajo çka nuk sqarohet, por nënkuptohet edhe duke i hedhur një sy seksionit të “Pyetjeve më të shpeshta” është se buxheti i limituar kushtëzon numrin e përfituesve nga njëra anë dhe nga ana tjetër, që nuk ka një dokument strategjik, i cili të evidentojë cilat janë problemet më të mprehta, nevojat më emergjente si dhe një hierarki prioritetesh që të orientojë programin bazuar edhe në mundësitë financiare që ofron.
Një shembull mjaftë i mirë për t’u marr parasysh në këtë rast do të ishte ai i vendit fqinj, Serbisë, ku Ministria e Agrikulturës dhe Mbrojtjes së Mjedisit ka bërë zbërthimin e programit në fjalë për periudhën 2014-2020 , duke zbuluar çka çalon e cilat janë fushat me më shamë potencial zhvillimi.