
Elena Pici, MSc
1. Ballafaqimi me të vërtetat
Gjatë muajit Maj, fjalimet që u mbajtën gjatë ‘Dialogut politik të nivelit të lartë mbi klimën e biznesit dhe tërheqjes së investimeve’, sollën në vëmendje të vërteta mbi ecurinë ekonomike të Shqipërisë. Përfaqësuesja e Bankës Botërore për Shqipërinë, znj. Tahseen Sayed mbajti një fjalim me kontekst historik për rritjen ekonomike të vendit, ku theksoi dy pika të rëndësishme. E para, që Shqipëria ka pasur rritje shumë të fuqishme në periudhën nga viti 1992 deri në vitin 2008, kohë gjatë së cilës mirëqenia u rrit, varfëria u ul dhe hendeku mes nivelit ekonomik të shqiptarëve dhe hendekut ekonomik të europianëve u pakësua, sido që, ky ngushtim hendeku nisi nga një bazë shumë e ulët dhe mbetet sot në nivele shumë të larta. E dyta, që nga viti 2008 deri më sot, varfëria është rritur në vend që të ulet dhe ngushtimi i hendekut mes nivelit ekonomik të Shqipërisë dhe të BE-së ka ndaluar së pakësuari. Mbi të gjitha ajo shtoi se institucioni që përfaqëson parashikon se: ‘Shqipërisë i duhet një rritje mesatare mbi 4,5 përqind në vit me qëllim që të arrijë standardet e jetesës të BE brenda disa dekadave’.[1]
Në fakt pritshmëritë në fillim vitet 2000, llogarisnin një skenar të mundshëm të rritjes së ekonomisë shqiptare me 6 për qind në vit, ndërsa ekonomia e Bashkimit Europian do të rritej me 2 për qind në vit dhe atëherë ekonomia shqiptare do të barazohej me mesataren e Bashkimit Europian në vitin 2046[2]. Realiteti është që rritja ekonomike prej 4,5 për qind, për të cilën flet znj. Sayed, nuk është parë që nga viti 2008. As perspektiva nuk është kaq e afërt, pasi në vitin 2014, Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikonte që Shqipëria do të kthehej tek rritja 4.5 për qind në vitin 2018, por parashikimet aktuale e shtyjnë atë në 2021[3].
Sigurisht që realiteti i sotëm ekonomik është pasqyrim i vendimeve të marra gjatë 2 dekadave të fundit dhe jo vetëm dy viteve të fundit, si dhe reflekton faktorë të jashtëm të krizës financiare të 2008. Sistemi i administrimit të buxhetit të shtetit dhe të borxhit publik kanë qenë faktorë kyç për mos realizimet. Në vend që Shqipëria të shlyente një pjesë të borxhit publik mes viteve 2002 dhe 2008, kur ekonomia qe në rritje, borxhe të reja u morën për të ndërtuar rrugë ku nuk ka makina për të qarkulluar, për të rritur paga e pensione me ritëm më të shpejtë se sa rritja ekonomike e për të instaluar sistemin e votave në këmbim të vendeve të punës. Borxhi publik është kthyer në një formë skeme piramidale, interesat e të cilit janë efektivisht më të shtrenjta se sa rritja ekonomike e vendit. Megjithatë, ajo që mendojmë se i takon qeverisë aktuale (si fillim) është ballafaqimi me të vërtetat.
Ministri Ahmetaj në po të njëjtin event u shpreh se: ‘Në qoftë se Bashkimi Europian sot rritet me 1 për qind dhe ne rritemi me 6 për qind, vetëm në vitin 2038 të ardhurat për frymë të qytetarëve shqiptarëve do të barazohen me të ardhurat për frymë të qytetarëve të Bashkimit Europian’. Teorikisht një grafik i thjeshtë makroekonomie do të na nxirrte këtë rezultat, por sa realisht e mundshme është kjo? BE nuk është shembulli i rritjes ekonomike, por gjithsesi vazhdon ta ketë më të lartë rritjen se 1% (1.4% dhe 1.9% në 2014 dhe 2015 respektivisht[4]). Nga ana tjetër, siç parashtruam dhe më sipër, skenari i zhvillimit të Shqipërisë është larg 4.5%-shit, kështu që sigurisht edhe më larg 6%-shit (të paktën për një dekadë). Për më tepër, gjykojmë se përqendrimi i shumtë tek shifrat si të ardhura për frymë nuk pasqyrojnë realisht zhvillimin e standardit të jetesës në një ekonomi gjithëpërfshirëse. Kjo do të thotë se mesatarisht të ardhurat për frymë mund të rriten, por kjo rritje mund të vijë si pasojë e shtimit të të ardhurave vetëm tek top 10% më i pasur i popullatës. Kur kjo rritje pjesëtohet për numrin e popullsisë, eklipson në fakt një situatë të rritjes së pabarazive në të ardhura. Prandaj, që një ekonomi të jetë njerëzore (human ekonomi, ekonomi for the people), e ardhura për frymë si indikator duhet të shoqërohet me të dhënat për uljen e varfërisë, uljen e papunësisë etj.
Duket se Ministri Ahmetaj nuk ballafaqohet as më të vërtetën e deflacionit[5]. Në një takim me studentët e fakultetit të ekonomisë, z. Ministër u shpreh: ‘Përtej debatit politik që dëgjoni “ra ekonomia”, “deflacioni”, se e marrin deflacionin dhe duan ta kthejnë në një instrument politik pa i hyrë fare cilësisë dhe statistikës dhe bazës përtej shifrës, këto janë shifra që tregojnë se ekonomia shqiptare ka dalë nga kriza. Legjenda e konsumit ju jep një shifër shumë interesante, me tre tremujor radhazi me rritje. Tremujori i tretë i vitit 2015, tremujori i katërt i vitit 2015 dhe tremujori i pari i këtij viti ka rritje të konsoliduar konsumi’. Ne nuk dimë të dhëna publike për konsumin e tremujorit të parë të 2016-tës, por në lidhje më 2015, vetë INSTAT konfirmon uljen me 0.2% të konsumit. Për me tepër kjo ulje vjen për herë të parë që nga 2001 dhe për vitin 2015 ka pasur ulje vetëm në Shqipëri dhe Serbi, krahasuar me vendet e tjera të rajonit[6].
Edhe në konferencën “Reforma në Ekonomi dhe Klima e Biznesit”, organizuar nga Ministria e Financave gjatë këtij muaji, Kryeministri shmang të vërtetat e ankesave të biznesit[7]. Në fakt nuk janë fokus i këtij raporti qëndrimet e Kryeministrit[8], por ne gjykojmë se një ndërhyrje e Ministrit Ahmetaj në atë rast do të ishte me vend për të treguar mbështetjen ndaj bizneseve. Vetëm në atë skenar retorika e vazhdueshme e institucioneve të financave në lidhje me partneritetit me biznesin do të kishte pasqyrim konkret.
Ndoshta nga pikëpamja e politikë-bërjes, pretendimi ynë për ballafaqim me të vërtetat gjatë ligjërimin publik është i tepër. Ndoshta secili nga ne Ministër do t’i interpretonte faktet në atë këndvështrim që të pasqyronin rritje ekonomike. Megjithatë, ballafaqimi me të vërtetat është edhe më i rëndësishëm gjatë marrjes së vendimeve dhe reformave. Edhe nëse nuk duan të pranojnë deflacionin (ose kanë pikëpamje të ndryshme rreth tij), të paktën është e rëndësishme veprimi kundra tij me instrumentet e duhur ekonomikë. Në kushtet e inflacionit të ulët këshillohen politika stimuluese monetare (ulje e normës së interesit) dhe fiskale (rritje të shpenzimeve qeveritare). Ulja e normës së interesit ka arritur tashmë minimumin historik prej 1.25 për qind. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko deklaron se bankat duhet të kenë më shumë guxim në dhënien e kredive, ndryshe rritja e pritshme prej 3.4 për qind nuk mund të arrihet[9]. Por, të jesh i guximshëm, në termat bankar, do të thotë edhe të pranosh të financosh klientë me plane biznesi me të ardhura të paqarta, ose pak të mundshme, ose akoma më keq pa asnjë garanci financiare ose pasuri të patundshme të kërkuara nga ligjet në fuqi, gjëra të cilat e vejnë bankën përpara një risku të madh të mos shlyerjes së kredive. Në një situatë ekonomike jo të qëndrueshme dhe më luftën kundër informalitetit (për të cilën jo se jemi kundra në parim), ulja e normës së interesit nuk ka sjellë rritje të huamarrjes as tek individët as tek bizneset.
Prandaj, gjykojmë se ballafaqimi me të vërtetat nënkupton (si të vetmen alternativë të mbetur) realizim të shpenzimeve qeveritare (kryesisht kapitale), të cilat edhe këtë 4 mujor të parë të 2016 ishin realizuar në masën 74%[10]. Ballafaqimi me të vërtetat duhet te sjellë rritje pagash në administratë dhe ky është një instrument të cilin ne e kemi vënë ne dukje dhe në raportet e mëparshme. Këtë muaj edhe ekspertë të ekonomisë kanë ndarë të njëjtin qëndrim. Z. Preçi nga Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike gjatë një interviste u shpreh: ‘Në këto kushte një rritje e pagave do të kishte efekte të menjëhershme në konsum. Pasi nëse qeveria hedh 5 apo dhjetë milionë euro paga, në tre muaj efekti i tyre do të shumëfishohej duke mbajtur në këmbë edhe bizneset e vogla si dhe duke përmirësuar perceptimin e përgjithshëm’.[11]
Ballafaqimi me të vërtetat nënkupton se zhvillimi i qëndrueshëm i vendit nuk vjen nga investime infrastrukturore që thjeshtë janë të dukshme, mundësojnë ca prerje shiritash në kohë të shkurtër dhe po për aq kohë të shkurtër punësojnë fuqi punëtore. Zhvillimi ekonomik kërkon reforma strukturore që janë të bazuara në ekonominë e aftësive (ekonomi of skills) dhe si e tillë kërkon investime në kapitalin human. Zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik nuk vjen nga rritje e numrit të partneriteteve publiko-private (PPP), të cilat edhe vetë FMN-ja në raportin e saj publik këtë muaj këshilloi: ‘Duhet më shumë transparencë për procedurat që përdor qeveria për koncesionet apo PPP-të si dhe për çdo koncesion apo PPP qeveria duhet të hartojë dhe publikojë një analizë kosto-përfitimi dhe të ndjekë me rigorozitet praktikat ndërkombëtare’.
Në fakt në këtë kuadër, i vetmi ballafaqim me të vërtetat i cili është për t’u përgëzuar është projekt-ligji organik për buxhetin. Një ndër pikat më të rëndësishme të projekt-ligjit është: ‘Asnjë qeveri nuk ka të drejtë, pra hiqet e drejta me këtë ligj, që të rrisë borxhin, përkundrazi, i jep detyrimin afatgjatë që vetëm të ulë borxhin deri në atë nivel, ku të gjithë ne, majtas dhe djathtas, i referohemi si niveli i sigurisë së borxhit publik për Shqipërinë që është 45% e PPB’[12]. Pika tjetër po kaq e rëndësishme (për të cilën nuk dimë nëse ka qenë vullneti i plotë i qeverisë apo dhe një farë imponimi nga FMN, por që gjithsesi po kënaqemi me rezultatin sesa shkakun) është futja e konceptit ‘detyrime thuajse fiskale’ dhe këtu është fjala pikërisht për kontratat koncesionare. Ky koncept parashikon që kostot buxhetore p.sh. dializës, Checkup falas e sterilizimit, t’i kontabilizojë si detyrime buxhetore, me shpresë se një masë e tillë do të ndalojë qeverinë të marrë borxhe të reja, të cilat, teknikisht nuk quhen borxhe por koncesione. Për fat të keq, ndryshimi i një ligji nuk e zëvendëson nevojën për të pasur vullnet politik dhe sistem kontrolli mbi politikën për të garantuar që shpenzimet publike dhe buxheti i shtetit të shërbejë për të ndihmuar rritjen e ekonomisë dhe jo për t’u bërë barrë dhe pengesë për rritjen ekonomike[13].
Të vërtetat duhen ballafaquar. E në mos nuk ballafaqohen në të thënat publike, ato duhen të ballafaqohen në të bërat – në planifikim dhe zbatimin e reformave dhe vendimet ekonomike-financiare me realizëm dhe profesionalizëm. Ky është hapi i parë i një zhvillimi të qëndrueshëm.
[1] Lexo fjalimin e plotë: Ëorld Bank. Maj 2016. http://ëëë.ëorldbank.org/sq/neës/speech/2016/05/24/speech-by-albania-country-manager-on-business-climate-and-investment-attractiveness
[2] Erebara, Gj. Maj 2016. http://ëëë.reporter.al/endrra-e-barazimit-me-europen-rrezikon-te-mbetet-thjesht-enderr/
[3] Exit.al. Maj 2016. http://exit.al/2016/05/28/12604/
[4] Eurostat http://ec.europa.eu/eurostat/tgm/table.do?tab=table&init=1&language=en&pcode=tec00115&plugin=1
[5] Shiko APPA.al. Raporti i Ministrisë së Financave. Muaj Prill.
[6] Ekspres.al. Maj 2016. http://ëëë.ekspres.al/index.php?option=com_content&vieë=article&id=36870:2016-05-19-18-03-28&catid=112:lajme-kryes
[7] Sot.com. Maj 2016. http://ëëë.sot.com.al/politike/ramës-ja-plas-në-sy-të-vërtetën-biznesmeni-i-huaj-kryeministri-i-ndërpret-fjalën-dhe-e
[8] Për më tepër lexo raportet APPA për Kryeministrinë
[9] Exit.al. Maj 2016. http://exit.al/2016/05/07/thirrja-e-deshperuar-e-guvernatorit-sejko/
[10] Ministria e Financave. Maj 2016. http://ëëë.financa.gov.al/al/neësroom/lajme/publikohen-treguesit-fiskale-paraprake-te-4-mujorit-2016&page=1
[11] Top Channel. Maj 2016. http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=326247&fundit
[12] [12] Fjala e Ministrit Ahmetaj në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë. Maj 2016. http://ëëë.financa.gov.al/al/neësroom/lajme/ligji-organik-i-buxhetit-ministri-ahmetaj-ne-komisionin-parlamentar-te-ekonomise&page=1
[13] Erebara, Gj. Maj 2016. http://ëëë.reporter.al/endrra-e-barazimit-me-europen-rrezikon-te-mbetet-thjesht-enderr/