![Ergisa BEJKOLLARI, BA](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2016/03/E.-Bejkollari-300x300.jpg)
Ergisa BEJKOLLARI, BA
1-“Piramida ARMO” shembet dhe zë poshtë 4000 familje!
Kur thamë që falimenti i ARMO-s mund të parashikohej, paskemi pasur të drejtë! “Prapaskenat e kolapsit të gjigandit të hidrokarbureve ARMO”, ky është titulli që përshkruan ndoshta vjedhjen më të madhe në historinë e Shqipërisë![1] Një histori e tërë që tregon sesi biznesmeni i njohur Rezart Taçi bëri për vete miliona dollar në harkun kohor të viteve 2008-2013, duke shkatërruar kështu ARMO-n dhe jetën e 4000 të punësuarve në të. Ndonëse pjesa më e madhe e mashtrimit ka ndodhur nën qeverisjen e mëparshme, duke shmangur taksat dhe duke tërhequr me vete dhe bankat e nivelit të dytë me anë të kredive të këqija, auditi që zbuloi “gangrenën” e kompanisë u realizua në gusht të vitit 2013. Dy muaj pas ardhjes në pushtet të qeverisë aktuale, njëra nga kompanitë më të mëdha të auditit në botë, identifikoi kolapsin në të cilën ishte futur ARMO.
“Sfida jonë është të gjejmë një operator privat që do menaxhojë në mënyrë eficiente kompaninë” tha z. Gjiknuri para se ARMO të ishte pranë falimentimit. Pra sipas ministrit Gjiknuri njëra nga synimet e kësaj qeverie do ishte padyshim menaxhimi i mirë i ARMO-s. Kjo gjë nuk u realizua duke qenë se më 20 maj qindra punëtorë protestuan para kryeministrisë. 1200 naftëtarë nuk paguhen prej 10 muajsh! Ne thamë që ishte diçka që parashikohej për disa arsye:
- Dihet tendenca e kompanive shqiptare për të shkurtuar vende pune në rast falimenti.
- Dihej rënia e çmimeve të naftës në tregun botëror. Ne këtë e konstatuam dhe e paralajmëruam dhe në raportin e APPA-s.[2]
- Të dhëna tregojnë që ARMO, e cila ka në pronësi dy rafineri në Fier dhe Ballsh, deri në vitin 2014 kishte më shumë se 500 milion dollarë detyrime ndaj autoriteteve fiskale, bankave, furnitorëve dhe palëve të tjera.
A nuk janë të mjaftueshme këto 3 arsye që të merreshin masa emergjente për mbrojtjen e punonjësve? Sepse ndërkohë që Rezart Taçi u arrestua në Zvicër dhe 1.3 milionë dollarë iu sekuestruan,[3] ne vazhdojmë të këmbëngulim në një zgjidhje të shpejtë për situatën e tmerrshme ekonomike ku gjenden familjet e Ballshit dhe Fierit, të cilët të paktën sipas programit të paraqitur në vitin 2013, individët e papunë do të ri integroheshin në tregun e punës. “Programin e deritanishëm të sigurimit të papunësisë ne do ta shndërrojmë në Programin e Sigurimit të Punësimit dhe do të përfshijmë në këtë program çdo individ që humbet punën” shkruhet në programin e premtuar të Partisë Socialiste.[4]
2- Si të kalosh nga kompani e bllokuar në kompani fituese koncesioni brenda një viti?!!
Më 11 maj 2016 në fletoren zyrtare gjendet i botuar vendimi për miratimin e licencës së koncesionit kundrejt shoqërisë aksionare AM-OIL.[5] Bëhet fjalë për një koncesion 30-vjeçar, i cili i jep të drejtën kompanisë të kryejë veprimtarinë e përpunimit të naftës bruto dhe prodhimin e nënprodukteve të saj.
Me një kërkim të thjeshtë në dokumentet online të QKR-së[6], zbulohet se bëhet fjalë për një kompani e cila e ka nisur aktivitetin e saj në vitin 2009 dhe që merret me projektimin, ndërtimin dhe përdorimin e impianteve teknologjike (rafinerive),tubacioneve dhe depozitave për përpunimin, transportimin, depozitimin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre.
Ajo ka një kapital fillestar prej 3,500,000 lekësh me vendndodhje tek ish-uzina e Plastmasit në Lushnje. Koncesioni 30-vjeçar në fakt nuk i është dhënë një kompanie të panjohur (domosdoshmërisht), pasi AM-OIL në vitin 2009 rezulton në listën e subjekteve të bllokuara për mungesë dokumentacioni. Nga tabela e akt-bllokimeve[7] të bëra gjatë inspektimeve të periudhës prill 2015 nga Inspektorati Qendror Teknik, shohim që për shoqërinë aksionare AM-OIL është dhënë një urdhër bllokimi për mungesë dokumentacioni.
Pra një vit para se kjo shoqëri të përfitonte një koncesion 30-vjeçar, asaj i bllokohet aktiviteti. Sigurisht që kur bëhet fjalë për një koncesion të kësaj vlere është e pamundur të mos jetë shqyrtuar historiku i mëparshëm i kompanisë, dhe nëse kjo gjë është bërë lind dyshimi i arsyeshëm sesa i ligjshëm mund të jetë ky vendim që është marrë!
[1] Artikull: “Prapaskenat e kolapsit të gjigandit të hidrokarbureve ARMO”
http://www.reporter.al/prapaskenat-e-kolapsit-te-gjigandit-te-hidrokarbureve-armo/
[2] Raport i APPA-s për janar-shkurt 2016.
https://appa.brentonkotorri.com/raport-janar-shkurt-2016-ministria-e-industrise-dhe-energjitikes/
[3] Artikull në lidhje me arrestimin dhe sekuestrimin e pasurisë së biznesmenit Rezart Tacci në Zvicër. http://exit.al/2016/05/09/zvicer-arrestohet-rezart-taci/
[4] Programi politik i Partisë Socialiste i hartuar në kuadër të zgjedhjve të vitit 2013.http://www.edirama.al/files/ProgramiPS.pdf
[5]Botim në fletoren zyrtare i datës 11 maj 2016 për vendimin e dhënies së koncesionit ndaj kompanisë AM-OIL. http://www.qbz.gov.al/botime/fletore_zyrtare/2016/PDF-2016/82-2016.pdf
[6] Informacioni që disponohet në QKR oër subjektin AM-OIL. http://www.qkr.gov.al/nrc/Kerko_Per_Subjekt.aspx
[7]Tabela e bllokimeve të kryera nga IQT në prill të vitit 2015.
http://www.ishti.gov.al/ëp-content/uploads/2015/05/BLLOKIMET-E-KRYERA-GJATE-MUAJIT-PRILL-20151.pdf