
Endrit KAPAJ, LLM
1-Drejtësi e vonuar, drejtësi e mohuar.
Ministri i Drejtësisë, z. Ylli Manjani ka marrë pjesë në prezantimin e nismës “Për një drejtësi pa vonesa”. Gjatë fjalës së tij, Ministri Manjani theksoi se gjykatat duhet të veprojnë me shpejtësi, duke nënkuptuar se ku ka vonesa, ka edhe korrupsion, ndërkohë që u ndal edhe në nocionin e standardit të gjykimit të pandërprerë, duke e cilësuar atë si mjaft të rëndësishëm dhe një kusht i cili duhet respektuar medoemos.[1]
Duhet te theksojmë se, e drejta e gjykimit brenda një afati të arsyeshëm është një nga të drejtat thelbësore procedurale të njeriut dhe një gur themeli i një shoqërie të bazuar në shtetin e të drejtës. Qëllimi i kësaj garancie është mbrojtja e “të gjitha palëve të përfshira në procedurat gjyqësore…ndaj vonesave të tepruara procedurale”[2]. E drejta e gjykimit brenda një afati të arsyeshëm parashikohet në nenin 6, paragrafi 1 të KEDNj-së dhe zbatohet si për gjykimet civile, ashtu edhe ato penale.
Në pasqyrim të standardeve ndërkombëtare, neni 42 (2) i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë thotë se kushdo ka të drejtën e një gjykimi të drejtë dhe publik brenda një afati të arsyeshëm. Në mënyrë të ngjashme, neni 28 i KPrC-së thotë se gjykata duhet ta gjykojë çështjen brenda një “afati të arsyeshëm”.[3]
Këshilli i Lartë i Drejtësisë i ka orientuar gjykatat lidhur me afatet kohore procedurale për disa lloj çështjesh.72 Këto afate kohore përdoren kur vlerësohet puna e gjyqtarëve. Afatet kohore, siç tregohet më poshtë, fillojnë që nga regjistrimi i çështjes në gjykatë. Afatet e gjykimit në shkallën e parë Gjykimet e mosmarrëveshjeve tregtare – maksimumi 6 muaj. Gjykimet e mosmarrëveshjeve familjare – maksimumi 4 muaj. Gjykimet e mosmarrëveshjeve administrative – maksimumi 1 muaj. Gjykimet e mosmarrëveshjeve civile me karakter të përgjithshëm – maksimumi 6 muaj.
Vjetari Statistikor, një botim i Ministrisë së Drejtësisë që përmban statistika zyrtare për gjyqësorin, tregon që në vitin 2009, 26 % e të gjithë gjykimeve civile në Shqipëri ishin pushuar për shkaqe procedurale, ndërsa 73.9 % ishin gjykuar në themel. Duke qenë se pushimi nuk e pengon paditësin të rifillojë çështjen, kjo përbën një harxhim të konsiderueshëm burimesh për gjykatat dhe palët. [4]
Sa më sipër, problemi i afati dhe kohëzgjatja e gjykimit ne tërësi mbetet një problem për tu adresuar edhe në kuadër të paketës ligjore të Reformës në Drejtësi.
2-Ç’duhet bërë për të reduktuar kriminalitetin në shoqëri?
Ministri i Drejtësisë, z. Ylli Manjani, në emër të Këshillit të Ministrave i ka përcjellë Prokurorit të Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla rekomandimet që duhet të mbahen parasysh për vitin në vazhdim, në luftën kundër kriminalitetit. Kryerja e hetimeve të shpejta dhe efikase, rritja e bashkëpunimit ndërinstitucional, forcimi i rolit të Këshillit të Prokurorisë, etj., kanë qenë disa nga çështjet e sjella në vëmendje nga ana e Ministrit Manjani.[5]
Drejtësia penale është një ndër shtyllat kryesore të shtetit të së drejtës. Në ditët e sotme ajo përballet me format e reja të sofistikuara të kriminalitetit që kërkojnë rritjen e efektivitetit të legjislacionit e të veprimtarisë së institucioneve dhe strukturave e agjencive të specializuara në luftimin e kriminalitetit. Për këtë arsye nevojitet përfundimi i reformave në Kodin Penal, Kodin e Procedurës Penale dhe ligjeve të tjera në mënyrë të studiuar dhe duke përmirësuar procesin e ligjbërjes. Duke njohur dhe zbatuar në praktikë sistemin e normave penale juridike e procedurale penale, si dhe duke vënë në lëvizje funksionimin normal të vetë sistemit të drejtësisë penale për zbatimin e normave penale juridike, do të mund të rritet në shkallë më të lartë efektiviteti i drejtësisë penale për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, në luftimin e kriminalitetit dhe parandalimin e tij. Analizat e bëra në këtë temë synojnë të japin ndihmesë për të ngritur në nivele më të larta të gjitha standardet, duke filluar nga integriteti moral, profesionalizmi i punonjësve të të gjithë sistemit të drejtësisë penale, reformat e nevojshme të trajtimit të tyre financiar e të karrierës si dhe forcimin e kontrollit vertikal e horizontal mbi organet e drejtësisë. Objektivi kryesor është që në Shqipëri të arrihet të jepet drejtësi dhe drejtësia të fitojë besimin e publikut.
[1] Pwr njw drejtwsi pa vonesa: http://www.drejtesia.gov.al/al/newsroom/lajme/ministri-i-manjani-merr-pjese-ne-prezantimin-e-nismes-per-nje-drejtesi-pa-vonesa&page=1
[2] Udhëzimet SATURN për menaxhimin e kohës së gjykimit, pjesa I.E, pika 1
[3] Neni 28 i KPrC-së parashikon që gjykatat duhet të shprehen për të gjitha kërkesat që parashtrohen në padi, duke realizuar një gjykim të drejtë, të pavarur dhe të paanshëm brenda një afati të arsyeshëm.
[4] Ministria e Drejtësisë, Vjetari Statistikor 2009 (Tiranë, Ministria e Drejtësisë, 2010) faqe 160.
[5] Politika pwr reduktimin e kriminalitetit: http://www.drejtesia.gov.al/al/newsroom/lajme/lufta-kunder-kriminalitetit-ministri-manjani-rekomandime-prokurorit-te-pergjithshem&page=1