![Marcela TRINGAJ, LLM](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2016/03/M.Tringaj-300x300.jpg)
Marcela TRINGAJ, LLM
1.Problemet me pronat ende pengesë në funksion të bujqësisë
Ngërçi ligjor që pasqyrohet në mosregjistrimin e plotë të pronave këto njëzetë e kusur vite pengon në mënyrë serioze investimet afatgjata edhe në bujqësi. Ky proces bazohet më së shumti në ligjin 7501 “Për Tokën” i cili jo vetëm ka qenë i zvarritës në zgjidhjen e çështjes por shpesh ka gjeneruar konflikte. Pretendentë të rinj dhe të vjetër iu drejtohen një sistemi gjyqësor të korruptuar ku shpesh rregullat përcaktohen nga oferta më e lartë. Tabloja e konflikteve për tokën është një problem i njohur që shpesh dekurajon investimet e brendshme dhe të huaja për zhvillimin e potencialit ekonomik në turizëm dhe bujqësi.
Vendi tashmë ndodhet në një fazë vendimtare dhe kritike lidhur me procesin e reformës në drejtësi. Rrjedhimisht ky proces do të ndikoj edhe në zgjidhjen përfundimtare te çështjes së pronës mbi tokën e cila pritet të çlirojë investimet dhe kthimin e sektorëve të ekonomisë që lidhet ngushtë me përdorimin e tokës (veçanërisht në sektorin bujqësor) në një mjedis tërheqës për për zhvillim të qëndrueshëm rural. Marrja e titullit të pronësisë mbi tokën është e një rëndësie jetike duke sjellë në kornizat ligjore të gjithë veprimtaritë që lind nga e drejta mbi pronën. Fermerët mund të përfitojnë grante nga projekte të ndryshme financiare shtetërore ose jo, mund të përfitojnë kredi lehtësuese për investime në sektorin bujqësor, mund të përfitojnë të ardhura dhe nga tjetërsimi i saj nëpërmjet shitjes apo qerasë.
Një nga premtimet e qeverisë ishte përfundimi i procedurave ligjore të kalimit të tokës bujqësore tek subjektet të përfitimit të tokës bujqësore në pronësi, të cilët e përdorin atë faktikisht. Por në fakt, qeveria ka vendosur ndryshoj këtë afat i cili ishte përcaktuar fundi i muajit qershor të këtij viti. Propozimi i një projekligji me procedurë të përshpejtuar kërkon të shtyjë këtë afat me 18 muaj, përkatësisht deri më 30 dhjetor 2017, sipas qeverisë, kjo për shkak të situatës së rëndë që ka gjetur në hipoteka pas ardhjes në pushtet. Nëse këto propozime do të bëhen çdo herë, në cakun kohor të përfundimit t afateve për përmbushjen e këtij procesi kaq të rëndësishëm dhe nëse instancat përgjegjëse nuk do të kenë vullnetin e mirë për ti dhënë zgjidhje çështjes, atëherë zor se mund te kemi një proces të suksesshëm dhe përfundimtar.
Në fakt, lajmet buçitën për shpërndarjen e 150 certifikatave të para të pronësisë në Novoselë nga 18.500 aplikimeve të mbyllura në dhjetor të vitit 2015. Një pjesë e mirë e administratës së bashkive dhe komunave, aktorë kryesorë në këtë proces, të krijuar rishtazi nga pas zgjedhjeve të fundit vendore, e kanë të vështire të zhvillojnë një proces normal të shqyrtimit të aplikimeve për shkak të mosnjohjes të procesit dhe mungesa e përvojës. Sigurisht, problemi i mprehtë i pronave nuk pritet të zgjidhet dhe në afatin e ri të propozuar nga qeveria megjithatë e rëndësishme është të shfrytëzohen të gjitha mundësitë për zgjidhjen e çështjes në rrugë administrative sepse kostot e proceseve gjyqësore do të pengoj ndjeshëm procesin dhe do të prodhojë kosto marramendëse financiare për buxhetin e shtetit dhe do të minojë në mënyrë të ndjeshme këtë proces kaq delikat.
2.Punë të rëndësishme që mbeten përgjysmë
Nëse zgjedhim të jetojmë shëndetshëm duhet ti shpallim një sfidë të madhe vetes në një vend ky siguria ushqimore është një dështim. Rëndom autoritetet përgjegjëse kërkojnë ta gjejnë fajtorin tek prodhuesit e vegjël dhe ata familjarë. Këta të fundit, shpesh të gjendur mes atyre pak mundësive për mbijetese, në zota të thella malore e rurale, ku kanë lidhur jetën për shkak të të vetmit mundësi për të gjeneruar të ardhura, janë kthyer në “preja” e radhës së Drejtorisë së Bujqësisë Elbasan.
Këtë radhë kjo drejtori do të mjaftohet vetëm me paralajmërime dhe me pas në rast përsëritjeje, do të vijojë me sanksione kundrejt [1] atyre subjekteve apo individëve që tregtojnë gjënë e gjallë pa certifikatën e kontrollit veterinar. Të njëjtin paralajmërim morën edhe subjektet e farmacive bujqësore dhe fermave të zonës. Por këto kontroll-aksione rrufé të ndërmarra nga organet kompetente nuk mundet assesi të kthehen në gardianë të shëndetit të konsumatorëve vetëm me një aksion të vetëm pak ditor. Mungesa e informacionit të vazhdueshëm, mbështetjes profesionale dhe këshillimit të atyre subjekteve, jeta e të cilëve lidhet ngushtë me tokën dhe fermat që disponojnë, është pothuajse zero nga institucionet që ligji nuk iu ka dhënë vetëm tagrat e ndëshkimit. Por duket se do të jetë një rrugë e aspak e lehtë për të gjithë aktorët e përfshirë në këtë çështje.
Një tjetër shqetësim mbesin dhe farmacitë bujqësore. Dy vite me parë Ministri i Bujqësisë Panarit theksoj se shitja e pesticideve nga farmacitë bujqësore duhej bërë bazuar në një recetë të përpiluar nga një specialist agronom[2]. Por edhe sot e kësaj dite, farmacitë bujqësore mund të ofrojnë produktet e tyre tek kushdo dhe pa kurrfarë kriteri. Ndërkohë, vetë etiketat e këtyre produkteve ofrojnë shumë pak informacione mbi mënyrën e përdorimit dhe për dozën që duhet përdorur. Shpesh fermerët bazohen tek përvojat e shkuara në përdorimin e “barnave” për bimët ose tek konsultimet me farmacistët. Neglizhenca në teknologjinë e kultivimit për sa i përket përdorimit të pesticideve, pa ditur mirë kufirin e lejuar, përbën një rrezik madhor për jetën e shëndetin e njerëzve.
Drejtoria e Mbrojtjes së Bimëve e cila është përgjegjëse për dhënien e informacionit për kulturat Bujqësore, nuk ekziston më për shkak të mungesës së specialistëve përkatës. Shpesh këto pesticide nuk janë dëmtues vetëm për shëndetin e njerëzve dhe kafshëve por ato në mënyrë indirekte dëmtojnë ujin, ajrin dhe tokën. Kërkohet më tepër vëmendje në këtë aspekt nga Ministria e Bujqësisë por ende nuk ka qasje serioze për problemin në fjalë. Jemi mësuar që punët në këtë vend të behën me fushata dhe aksione. Nëse ngrihet një problem shqetësues, për fatin tonë të keq, tre ditë zgjat shqetësimi dhe angazhimi i enteve përgjegjëse. Më pas çdo gjë harrohet dhe punë të rëndësishme që trumbetojnë gjatë identifikimit të tyre mbeten përgjysmë. Dhe kjo histori përsëritet.
[1] Elbasan, nis aksioni në tregun e gjësë së gjallë http://www.shekulli.com.al/p.php?id=433037
[2] Farmacitë bujqësore, pesticide pa recetë për fermerët http://www.shekulli.com.al/p.php?id=433299