![Mirilda TILI, BA](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2016/03/M.-Tili-300x300.jpg)
Mirilda TILI, BA
- Të ballafaqohesh me veten
Muaji maj prodhoi shumë lajme nga kreu i qeverisë. Kjo jo vetëm sepse aty u “punua” fort për këtë muaj, por për faktin se qeverisja aktuale ka një dashuri të pa limite mbi marrëdhëniet me publikun apo edhe marketingun. Tashmë kanë kaluar 3 vjet na koha kur qeveria Rama ka marrë detyrën dhe shprehjes “fajin e ka Saliu” duket se as ata që e përdorin nuk i besojnë më. Por e thënë në një mënyrë më të thjeshtëzuar tashmë kemi një përballje me veten. Në këtë raport do të kemi një ballafaqim të programit që Partia Socialiste hyri në garën e zgjedhjeve në vitin 2013 dhe sipas tyre siguruan 1 milion vota për kundërshtarin e tyre.
a) Kthimi dhe kompensimi i pronave
Shqiptarët do të jenë të gjithë pronarë të ligjshëm në prona të ligjshme.[1]
“Zhdukim 3 zarfet e hallkave të korrupsionit: zarfin tek kthimi i pronave, zarfin tek legalizimet dhe zarfin tek regjistrimi i pronës”. Sot pas 3 vjetësh po vetë kryeministri Edi Rama ka deklaruar se: “Sa për dijeni, kjo qeveri dhe kjo shumicë qeverisëse kanë venë në dispozicion të pronarëve dhe të zgjidhjes së problemit 500 milionë dollarë për 10 vitet e ardhshme dhe vetëm në buxhetin e këtij viti janë 30 milionë dollarë. Shuma më e madhe me herë e krahasuar me çdo vit buxhetor në 20 e kusur vite lidhur me pronarët edhe pronat”.[2] Ndërkohë që Gjykata e të Drejtave të Njeriut me seli në Strasburg të Francës vetme në vendimin e fundit ka detyruar qeverinë shqiptare të dëmshpërbleje në vlerën e 5.3 milionë euro 12 pronarë tokash. Ndaj edhe lind pyetja nëse buxheti i miratuar për 10 vjet do të zgjidhë problemet e pronës apo do të shkojë për të shlyer borxhet e vendimeve të gjykatave?
“ Përparësi kompensimit në natyrë, në raport me dhënien e kompensimit financiar, duke mundësuar uljen e faturës financiare për shtetin. Orientim i procesit të privatizimit të pasurive publike me qëllim favorizimin e procesit të kthim-kompensimit të pronave”. Këtij qëllimi të fushatës elektorale vetë kryeministri i është përgjigjur në fjalimin e datës 12 maj të këtij viti: “Shqipëria nuk e ka luksin të vazhdojë t’ju thotë pronarëve “Ju do t’i merrni të gjitha pronat mbrapsht” apo që të vazhdojë me historitë e kompensimeve, e pseudo-kompensimeve fizike që janë bërë një fushë spekulimesh dhe korrupsioni e pashoqe. Sa për dijeni, kemi arritur në pikën ku pronat e pretenduara janë dyfishi i sipërfaqes së Republikës së Shqipërisë. Shqipëria ka 28 mijë km katrorë, pretendohet 50 e ca mijë kilometra katrorë pronë, ku janë? Ku? Ndërkohë përditë ndeshemi me mijërat e hektarëve të marra padrejtësisht, të grabitura në emër të kthimit të pronës dhe të kompensimit të pronës. Prandaj, ju siguroj që çdo kriticizëm që i bëhet ligjit të pronës nga pozitat e pronarëve, nga pozita ekstreme gjoja në mbrojtje të pronarëve, – që i kanë lënë pronarët me gisht në gojë ndërkohë që pronat i morën ata që nuk kanë qenë kurrë pronarë, – apo nga pozitat e ekstremit tjetër janë ndoshta interesante për të bërë muhabet në kafenenë e fshatit këtu në këtë sallë por nuk kanë lidhje fare me zgjidhjen praktike të këtij problemi kaq të madh”.[3] Edhe në këtë rast komunikimi i bërë nga foltorja e Parlamentit duket sikur bëhet nga pozitat e opozitës, pra diskutohet që ka një problem të madh, por që zgjidhja është e largët.
“I japim fund zvarritjeve dhe sorollatjeve administrative, si burimi bazë i korrupsionit.” Në këtë pikë vlen të përgëzohet nisma për t’i dhënë zgjidhje problemit nëpërmjet aplikimit online apo edhe krijimin e një zyre të vetme, pa u dashur të ketë një liste të gjatë institucionesh që janë përgjegjëse dhe rrjedhimisht edhe një kohë shumë e zgjatur, zvarritur, për të marrë përgjigje apo certifikata përkatëse.
“Evidentim i të gjithë pronave publike që fshihen nëpër sirtarët e institucioneve shtetërore. Saktësim i fondit të kompensimit, i cili do të operojë sipas një skeme të qartë dhe të barabartë për të gjithë të interesuarit.” Edhe pse deklarohet nga ana e qeverisë se po punohet në këtë pikë, ende nuk ka asnjë përgjigje konkrete se sa është në të vërtetë vlera e kompensimit apo edhe e pronave të cilat duhen kompensuar.
“Legalizim brenda 2 vjetësh i ndërtimeve informale, të bëra në pronën vetjake dhe atë publike. Legalizim i ndërtimeve informale të kryera mbi toka me pronarë dhe të ndërtimeve të kryera në zona urbane, deri në fund të mandatit të parë.” Rezultati i deritanishëm është 45 mijë objekte të legalizuara. “Vendosim të shtojmë me 300 punonjës me kontratë, numrin e punonjësve të Agjencisë së Legalizimeve dhe Urbanizimit të Zonave Informale, ALUIZNI. Reforma, shumë e zvarritur në vite, tani ka marrë një shpejtësi tjetër. Kujtoj 45 mijë legalizime të realizuara deri më tani, krahasuar me 21 mijë të kryera nga qeveria e kaluar”.[4]
“Zbatim i një programi të veçantë për regjistrimin e Pronave në Bregdetin e Jugut”. Për këtë pikë të programit nuk ka ende një strategji të plotë dhe as program, përveç faktit që vazhdon të jetë një zonë edhe më e ndjeshme për shkak të problematikës që mbart. Por ka dhe raste kur surprizat janë aq të pakëndshme sa kupton që zaptimi i hapësirave publike bëhet legjitime. [5] Edhe në këtë rast sikur të mos mjaftonte problematika që shoqëron pronat publike dhe private në vend si dhe cilësia e turizmit, por edhe urdhri për largimin e plazheve publike mungonte.
2. Rritja ekonomike në vend, ëndërr me sy hapur
Duke iu referuar sërish programit që qeveria Rama ka pasur dhe atyre që vetë kjo qeveri ka deklaruar në këto tre vjet të qeverisjes së saj, kemi sërish një hendek të madh, nga e thëna në të bërë. Më poshtë është lista e plotë e zotimeve për sa i përket zhvillimit ekonomik, uljes së borxhit publik dhe përmirësim të sistemit fiskal. “Krijim i një programi që synon uljen graduale të borxhit nëpërmjet kontrollit të rreptë të deficitit fiskal në bashkëpunim të ngushtë me FMN dhe BB. Borxh publik në parametra të kontrollueshëm dhe jo barrë për brezat e ardhshëm. Borxh publik në parametra të përshtatshëm për ritme pozitive të rritjes dhe strukturën ekonomike të vendit. Politika fiskale që sigurojnë burime financiare gjithnjë në rritje, duke siguruar funksionimin e shtetit në përputhje me proceset integruese. Hapa seriozë për shlyerjen e pjesës më të shtrenjtë të borxhit ekzistues. Shtet që shpenzon paratë me efikasitet dhe efektivitet. Politikat fiskale që prodhojnë më shumë qëndrueshmëri fiskale. Rritje e të ardhurave buxhetore nëpërmjet miradministrimit fiskal dhe uljes së evazionit fiskal. Rritje e të ardhurave buxhetore pa u bazuar në rritjen e nivelit të taksave. Mundësim i një frymëmarrjeje më të madhe për shpenzimet produktive dhe investimet që sjellin punësim dhe rritje ekonomike. Përmirësim i menaxhimit të shpenzimeve publike me synim minimizimin e shpenzimeve joproduktive.”[6]
Borxhi publik është rritur madje jashtë pritshmërie të programit që fitoi zgjedhjet. Aktualisht borxhi publik është rreth3. 75 milionë lekë për frymë. “Borxhi publik për frymë gjatë këtij viti pritet të arrijë në rreth 3.75 milionë lekë për çdo shqiptar. Sipas Ministrisë së Financave, borxhi për frymë këtë vit do të rritet me rreth 4.4% krahasuar me vitin 2015. Ndonëse në terma realë viti 2016 pritet të sjellë një ulje të borxhit në 71.3% të PBBsë, barra virtuale e borxhit nominal për frymë do të rritet edhe këtë vit. Sipas të dhënave më të fundit zyrtare të Ministrisë së Financave, në fund të Shtatorit 2015 ishte një trilion e 63 miliardë lekë ose rreth 73.7% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Në fund të vitit 2016, stoku i borxhit publik pritet të arrijë në afro 1.1 trilionë lekë, një rekord historik. Për këtë vit, qeveria synon të fillojë një kthesë drejt uljes së borxhit publik, duke e shkurtuar deficitin buxhetor në 2.8% të PBB, nga rreth 4% që ishte vitin e kaluar”- ky është raportimi që ka bërë televizioni SCAN për sa i përket situatës së borxhit publik.
Ndërsa për pjesën tjetër të premtimeve mbi përmirësimin e politikave publike dhe përmirësimit të mjedisit për biznesin apo rritjen ekonomike, ne do të pasqyrojmë kërkesën e përsëritur të FMN-së. [7] FMN ripërsërit mesazhet për dhënien e PPP-ve vetëm pas një analize kosto-përfitime, mos lejimin e përjashtimeve tatimore dhe vazhdimin e reformave strukturore, me qëllim përmirësimin e konkurueshmërinë së biznesit…
Më 27 maj 2016, Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) përfundoi shqyrtimin e shtatë të performancës ekonomike të Shqipërisë në kuadrin e një programi të mekanizmit mbështetës (EFF). Përfundimi i rishikimit u mundëson autoriteteve të tërheqin një shumë shtesë prej 28,65 milion SDR (rreth 36.1 milion €), duke e çuar tërheqjen totale në 209,49 milion SDR (rreth 263.700.000 €). Zëvendës Drejtor Menaxhues i parë dhe Kryetar i Përkohshëm, Z. David Lipton i ka dhënë përgjigje kryeministrit Edi Rama. “Rimëkëmbja ekonomike e Shqipërisë po përshpejtohet. Perspektiva afatmesme mbetet e favorshme, nëse vrulli i reformës do të ruhet. Angazhimet e autoriteteve për zbatimin e reformave strukturore dhe fiskale ambicioze dhe të vështira janë të lavdërueshme. Megjithatë, disa reforma të tjera kritike për përmirësimin e mjedisit të biznesit kanë mbetur mbrapa. Angazhimi i autoriteteve për të vazhduar me konsolidimin fiskal është i rëndësishëm, për të vazhduar uljen e dobësive fiskale dhe për të siguruar qëndrueshmërinë e borxhit. Planet e autoriteteve për të vazhduar përpjekjet e tyre rregulluese fiskale në anën e të ardhurave janë të përshtatshme. Strategjia e konsolidimit duhet të synojë zgjerimin e bazës tatimore, duke kufizuar përjashtimet nga taksat dhe forcimin e pajtueshmërisë dhe administrimit të të ardhurave”- është shprehur Lipton. Pra kjo mbështetje për të shtuar taksat dhe për të minimizuar numrin e atyre që përjashtohen nga taksat, duket edhe si një thikë pabesie për qeverinë. Ajo është e majtë dhe si e tillë duhet të ulë taksat dhe të ketë përjashtime nga sistemi fiskal, çka bie ndesh me shtyllën e mendimit qeverisës.
[1] Programi për kthim, kompensim, legalizimi i pronave http://ps.al/neë/programi/rimekembje-e-ekonomise/ekonomi-prodhuese-dhe-sherbime/zgjidhje-per-pronat/
[2] Pjesë nga fjalimi mbi pronat në Parlament http://www.kryeministria.al/al/neësroom/fjalime/ligji-i-pronave-500-milione-dollare-per-10-vitet-e-ardhshme&page=1
[3] Pjesë nga fjalimi në Parlament mbi ligjin e pronave http://www.kryeministria.al/al/neësroom/fjalime/ligji-i-pronave-500-milione-dollare-per-10-vitet-e-ardhshme&page=1
[4] Pjesë nga fjala e zëvndëskryeministrit Niko Peleshi http://www.kryeministria.al/al/neësroom/lajme/300-vende-te-reja-pune-tek-aluizni
[5] Zhdukja e plazheve publike http://opinion.al/skandali-qeveria-zhduk-zyrtarisht-plazhet-publike/
[6] Programi qeverisës http://ps.al/neë/programi/borxh-nen-kontroll
[7] Raporti i FMN-së http://www.monitor.al/fmn-shqiperia-te-beje-reforma-qe-te-permiresoje-klimen-e-biznesit-levrohet-kesti-36-1-mln-euro/