
Rezearta Caushaj
1- Ceremonia OSCAR e Shpërndarjes së Lejeve të Ndërtimit
Normalisht sipas ligjit “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” shpërndarja e lejeve të ndërtimit është një nga kompetenca e ALUIZNIT, pasi është bërë regjistrimi i pronës në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Në Faqen Zyrtare të Ministrisë së Zhvillimit Urban, dhe pse jo edhe në kronika të ndryshme të masmedias, publiku është përballur prej muajsh me ceremoni të zhvilluara në qytete të ndryshme, ku qytetarëve u dorëzohen publikisht lejet e ndërtimit ose nga Kryeministri Z. Rama, nga Znj. Gjermeni, titullare e Ministrisë së Zhvillimit Urban, nga Z. Artan Lame, Drejtor i ALUIZNIT. Do dëshironim në këtë aspekt të përgëzonim faktin që në organet dhe institucionet përkatëse vazhdon vëmendja ndaj ndërtimeve, qoftë këto për rregullimin e qyteteve apo legalizimin e ndërtimeve informale, të cilat duhet t’i japin një faqe të re hapësirave urbane, t’i hapin rrugë planeve urbanistike të mirëideuara që respektojnë standardet urbane moderne.
Nga ana tjetër, bie në sy zhvillimi i kaq shumë ceremonive për shpërndarjen e këtyre lejeve, ku vetëm këtë muaj përmendim ato të Kukësit, Tiranës apo Paskuqanit, ndërkohë që bëhet fjalë për një politikë publike normale që çdo qeveri do i detyrohej qytetarëve të vet. Në vendin tone, përkundrazi, është shndërruar si një event Oscar, ku qytetarët në vend të paraqiten pranë institucionit, duhet të marrin pjesë medoemos në një paradë që zhvillojnë drejtuesit për qëllime politike dhe u shërbejnë gjithnjë këtyre të fundit për të përforcuar pozitat e tyre.
Kryeministri Rama në veçanti e ka shumë përzemër të përmendi shifra, të cilat askush nuk mund t’i vërtetojë, se sa shumë përparim është bërë në krahasim me qeverinë paraardhëse në dhënien e lejeve të ndërtimit për objektet informale. Krijohet kështu një ndjenjë e përgjithshme sikur qeveria po u bën një nder qytetarëve dhe jo thjeshtë kryen detyrën e vet para tyre.
Do na pëlqente që më shumë se “ceremonializimi” i politikave publike apo vlerësimi në terma sasior, të mund të kishim tashmë, mbas dy vjetësh, një bilanc që do të detajonte se si ka shkuar ky proces në terma cilësorë, cilat kanë qenë vështirësitë dhe a është ligji funksional. Në fund të fundit, pyetja lind natyrshëm se si do t’ia dalë qeveria jonë që të sinkronizojë legalizimin e objekteve informale me rimodelimin e planifikuar të hapësirave publike, të cilat në parim përjashtojnë informalitetin.
2- Përgjegjësi para ligjit?! Jo në vendin tonë!
Për të vazhduar atë që u parashtrua më sipër, por edhe për ta zgjeruar problematikën e hasur, duam të evidentojmë se as Qeveria, as Ministria e Zhvillimit Urban, as Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit nuk janë shprehur se cilat janë masat që janë marrë ndaj institucioneve apo drejtuesve të rangut lokal apo kombëtar, të cilët kanë dhënë lejet e ndërtimit në mënyrë flagrante, duke shkuar kundër çdo norme apo parametri që përcakton ligji.
Për ta ilustruar do marrim shembullin më të freskët në kujtesën publike, siç ishte shembja e objektit 5-katesh të ndërtuar ngjitur me Fakultetin Ekonomik në Tiranë, i cili u shemb me tritol nga forcat xheniere javën e kaluar. Në dokumentet e bëra publike së fundmi është zbardhur leja e ndërtimit për këtë objekt, e cila është dhënë nga kryetari aktual i Qeverisë, në atë kohë Kryebashkiak i Tiranës dhe njëkohësisht Kryetar i Këshillit të Rregullimit të Territorit në Bashkinë e Tiranës. Bërja publike e këtyre dokumenteve nuk duket ta ketë shqetësuar aspak këtë të fundit dhe Ministria e Zhvillimit Urban nuk e ka adresuar apo përmendur këtë fakt as në Faqen e saj Zyrtare dhe as nëpërmjet komunikatave të tjera publike.
Cili është mesazhi që jepet në këtë mënyrë? Që ligji vlen vetëm për qytetaret (Kjo është qeveria që fut në burg në rast se nuk është paguar fatura e energjisë elektrike)? Kush mban përgjegjësi në këto raste për demin ekonomik, mjedisor apo edhe thjesht për shkeljen e ligjit për “Shpërdorim të detyrës”, i parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal? Akoma më tej kush mban përgjegjësi për dëmet e shkaktuara nga prishja e këtyre objekteve, të cilat në rastin e objektit pranë Ekonomikut, vlerësohet se do t’i kushtojnë taksapaguesit shqiptar 15 milionë lekë të vjetra dhe kjo duke mos llogaritur hapësirën e shëmtuar nga pikëpamja estetike që lë mbrapsht çdo shembje e IKMT-së ?
3- Të gjithë duan një copë nga suksesi
Prej disa muajsh Shoqëria Civile së bashku me qytetar të Tiranës kanë protestuar rregullisht para Kryeministrisë ndaj vendimit të Bashkisë për dhënien e lejes së ndërtimit të disa kullave poshtë digës së Liqenit Artificial të Tiranës. Mbas padisë së bërë prej INUK, që dëshirojmë ta përshëndesim për punën e bërë, çështja është trajtuar në Gjykatën e Shkallës së Parë e më pas asaj të Apelit të Gjykatës Administrative dhe është dhënë më 28 Maj vendimi përfundimtar se punimet do të pezullohen. Natyrisht, pikëpyetjet ngritura më sipër mbi përgjegjësitë penale mbeten ende sepse nuk besojmë se Kryetari i Qeverisë do të dalë së shpejti të akuzojë Z. Basha për shpërdorim detyre vetëm sepse ky i fundit ka bërë ekzaktësisht atë që ka bërë edhe Z. Rama në kohën e vet. Nga ana tjetër zëra ekzistojnë se po përgatiten të tjera ndërtime rreth Parkut të Liqenit, siç është një objekt 15-katësh përballë Fakultetit të Histori–Filologjisë apo ndërtime të tjera në krah të Korpusit të Universitetit mbi Akademinë e Arteve apo në fillim të digës së liqenit, që sot është parkim, ndërtime për të cilat publiku nuk është në dijeni se ka një plan.
Ka nxituar të përfitojë nga ky vendim Z. Veliaj, i cili ia ka veshur tërësisht meritën për fitimin e kauzës, strategjisë së qeverisë, pa përmendur rolin që kanë luajtur qytetarët dhe shoqëria civile që formoi lëvizjen spontane “Ndal ndërtimeve te Parku i Liqenit”. Ajo ç’ka na bën sërish përshtypje është se edhe një herë zbatimi normal i ligjit, që i takon çdo qeverie, merr superlativa dhe i vishet vetëm vullnetit qeveritar. Jemi kuriozë të dimë se çfarë do të thoshte Z. Veliaj nëse vendimi i Gjykatës Administrative të Apelit do të kishte përforcuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë?
Për ta mbyllur raportin e këtij muaji, duam të vëmë sërish në evidencë se problematikat e ndërtimeve me/pa leje janë thellësisht të ndërthurura me problemin e pronave dhe pronësisë në Shqipëri dhe pa u zgjidhur i dyti, vështirë se mund të ketë sukses i pari. Fakti se në takimin e radhës së Këshillit të Stabilizim Asocimit BE-Shqipëri, ky i fundit ka dhënë rekomandime të veçanta mbi pronat, sugjeron se Bashkimi Europian është në dijeni të plotë të problematikave të mësipërme dhe duke qenë akoma më i ndërgjegjshëm se çështja e pronave, duke qenë se ka të bëjë me një të drejtë themelore të qytetarëve, një theks i veçantë është vënë në detyrimin për caktimin e Koordinatorit Kombëtar për të Drejtat e Pronës.
Referenca:
- Ligji “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje http://www.parlament.al/web/pub/ligj_nr_50_dt_15_5_2014_17639_1.pdf
- http://www.zhvillimiurban.gov.al/al/newsroom/lajme/kukes-shperndahen-388-leje-legalizimi&page=2
- http://www.zhvillimiurban.gov.al/al/newsroom/lajme/premtime-te-mbajtura-shperndahen-1001-legalizime-ne-tirane&page=2
- http://www.zhvillimiurban.gov.al/al/newsroom/lajme/paskuqan-shperndahen-750-leje-legalizimi-falas&page=2
- http://www.lapsi.al/lajme/2015/05/24/leja-p%C3%ABr-5%E2%80%93kat%C3%ABshin-e-shembur-me-tritol-u-dha-nga-edi-rama#.VWdmadKqqko
- Ligji mbi Shpërdorimin e detyrës
http://ligjet.info/kodipenal/pjesa_ii/kreu_viii/seksioni_ii/neni_248 - https://shqiptarja.com/news.php?IDNotizia=294901
- http://shqiptarja.com/news.php?id_legami=171125
- http://www.top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=299467