![](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2015/01/Blerina-Lalla.jpg)
Blerina Llalla
1- Shërbime të reja për qytetarët
Përgjatë muajit Maj Ministria e Inovacionit vjen me një sërë aktivitetesh dhe veprimtarish në përputhje me karakterin dhe programin për Teknologjinë dhe informacionin. Sipas programit të publikuar dhe në ueb sajtin e kësaj Ministrie, Qeveria do të punonte në tre drejtime kryesore me tre objektiva të matshme: Së pari, për shtimin dhe promovimin e shërbimeve dixhitale, e-shërbimeve, për qytetarët dhe biznesin. Prioritet do të ishin rritja e transparencës dhe përmirësimi i shërbimeve në administratën publike sipas parimeve të iniciativës Open Government Partnership. Së dyti, në futjen masive të shërbimeve në arsim për të kapërcyer hendekun dixhital dhe për të aftësuar rininë. Politikat do të ishin të orientuara drejt përmirësimit dhe zgjerimit të kapaciteteve njerëzore në mënyrë që të rritet si numri i përdoruesve ashtu edhe numri i ofruesve vendas të e-shërbimeve. Në këtë mënyrë do të nxitej krijimi i vendeve të punës në këtë fushë për tregun shqiptar, rajonal e më gjerë. Së treti, konsolidimi i infrastrukturës dixhitale në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, duke respektuar me rigorozitet parimet evropiane të konkurrencës së lirë e të ndershme.
Referuar programit gjatë muajit Maj, u njohëm me prezantimin e platformës më të re të shërbimit ndaj qytetarëve, Portali i shërbimeve online të shtetit Shqiptar, e-Albania, me më shumë se 150 shërbime që përfshijnë rreth 30 institucione shtetërore. Kjo nismë vjen në sajë të modernizimit të qeverisjes nëpërmjet teknologjisë.
Sipas fjalës së Ministres Harito gjatë prezantimit të kësaj platforme të re, sfida e vërtetë është që këto shërbime të përdoren gjerësisht. Për këtë do të punohet paralelisht për të përdorur asetin më të madh që çdo shqiptar ka në dorë, telefonin celular, për rritjen e aksesibilitetit nga të gjitha shtresat e shoqërisë kudo qofshin tek shërbimet online në bashkëpunim me operatorët e telefonisë celulare, qeverisë dhe enteve rregullatore për të çuar internetin në çdo dorë.
Pra, dhe nga vetë deklarata kuptojmë që kjo nismë është dhe mbetet një sfidë në vazhdim pasi ka ende shumë punë për të bërë, duke filluar që nga mbulimi me i gjerë me internet deri në zonat më të largëta, promovimi dhe nxitja e përdorimit nga qytetarët të kësaj platforme, por natyrisht duhet dhe një informim më i gjerë edhe për ata të cilët kanë nevojë të dinë më tepër rreth mënyrave të përdorimit, përfitimeve dhe garancisë në këto shërbime.
Kjo është një nismë e cila vlen të vlerësohet pozitivisht pasi është një iniciativë e drejtë dhe e duhur në përputhje dhe me modelet bashkëkohore ndërkombëtare dhe sipas standardeve Europiane e botërore të shërbimeve ndaj qytetarëve. Mbetet një investim i konsiderueshëm dhe i shtrirë në kohë, pasi sfida e vërtetë mbeten fazat pasardhëse në zgjerimin e këtij shërbimi dhe dixhitalizimin e dokumentacioneve pranë çdo institucioni që do të jetë i përfshirë në këtë platformë si dhe përfshirja në një shkallë sa më të gjerë të një larmie shërbimesh në nivel qendror e lokal, informativ e kështu me radhë. Kuptojmë që kjo lloj strukture do ta forconte sektorin privat dhe atë publik e administrativ drejt rezultateve të matshme dhe një pune më efektive.
Sikurse thekson edhe Kryeministri gjatë prezantimit të kësaj platforme të re shërbimi, nëpërmjet këtij portali qytetarët nuk do të kenë arsye të shkojnë nga njëra zyrë në tjetrën për të zgjidhur punë, por do të mund të përfitojnë shumë shërbime publike vetëm nëpërmjet kompjuterit apo telefonit, gjë që do të reduktojë ndjeshëm korrupsionin në vendin tonë.
Një tjetër mundësi e mirë që shtrihet dhe në fushën e arsimit sipas informimit gjatë prezantimit është procesi i njohjes së diplomave ku çdo dokument do të kalojë online për të reduktuar dhe përshpejtuar kohën e shërbimit. Këto dhe shumë shërbime të tjera për çdo qytetar.
Natyrisht ky është një projekt që do të dojë disa vite për të ofruar sa më shumë shërbime por më e rëndësishme mbetet iniciativa, kryerja e fazës së parë dhe më tej mbetet për t’u parë efiçenca dhe puna e institucioneve kompetente në sigurimin e vazhdimësisë së përmirësimit të shërbimit ndaj qytetarëve dhe jo të mbetet vetëm në këto faza të cilat promovohen ndoshta rastësisht në momente elektorale, çka na bën të jemi më skeptikë ndaj efektivitetit të këtyre nismave në shtrirje kohore apo finalizim brenda afateve të shumë projekteve të premtuara.
Sfidë mbetet çdo nismë Inovative në të gjithë shoqërinë si mjet i zhvillimit dhe punësimit në përputhje me trendet bashkëkohore dhe modelet e vendeve të përparuara. Gjithsesi ne mirëpresim rezultate.
2- Java e Inovacionit
Një mori aktivitetesh dhe lançimesh të ideve inovative janë realizuar nga kjo Ministri në një javë dedikuar vetëm Inovacionit, nga data 10 deri në 17 Maj nën tematikën “Inovacion në shërbimet publike”.
Sipas njoftimit dhe programit të publikuar në faqen zyrtare të kësaj Ministrie programi do të përfshinte tematika të caktuara si: Inovacioni në ofrimin e shërbimeve publike; komunikimet elektronike; sektori bankar; Smart Cities etj., si edhe Inovacioni dhe të rinjtë.
Ndër aktivitetet kryesore do të ishin: Kompeticione, Panairi i teknologjisë me pjesëmarrës dhe nga rajoni, TEDX dhe konferenca e të rinjve më aktive në TIK etj.
Në kuadër të kësaj jave është zhvilluar Konkursi i Inovacionit, Konkurs nga i cili u përzgjodhën 10 projektet më të mira dhe projekti fitues “BDF Health”, projekt ideuar nga katër të rinj me qëllim pakësimin e stresit, lodhjes pas orëve të gjata të punës apo studimeve. Këto projekte do të vazhdojnë garën në një tjetër kompeticion “Challenge Up” që zhvillohet çdo vit nga Deutsche Telekom dhe Hub:raum.
Një tjetër Kompeticion ishe ai i “Start Up Live Tirana” i njohur tashmë prej katër vitesh realizuar nga organizata Unique Junior Enterprise me mbështetjen e drejtpërdrejtë të Ministres Harito.
Këto nisma vijnë në sajë të programit për rritjen e kapaciteteve të rinisë tonë dhe mbeten një mënyre e mirë promovimi për individët, të rinjtë dhe idetë novatore në veçanti.
Këto janë programe të një rëndësie të veçantë për të rinjtë të cilët jetojnë në kohën e bum-it teknologjik dhe që nuk duhet të anashkalohen nga publiku e as politikat për zhvillim e punësim. Gjatë këtyre kompeticioneve apo programeve mund të përthithen prurje shumë të mira dhe të mos mbeten vetëm në kuadrin e promovimit dhe vlerësimit por të shikohen me perspektive investimin apo nxitjen e punësimit, duke u siguruar ndërmjetësimin dhe mbështetjen e nevojshme ideatorëve që këto ide të mos humbasin dhe të rinjtë të jenë gjithnjë ë me të motivuar të krijojnë, punojnë dhe të investojnë energjitë e tyre në përmirësimin e shërbimeve teknologjike që do të ishte investimi i duhur për të ardhmen tonë dhe tyren. Ministria e Inovacionit mund të bëjë shumë në këtë sektor duke qenë se sfidat inovative dhe risitë janë bazat e punës dhe funksionit të këtij institucioni, dhe do të ishte në interesin e saj për të hartuar, pasuruar apo përmirësuar politikat dhe programin e saj në të ardhmen.
Referenca:
- http://gazetastart.com/prezantohet-ealbania-mbi-150-sherbime-online-te-shtetit-shqiptar/
- http://www.panorama.com.al/prezantohet-e-albania-ja-se-cfare-ofron-portali-unik-qeveritar/
- http://www.inovacioni.gov.al/al/newsroom/fjalime/prezantohet-ealbania-mbi-150-sherbime-online-te-shtetit-shqiptar&page=1
- http://www.inovacioni.gov.al/al/newsroom/lajme/nis-java-e-inovacionit-me-teme-inovacion-ne-sherbimet-publike&page=1
- http://www.inovacioni.gov.al/al/newsroom/lajme/ideja-bdf-health-fituese-e-konkursit-te-inovacionit&page=1
- http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=299597