
Brenton Kotorri
1- Sa e mirë kjo reforma!
Pas vizitës në Suedi në fund të muajit prill, Ministri për Çështjet Vendore, nisi një tur takimesh përgjatë muajit maj. Tur i cili do të fokusohej te të rinjtë. Fillimisht në Elbasan, në datën 8 maj, më pas në Tiranë në Universitetin Europian të Tiranës, më 18 maj, dhe në Shkodër më datë 21. Në të gjitha këto takime Ministri Çuçi ka theksuar rëndësinë e reformës Administrativo-Territoriale. Duke përsëritur të njëjtin tekst në secilin takim, ministri duket sikur i druhet vetëm një sfide, “… sesi brezi i ri duhet ta pranojë, përvetësojë dhe brendësojë këtë reformë“. Duke implikuar kështu se reforma në vetvete nuk ka asnjë cen e asnjë të metë, por në rast se ndonjë gjë nuk do të shkonte e nuk do të ecte siç duhet, fajin për këtë do ta kishte shoqëria dhe specifikisht të rinjtë.
Gjatë këtij muaji gjithashtu ministri mori pjesë në një seminar të organizuar nga ambasada polake në Shqipëri, ku vetë ministri, pasi dëgjoi për eksperiencën e Polonisë në reformën e vet territoriale, theksoi se Polonia është një model frymëzues i decentralizimit. Duke treguar kështu mungesën e qartë të njohurive në Marrëdhëniet Ndërkombëtare, ku duhet të theksojmë, se përpara dhe pas integrimit të Polonisë në Bashkimin Europian, një prej problemeve kryesore që Komisioni Europian nxirrte në pah në rastin polka, ishte qëndërzimi që kishte sjellë reforma e tyre. Problemi tjetër në këtë krahasim, janë diferencat e thella statistikore. Polonia ka një popullsi prej 38 495 659 shtetasish, kundrejt më pak se 3 000 000 shqiptarësh, dhe hapësira gjeografike që ajo zë është 312 679 km2 kundrejt më pak se 29 000 tonave.
Duhet theksuar gjithashtu se asnjëherë nuk u diskutua gjatë këtyre 18 muajve të ekzistencës së kësaj ministrie dhe parashtrimit të kësaj platforme, nëse ishte e nevojshme një reformë dhe pse … si duhej hartuar kjo reformë dhe pse … me ç’ mjete duhej realizuar kjo reformë dhe pse … etj. Për këtë, ekspertët e fushës nuk u konsultuan ndonjëherë, përveçse tryezave të rrumbullakëta me figura të njohura të afiliuara me partinë në pushtet, të cilët luajtën rolin e ekspertëve dekorativë.
2- stopkorrupsionit.com ose stopstatistikave.com
Ndryshe nga ç’ pritej, këtë muaj ministria nuk publikoi asnjë statistikë në lidhje me portalin e vet famëmadh që u shpall si mjeti më efikas për luftën ndaj korrupsionit. Këtë muaj, në vend që të sqaronte statistikat e pakuptimta të nxjerra derimë tani, kjo ministri nuk denjoi të publikonte as statistikat bruto të radhës.
Sidoqoftë, në dritën e zgjedhjeve lokale dhe ndryshimit të sistemit të qeverisjes në këtë nivel, bëhet e dukshme nevoja për monitorimin e vazhdueshëm të të gjitha niveleve ku reforma Administrativo-Territoriale ka realizuar ndryshime. Kjo do të thotë se puna e vërtetë nis pas 23 qershorit. Mirëpo, për të rritur rigorozitetin e implementimit, kjo ministri do të duhej të kthehej në agjenci. Një agjenci, është gjithashtu forma që mund të marrë kjo ministri edhe për arsye të organigramës. Ashtu sikurse AKT, AKU, AMSHC, etj. Një ndryshim i tillë do të thotë që Agjencia Shtetërore për Çështjet Vendore hipotetike, të ekzistojë si zëvendësuese e ministrisë aktuale pa portofol.
Referenca:
- http://europa.eu/about-eu/countries/member-countries/poland/index_en.htm
- http://stopkorrupsionit.al/pyetje-te-shpeshta
- http://www.ceshtjetvendore.gov.al/al/neësroom/lajme
- https://www.facebook.com/pages/Ministri-p%C3%ABr-%C3%87%C3%ABshtjet-Vendore/406088576187907?fref=ts
- www.reformaterritoriale.al