
Sokol Kondi
1- Mbi “incidentet” me Maqedoninë dhe Greqinë
Dy ngjarje me shumë rëndësi në rrafshin rajonal dhe ndërkombëtar kanë ndodhur në marrëdhëniet dypalëshe mes Shqipërisë dhe dy Shteteve të saj fqinje, Maqedonisë dhe Greqisë këtë muaj.
Sa i takon Maqedonisë, në javën e dytë të muajit maj, pas ngjarjeve të rënda të përplasjes së armatosur mes policisë vendase dhe disa personave me etni shqiptare (kryesisht nga Kosova dhe Maqedonia; mes tyre edhe një shtetas shqiptar), ku pati viktima mes të dyja palëve, Shqipëria mbajti një qëndrim të qartë diplomatik. Fillimisht MPJ përmes ministrit i kërkoi transparencë dhe hetim të plotë për ngjarjen autoriteteve maqedonase, si dhe kërkoi që grupime të caktuara të armatosura të mos ngjyrosen apo paragjykohen etnikisht.
Më pas ministri Bushati e forcoi edhe më tej qëndrimin e palës shqiptare, duke kërkuar një hetim ndërkombëtar për atë që ndodhi në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë. Qëndrimi shqiptar erdhi duke u përshkallëzuar dhe kulmoi me deklaratën e kryeministrit Rama, që la të nënkuptohet se Maqedonia rrezikon të bllokohet nga vetoja e Shqipërisë në kuadër të anëtarësimit të saj në NATO, në rast se nuk zbaton marrëveshjen e Ohrit, që në thelb trajton dhe mbron të drejtat themelore të shqiptarëve etnikë të Maqedonisë.
Ky qëndrim i fundit u kritikua nga përfaqësues të opozitës por edhe të mazhorancës, me argumentin se është në dëm të shqiptarëve dhe sepse është çështje e brendshme e Maqedonisë, apo sepse shfaq një megalomani të Shqipërisë karshi fqinjit të vet.
Por vlen të thuhet se qëndrime të tilla nga politikanë shqiptarë krijojnë përshtypjen se bëhen për të përfituar kapital politik më tepër se për të qenë objektive, pasi bien ndesh me nenin e Kushtetutës që e detyron vendin tonë të mbrojë të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve.
Edhe pse ky nen mund të lypë debat lidhur me interpretimin nëse i adresohet shtetasve shqiptarë apo shqiptarëve etnikë, shtetas të një vendi tjetër, do të ishte gjithsesi irracionale të kërkohej ajo që është e kundërta e interesimit dhe e mbrojtjes të se drejtave të çdo shqiptari, ashtu sikurse të çdo shtetasi tjetër të rajonit, Europës apo edhe më gjerë, në kuadër të respektimit të të drejtave të njeriut, kur nga Shqipëria gjykohet se ato po shkelen rëndë. Si anëtare e OKB dhe e Këshillit të Europës, Shqipëria ka të drejtë të kërkojë respektimin e të drejtave njerëzore si për shtetasit shqiptarë, ashtu edhe për ata të huaj, aq më tepër që shkelja e rëndë e këtyre të drejtave, në praktikën ndërkombëtare po njeh gjithnjë e më shumë raste kur trajtohet si një kërcënim ndaj paqes botërore, më shumë se sa një çështje e brendshme. Parimi i së drejtës ndërkombëtare për mosndërhyrjen në punët e brendshme të një Shteti, ka pësuar një “erozion” të fortë pikërisht përbri shkeljes masive të të drejtave të njeriut.
Bërja e politikës së vogël ditore me interesat madhore kombëtare dhe globale të Shqipërisë nuk gjykohet si fort e udhës.
2- Çështja helene
Rreth mesit të muajit, nga disa media greke që besohet se ndodhen apo kanë burime pranë qeverisë helene, del se ambasadorit shqiptar në Athinë i është njoftuar në çastet e fundit anulimi i një takimi të programuar prej kohësh në ministrinë e Jashtme greke. Rezulton se ky refuzim ka ardhur si pasojë e vendimit të qeverisë shqiptare për të kontraktuar një kompani të huaj për kërkime hidrokarburesh në një zonë të detit Jon, mbi të cilën ka pretendime si nga Shqipëria, ashtu edhe nga Greqia.
Në mediat shqiptare është raportuar se burime nga ministria jonë e Jashtme kanë bërë të ditur se kishin kohë që i kërkonin palës greke informata lidhur me vendimin që ajo kishte shpallur për kërkime në detin Jon, por përgjigjet kishin qenë të vakëta dhe të paqarta. Vetëm pasi u mësua se Greqia po kërkonte për naftë në një zonë që pretendohet edhe nga Shqipëria, edhe qeveria shqiptare vendosi të bënte të njëjtën gjë. Sidoqoftë, pasojat e këtij konflikti kanë bërë që kompania norvegjeze e kontraktuar nga Greqia të ndërpresë çdo tentativë për kërkime deri në zgjidhjen e çështjes mes dy Shteteve dhe kanë sjellë bojkotin e funksionarëve të lartë grekë (përfshi kryeministrin Tsipras), të cilët i kanë anuluar planet e tyre të mëparshme për të shkelur në Tiranë.
Edhe pse qeveria e re greke, ndryshe nga ajo e kaluar, nuk e ka thënë zyrtarisht nëse e konsideron në fuqi marrëveshjen e kufijve detarë të 2009-s mes Shqipërisë dhe Greqisë, që u anulua si antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese në Tiranë, mediat pranë saj kanë lënë të nënkuptohet se edhe ekzekutivi i Tsiprasit i qëndron gjithsesi linjës sipas të cilës kjo marrëveshje ka hyrë në fuqi pasi është miratuar nga të dy parlamentet kombëtare.
Ndoshta për ta konsoliduar edhe më shumë këtë qëndrim, Greqia ka paraqitur një rezervë në OKB, ku është shprehur se nuk e njeh juridiksionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, lidhur me çështje sikurse janë sovraniteti, apo kufijtë territorialë dhe detarë të saj.
Megjithatë kjo nuk paragjykon rrugë të tjera juridike apo diplomatike të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, sikurse janë arbitrazhi, Gjykata Ndërkombëtare e të Drejtës Detare dhe bisedimet direkte, apo me ndërmjetësim, për sa i takon konfliktit detar mes dy vendeve.
Sidoqoftë, pretendimi i palës greke se marrëveshja për kufijtë detarë me Shqipërinë është në fuqi është i pasaktë. Në fakt, në bazë të Konventës së Vjenës për Traktatet, marrëveshjet ndërkombëtare nuk hyjnë në fuqi automatikisht pas procesit të ratifikimit në nivel të brendshëm. Pas procesit të ratifikimit, akti i mirëfilltë ndërkombëtar që nënkupton hyrjen në fuqi të traktateve, është ai i shkëmbimit të ratifikimeve. Dhe një gjë e tillë nuk ka ndodhur ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë. Ky shkëmbim mund të bëhet direkt ndërmjet vendeve të interesuara, të depozitohet në një shtet të tretë garant, apo te Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (më shpesh). Asnjë nga këto raste nuk ka ndodhur, ndaj kurrsesi marrëveshja e kufijve detarë mes Shqipërisë dhe Greqisë mbi bazën e parimeve të së drejtës ndërkombëtare nuk mund të konsiderohet si e hyrë në fuqi. Edhe sikur Gjykata Kushtetuese të mos ishte shprehur, mungesa e shkëmbimit të ratifikimeve, që është një shprehje e qartë vullneti që marrëveshja të mos konsiderohet e arritur, bën që kjo e fundit të mos ketë asnjë efekt juridik.
Kritikat me konstruksione letrare apo pirueta intelektuale ndaj një qëndrimi të Shqipërisë në interes të mbrojtjes së tërësisë së saj territoriale dhe interesave ekonomike, janë pa vend dhe të dëmshme për vendin.
3- Ligji i shërbimit të jashtëm dhe emërimet
Ligji i ri dhe i përfolur “Për Shërbimin e Jashtëm”, që është trajtuar edhe në raportet tona në muajt e kaluar, iu kthye për rishqyrtim Kuvendit nga Presidenti i Republikës, me vërejtjet përkatëse. Ndër to, gjykojmë me vend kërkesën për rishikim të nenit që mundëson prurjet e pakufizuara nga jashtë sistemit të shërbimit të jashtëm të njerëzve që mund të emërohen ambasadorë, si dhe rishikimin e formulës së përbërjes së komisionit në MPJ që bën përzgjedhjen e kandidatëve për ambasadorë, apo limitet që i vendosen Presidentit për të dekretuar ambasadorët e propozuar nga kryeministri. Kishte edhe mjaft kërkesa të tjera për rishqyrtim nenesh, por të lartpërmendurat janë në gjykimin tonë ndër më objektivet dhe do t’i kishin shërbyer gjetjes së një ekuilibri mes pikëpamjeve të ekspertëve të ndryshëm, çka mund t’i shërbente rritjes së cilësisë në shërbimin e jashtëm. Sidoqoftë, Parlamenti nuk mori parasysh asnjërin prej kërkesave për rishqyrtim dhe e kaloi siç ishte ligjin, i cili lë vend për skepticizëm dhe dyshime, sikurse kemi trajtuar në raportet e muajve të kaluar.
Sakaq, i akuzuar në Parlament për emërimin me karakter nepotik të dy ambasadorëve (Qirjako Kureta dhe Shpresa Kureta janë kunetër), në mënyrë mjaft të diskutueshme ministri i Jashtëm trajtoi mënyrën se cilat janë shkallët për t’u bërë ambasador, duke bërë dy gabime në interpretimin ligjor, çka është e pafalshme si për njohuritë e tij personale, ashtu edhe për stafin e tij juridik që mund të mos e ketë asistuar siç duhet.
Së pari, ministri u shpreh se për t’u bërë ambasador duhet të jesh këshilltar, gjë që ligji i vjetër nuk e parashikonte për ambasadorët për të cilët ai u akuzua dhe këta të fundit pikërisht mbi bazën e ligjit të vjetër u emëruan. Sipas ligjit në fjalë “…nëpunësit e shërbimit të jashtëm, që përfitojnë gradën ambasador, duhet të kenë kaluar të gjitha shkallet e gradave dhe të kenë qenë të emëruar në detyrën e shefit të misionit të paktën për një mandat”. Pra siç shihet nuk mjaftonte që ambasadorët të ishin vetëm Këshilltarë.
Nëse e ka patur fjalën për ligjin e ri, që e parashikon një gjë të tillë, gjithsesi ky është një tjetër gabim në interpretimin ligjor, sepse ministri i referohej një ligji i cili nuk kishte hyrë ende në fuqi në momentet që ai fliste në Kuvend dhe që s’mund të kishte kurrësesi efekte prapavepruese për emërimet e ambasadorëve që ishin objekt diskutimi.
Bushati shkoi më tej kur tha se për të qenë Këshilltar (çka sipas ligjit të ri mundëson edhe kapërcimin direkt në ambasador, nëse shihet e arsyeshme nga MPJ) duhet të kesh punuar 12 vjet në MPJ. Por lind pyetja: sa nga këta ambasadorë që janë emëruar nga MPJ duke nisur nga shtatori 2013 kanë punuar 12 vjet në shërbimin e jashtëm? A e përmbushin këtë kriter ambasadori në Spanjë, ambasadorja në Holandë, ambasadorja në BE, ambasadori në Slloveni, e kështu me rradhë? Druhemi se përgjigja fatkeqësisht mund të jetë: “Jo”. Pra në praktikë dhe “de facto” rezulton se ka mjaft raste kur edhe nga vetë ministri nuk janë respektuar shkallët e karrierës dhe përvoja e nevojshme për zgjedhjen e ambasadorëve. Ndaj, ligji i ri duhej rishikuar në pjesën e përzgjedhjes së ambasadorëve dhe mos rishikimi i tij sjell edhe rreziqe të mëtejshme të politizimit të shërbimit të jashtëm, që edhe pse ndoshta hëpërhë nuk është i nivelit të qeverisë së mëparshme, nuk është çliruar gjithsesi aspak nga prirjet drejt emërimeve politike dhe jo profesionale.
Referenca
- Gazeta Panorama, 21 Maj 2015,
http://www.panorama.com.al/bushati-i-pergjigjet-blushit-dy-ambasadoret-kuneter-i-gjeta/ - MPJ, njoftim 14 Maj 2015,
http://www.punetejashtme.gov.al/al/zyra-e-shtypit/lajme/ministri-bushati-merr-pjese-ne-takimin-e-ministrave-te-puneve-te-jashtme-te-vendeve-anetare-te-nato-s&page=1 - Zbehja e parimit të mosndërhyrjes së brendshme në rastet e shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut, http://www.studiperlapace.it/view_news_html?news_id=tedde
- Presidenti i Republikës, dekret 10.04.2015,
http://president.al/?p=26264 - Tv Ora News, 25.05.2014,
http://www.oranews.tv/vendi/pezullohen-kerkimet-per-nafte-tsipras-nuk-vjen-ne-tirane/ - Gazeta Mapo, 25.05.2014,
http://www.mapo.al/2015/05/si-u-demtuan-raportet-me-tre-shtet-brenda-javes - Gazeta Shqiptarja.com, 11.05.2015,
http://shqiptarja.com/news.php?id_legami=168599 - Gazeta Mapo, 18.05.2014,
http://www.mapo.al/2015/05/shqiperi-greqi-rikthehet-kriza-e-detit-kufiri-ne-hage - Gazeta Shqiptarja.com, 20.05.2015,
http://shqiptarja.com/politike/2732/shqip-ria-veto-shkupit-rama-s–39-ka-nato-pa-garantuar—39-ohrin–39–293501.html - MPJ, deklaratë për shtz, 09.05.2015,
http://www.punetejashtme.gov.al/al/zyra-e-shtypit/deklarata-per-shtyp/deklarata-per-shtyp-e-ministrit-te-puneve-te-jashtme-ne-lidhje-me-ngjarjet-e-fundit-ne-maqedoni&page=1 - Fletorja Zyrtare, “Për rrëzimin e dekretit nr. 9043, datë 10.4.2015, të Presidentit të Republikës Për kthimin e ligjit nr. 23/2015, “Për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Shqipërisë””, http://www.qbz.gov.al/botime/fletore_zyrtare/2015/PDF-2015/85-2015.pdf
- Kushtetuta,
http://www.parlament.al/web/pub/kushtetuta_perditesuar_15171_1.pdf - APPA, Raport Shkurt,
https://appa.brentonkotorri.com/raport-shkurt-2015-ministria-e-puneve-te-jashtme/ - Gazeta Mapo, 25.05.2015,
http://www.mapo.al/2015/05/tsipras-bojkoton-tiranen-be-kerkon-te-gjendet-kompromisi - Parlamenti, ligje të miratuara,
http://www.parlament.al/web/Sesioni_i_Katert_18942_1.php - Gazeta Shekulli, 26.05.2015,
http://www.shekulli.com.al/p.php?id=264689 - Konventa e Vjenës,
https://treaties.un.org/doc/Publication/UNTS/Volume%201155/volume-1155-I-18232-English.pdf