![Megi Llubani](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2015/01/Megi-300x300.jpg)
Megi Llubani
1- Një tjetër portal/aplikacion online
Këtë muaj u inaugurua edhe iniciativa më e re e ministrisë së Punëve të Brendshme në bashkëpunim me Vodafone Albania dhe qendrën Protik: Komisariati Dixhital. ‘’Ky program do t’i shërbejë qytetarëve dhe Policisë së Shtetit për të garantuar cilësinë e shërbimit, zbatimin e ligjit, luftën ndaj korrupsionit dhe rritur parametrat e sigurisë publike.’’ Kjo iniciativë duket sikur do të sjellë më pranë qytetarin me policinë e shtetit, duke i ardhur në ndihmë këtij të fundit përmes raportimit të shkeljeve në fusha të ndryshme si: parkim i gabuar, korrupsion, vjedhje, ndërtim pa leje, armëmbajtje dhe ankesë. Në monitorimin e disa rasteve të reklamuara nga vetë ministria si raste të suksesshme të raportimit dhe zgjidhjes, pothuajse të gjitha lidhen me parkim të gabuar të makinave, veçanërisht në kryeqytet. Dihet tashmë problemi jo vetëm i trafikut të rënduar në Tiranë por edhe problemi i parkimit që shpesh nuk lë asnjë hapësirë për këmbësorët dhe është në shkelje të plotë me rregullat e qarkullimit rrugor. Megjithatë duket edhe sikur në hartimin e këtij mjeti teknologjik për përfshirjen e drejtpërdrejtë të qytetarit janë harruar dy elementë:
- Aplikacioni nuk mund t’i drejtohet të gjithë qytetarëve, sikurse krijohet përshtypja nga trumbetimi i tij si mjeti më i suksesshëm për garantimin e sigurisë dhe rendit në vend. Së pari jo të gjithë njerëzit zotërojnë një smartphone për ta përdorur aplikacionin dhe së dyti ky i fundit i drejtohet më tepër të rinjve që mund ta kenë më të lehtë përdorimin e tij. Një qytetar i moshuar që nuk di të përdorë një telefon do të duhet të përdorë mjetet tradicionale të raportimit të shkeljeve.
- Problemet që lidhen me parkimet e gabuara, veçanërisht në Tiranë, nuk kanë si shkak të vetëm pakujdesinë dhe mos respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor nga ana e qytetarëve. Nuk duhet harruar se rol luan edhe infrastruktura, ose mungesa e saj, që shpesh e bën të pamundur akomodimin e një numri gjithnjë e në rritje të automjeteve në vend. Me një mungesë pothuajse të plotë parkimesh nëntokësore ose mbitokësore që do të lehtësonin barrën e parkimit me të drejtë lind pyetja: Po gjithë këto makina ku do të shkojnë? Me ardhjen e qeverisë së re u morën masa të menjëhershme dhe të dukshme që ngjanin pothuajse me një fushatë gjobëvënieje për shoferët dhe makinat e tyre të parkuara në mënyrë të gabuar. E megjithatë, kjo nuk solli pothuajse asnjë ndryshim apo zgjidhje të problemit. Pak gjasa ka që ky mjet i ri të ofrojë ndonjë zgjidhje alternative, përveç promovimit të portaleve dhe aplikacioneve online që janë kthyer në modë tashmë.
2- Kur ministria del blof
Ministria e Brendshme e ka nisur dhe përfunduar muajin maj me lajme jo të mira për punën e saj dhe çfarë po përpiqet të transmetojë te qytetarët e Shqipërisë. Më datë 4 maj, në qytetin e Kukësit një grup qytetarësh u mblodhën, pa marrë lejen përkatëse, për zhvillimin e një proteste për faljen e borxheve të energjisë elektrike akumuluar në këtë zonë ndër vite. Mënyra e tyre e të protestuarit ishte bllokimi i rrugës së kombit, për të mos lejuar qarkullimin e mjeteve. Situata u përshkallëzua për t’u kthyer në një incident të rëndë të abuzimit me detyrën dhe abuzimit fizik të protestuesve. Ajo që e rëndoi edhe më tepër situatën ishte momenti kur shefi i krimeve të Kukësit i drejton armën e tij protestuesve dhe rrahja e këtyre të fundit, veçanërisht organizuesit të protestës. E gjithë ngjarja u filmua dhe u shpërnda nëpër media sociale dhe lajme duke shkaktuar jo pak skandal dhe polemika.
Skandali i sjelljes së policisë së shtetit nuk përfundon këtu. Për ta rënduar edhe më tepër situatën, ministria e Punëve të Brendshme del me një deklaratë për shtyp, pak orë pas ngjarjes, për të mbrojtur dhe justifikuar hapur veprimet e punonjësve të saj, duke e kaluar fajin tek organizatori i protestës. Në një ekstrakt të kësaj deklarate mund të lexohet: ‘’…qytetarët e tubuar kanë ushtruar akte dhune ndaj punonjësve të policisë me mjete dhe sende të forta (gurë, drunj etj) megjithëse ju është bërë thirrje nga policia se veprimet ishin të paligjshme. Gjatë shoqërimit të shtetasit Nderim Lushi si organizator dhe nxitës i tubimit dhe dhunës së ushtruar ndaj punonjësve të policisë, nga personat që ishin pjesëmarrës në këtë tubim, (të paidentifikuar ende për shkak të konfuzionit) është tentuar t’i merret arma e shërbimit Shefit të Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë së Kukësit, i cili për parandalimin e këtij akti ka nxjerrë armën nga brezi dhe është shmangur nga turma.’’
Ndoshta në momentin kur ministria ka përpiluar këtë deklaratë nuk ka qenë në dijeni të videos që po qarkullonte e që tregonte qartë se gjithçka e pretenduar më sipër ishte jo vetëm e pavërtetë, por krejt e kundërt me atë që kishte ndodhur në terren? Një ditë më pas është vetë ministria që përmes faqes së saj në Facebook (asnjë lajm i tillë nuk pasqyrohet në faqen zyrtare online), poston jo vetëm videon por edhe një deklaratë të shkurtër që hedh poshtë deklaratën e një dite më parë. Sipas saj ‘’Pjesëmarrja me arme në një tubim, është e paligjshme. Ashtu siç është tërësisht e papranueshme sjellja e punonjësve te policisë që tejkalojnë ligjin për t’i bërë ballë paligjshmërisë së cilitdo.’’ Mos ndoshta një ditë më parë, zyrtarët e ministrisë nuk e dinin se pjesëmarrja me armë në një tubim është e paligjshme? Përse u përdor një justifikim aq qesharak për të mbrojtur një veprim të papranueshëm të një individi që përfaqëson institucionin që kujdeset për sigurinë dhe rendin në vend?
Kalvari i kësaj ngjarjeje nuk përfundon këtu, pasi ministria e Punëve të Brendshme kryen një tjetër veprim që nuk tregon gjë tjetër veçse:
- Mungesë të marrjes përsipër të përgjegjësive që ajo ka mbi ngjarjet që ndodhin në fushën e kompetencave të saj.
- Mungesë transparence.
Pak ditë pas publikimit të deklaratës së parë që fajëson protestuesit dhe viktimizon punonjësit e policisë për veprimet e kryera gjatë protestës, kjo e fundit fshihet/zhduket nga qarkullimi, me siguri për t’i shpëtuar blofit të kësaj ministrie për deklaratat e papërgjegjshme të bëra për rastin në fjalë. Fatmirësisht jetojmë në një epokë ku teknologjia është aq e zhvilluar sa për të ruajtur gjurmët e asaj që duam të fshimë. Nuk është ky imazhi i një policie me standarde evropiane që e ngre lart këtë profesion kaq fisnik.
3- Paradokset e sigurisë në Shqipëri
Nuk është për t’u habitur që Shqipëria është vend i paradokseve dhe shpesh i absurditeteve. Në datë 27 maj e gjithë Tirana gjendej nën praninë e tepruar të forcave policore, me rastin e ardhjes së kryeministrit të Serbisë Z. Aleksandar Vucic. Dukej sikur i gjithë shteti kishte zbarkuar në disa rrugë të kryeqytetit. Nga deklarata e dhënë prej zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Z. Altin Qato: ‘’Në këtë kuadër, do të angazhohen, Strukturat Qendrore të Drejtorisë së Përgjithshme për Sigurinë Publike, Drejtorisë së Përgjithshme për Krimin e Organizuar dhe Krimet e Rënda, Drejtorisë së Përgjithshme për Kufirin dhe Migracionin, Drejtorisë së Antiterrorit, si dhe të Forcës së Posaçme Operacionale.
Në mbështetje të Drejtorisë së Policisë të Qarkut Tiranë dhe Durrës do të angazhohen strukturat e Forcave Lëvizëse Operacionale, konkretisht nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë 160 punonjës policie, si dhe nga Forcat Speciale Renea 80 punonjës policie.
Nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, do të angazhohen gjithsej 850 punonjës policie, nga Shqiponjat, Patrullat e Përgjithshme, SPZ, Policia Rrugore, Hetimi i Krimit, si dhe nga Operacionet Speciale.’’ Të gjitha strukturat përgjegjëse për sigurinë dhe rendin kishin zbarkuar në rrugët e kryeqytetit në një shfaqje të forcës mbrojtëse të këtij të fundit për udhëheqësin e një shteti tjetër. E megjithatë, në një shaka të keqe të fatit, në mes të kryeqytetit dhe në mes të ditës një vrasje e trefishtë ndodh, në një luftë bandash që të kujtojnë filmat Western. Pjesa më e madhe e medias që raportoi lajmin, përmendi dhe lavdëroi kohën rekord që iu desh Policisë së Shtetit për kapjen e autorëve dhe zbardhjen e ngjarjes: vetëm 4 minuta. Duke pasur parasysh se literalisht e gjithë policia e shtetit ishte në rrugët e kryeqytetit atë ditë, do të kishte qenë jo vetëm e turpshme por edhe shqetësuese nëse një ngjarje e tillë në mes të kryeqytetit, në mes të ditës dhe në mes të vizitës së kryeministrit serb shoqëruar me masa të jashtëzakonshme sigurie, nuk do të ishte zbuluar në një kohë të tillë. E kundërta do të kishte qenë një dështim i shtetit shqiptar, që përpiqej të shfaqte forcën dhe kapacitetet e sigurisë duke vendosur në dispozicion një helikopter që monitoronte nga ajri lëvizjet e ditës. Nuk është për t’u krenuar që policia u tregua kaq e shpejtë në zbardhjen e krimit; është për t’u trishtuar dhe shqetësuar që skenarë të tillë krimi, droge dhe larje hesapesh ndodhin ditën me diell, kudo rreth qytetarëve dhe jetës tonë të përditshme.
Referenca
- Gazeta Panorama. 4 maj 2015. Kukës, shefi i krimeve u drejton armën e rreh protestuesit.
Online: http://shqiptarja.com/news.php?IDNotizia=289921&page=4 - Gazeta shqiptarja.com. 27 maj 2015. Tiranë, 3 të vrarë te Zogu i parë për një vrasje në Holandë.
Online: http://shqiptarja.com/home/1/tiran–3-t–vrar–te—39-zogu-i-par—39–p-r-nj–vrasje-n–holande–295284.html - Gazeta Sot. 4 maj 2015. Ngjarja në Kukës, reagon Policia e Shtetit: Nderim Lushit iu refuzua kërkesa për protestë –
Online: http://www.sot.com.al/aktualitet/ngjarja-n%C3%AB-kuk%C3%ABs-reagon-policia-e-shtetit-nderim-lushit-iu-refuzua-k%C3%ABrkesa-p%C3%ABr-protest%C3%AB#sthash.Bn1TCYJN.dpuf - Ministria e Punëve të Brendshme. 13 maj 2015. Aplikacioni ‘’Komisariati Dixhital’’ – Policia në dorën e qytetarit.
Online: http://www.punetebrendshme.gov.al/al/te-rejat/fjalime/aplikacioni-komisariati-dixhital-policia-ne-doren-e-qytetarit-video&page=1 - Policia e shtetit. 26 maj 2015. Konferencë për Shtyp mbi masat e marra me rastin e vizitës së Kryeministrit të Republikës të Serbisë në vendin tone.
Online: http://www.asp.gov.al/index.php/home/275-slideshow-home/7400-konference-per-shtyp-mbi-masat-e-marra-me-rastin-e-vizites-se-kryeministrit-te-republikes-te-serbise-ne-vendin-tone - Ministria e Punëve të Brendshme. 13 maj 2015. Aplikacioni Komisariati Dixhital – Policia në dorën e qytetarit. Online: http://www.punetebrendshme.gov.al/al/te-rejat/fjalime/aplikacioni-komisariati-dixhital-policia-ne-doren-e-qytetarit-video&page=1