Lamë mbrapa, një muaj me dy ngjarje shumë të rëndësishme si ajo e Bankers Petroleum dhe Kurum. Pavarësisht rëndësisë, impaktit negativ që patën në disa fusha, duke përfshirë dhe atë të mjedisit, asgjë nuk është folur për to gjatë muajit maj.
Kalojmë në Raportin Publik për 300 ditët e para të qeverisjes ku janë përmendur arritjet që kanë sjellë dhe rritjen e cilësisë së mjedisit. Nga 12 arritje të cituara në këtë raport më pak se 40% e tyre rezultojnë të verifikueshme dhe mund të themi që janë realizuar vërtet. Do të ndalemi te Moratoriumi 2 vjeçar për gjuetinë dhe Inspektoratin Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave.
1- Moratorium, Po analiza?
Një aktivitet tjetër gjatë këtij muaji për mjedisin ka qenë edhe Dita Botërore e Shpendëve Migratorë, më 9 maj. Në aktivitetin promovues që u zhvillua në Qendrën e Vizitorëve të Zonës së Mbrojtur të Kune-Vainit në Lezhë u theksua rëndësia që ka ndërgjegjësimi i shoqërisë për vlerat dhe rëndësinë e ruajtjes së këtyre shpendëve anembanë globit.
Kujtojmë se gjuetia e paligjshme dhe pa kriter ka qenë aksioni kryesor i shfarosjes së faunës. Në vitin 2014 qeveria ka miratuar një moratorium 2 vjeçar për gjuetinë.
Në fund të viteve ‘90 në Shqipëri kanë qenë të inventarizuara rreth 12 mijë armë gjahu. Kurse sot sipas të dhënave zyrtare janë rreth 150 mijë armë gjahu. Vetëm 15 mijë prej këtyre qytetarëve që posedojnë një armë gjahu mbajnë dhe janë të pajisur me lejen e gjuetisë. Kjo vjen si mungesë gati totale e bashkëpunimit mes Ministrisë së Rendit që miraton dhe jep lejen e mbajtjes së armës dhe Ministrisë së Mjedisit që miraton dhe jep lejen e gjuetisë.
Rrjedhimisht ata që janë jashtë shoqatave të gjuetarëve përbëjnë rrezikun më të madh, sepse të gjithë gjuajnë edhe pse nuk kanë asnjë informacion rreth ligjeve apo rregullave që duhet të respektojnë.
Bazuar në këto shifra, Shqipëria renditet në një prej vendeve të para në Europë për sa i përket numrit të gjuetarëve (të ligjshëm dhe të paligjshëm) krahasuar me numrin e popullsisë.
Moratoriumi kuptohet që është aplikuar te qytetarët që kanë një leje gjuetie, pjesa tjetër pra mbi 130.000 armëmbajtës që kanë gjuajtur pa leje gjuetie, do të vazhdojnë të gjuajnë pa leje sepse juridikisht ata e kanë pasur dhe më parë të ndaluar gjuetinë. Bazuar në këtë analizë të dhënash, logjikisht nuk duhet të ishte vendosur një moratorium për gjuetinë por për armët, për bllokimin e armëve të gjahut.
Edhe pse ka kaluar rreth një vit, nga Ministria e Mjedisit nuk kemi asnjë raport, me një analizë konkrete apo shifra që të tregohet “impakti pozitiv” që ka pasur vendosja e moratoriumit. “Impakt” për të cilin u fol në mënyrë sipërfaqësore edhe gjatë aktivitetit për Ditën Botërore të Shpendëve Migratorë.
Nuk duam më të dëgjojmë thjesht fjalë të bukura në këto aktivitete, qytetarët tashmë duan të dhëna konkrete dhe analiza të hollësishme.
2- 100 lekë për një dëllinjë 100 vjeçare
Ndërsa në Raportin Publik për 300 ditët e para të qeverisjes përmendet si një arritje e qeverisë mbrojtja e pyjeve dhe nisja e aksioneve për pyllëzimin e zonave që kanë degraduar, në Milot po bëhet biznes me pyjet.
Fidanë të pemëve të ndryshme priten nga banorët e komunës Milot dhe nxirren në treg. Fidanët e Frashërit dhe dëllinjës pasi mprihen shiten në treg si hunj për mbështetjen e perimeve dhe fidanëve të pemëve frutore. Duhen vetëm 20 lekë për të blerë një filiz frashëri dhe 100 lekë për një dëllinjë disavjeçare.
Genci Hoxhaj, drejtor i Inspektoratit të Policisë Pyjore në Ministrinë e Mjedisit shprehet:
“Pyjet që janë dëmtuar në Malbardhë janë pyje komunale, të cilat administrohen nga Komuna”.
Sipas Hoxhaj përgjegjësia bie mbi komunën, e cila ka në dispozicion vetëm një roje që duhet të ruajë 3800 hektarë pyje.
Lind pyetja, pse u krijua Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave (?), që mbi të gjitha lakohet si një tjetër arritje e qeverisë. Ky inspektoriat a nuk supozohet që mundëson ndarjen e funksioneve menaxhuese nga ato kontrolluese në të gjitha nivelet. Por mesa duket është një tjetër arritje vetëm me shkresa sepse shërbimi i policisë pyjore duket inekzistent, ajo nuk ndërhyn për të ndaluar masakrën në pyje, ku pas prerjes së pishave dhe pemëve të tjera, ka vijuar puna edhe për prerjen e drurëve të tjerë që gjenden përreth Milotit.
Kjo pasuri mijëravjeçare e pyjeve tona po përdoret si hunj për të mbajtur ullinjtë apo domatet dhe askush nuk po bën asgjë.
Referenca
- Raporti Publik për 300 ditët e para të qeverisjes (http://issuu.com/kmalbania/docs/broshura_300_ditet_web?e=10270217%2F8605899)
- Artikull: Miratohet ligji “Për shpalljen e moratoriumit të gjuetisë në Republikën e Shqipërisë” (http://www.mjedisi.gov.al/al/newsroom/deklarata-per-shtyp/miratohet-ligji-per-shpalljen-e-moratoriumit-te-gjuetise-ne-republiken-e-shqiperise&page=7)
- Video: Masa për armët e gjahut
(https://www.youtube.com/watch?v=o2m47UygCd8 ) - Video – Prerja e filizave te frashërit dhe dëllinjës, Milot
(https://www.youtube.com/watch?v=ch2jewjCaN4&list=PL93D704769E6A8781&index=479 )