
Megi Llubani
1- Një karrierë në ushtri…ose jo!
Në vazhdimësinë e fushatës së ministrisë së Mbrojtjes për tërheqjen e interesit të të rinjve në rekrutimin në forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, zv. ministri i mbrojtjes, Z. Petro Koçi ishte në fillim të muajit maj në shkollën e mesme Petro Nini Luarasi. Sikurse publikohet në faqen zyrtare të ministrisë, takimi u hap nga Komandanti i Qendrës së Personel Rekrutimit sipas të cilit: ‘’Nëse rekrutohesh dhe bëhesh pjesë e FA, përftimet dhe mundësitë janë më të mëdha, pasi lidhet një kontratë pune e rregullt dhe e sigurt, përfitohet shërbim shëndetësor falas për vete dhe familjen, krijohet mundësi arsimimi dhe kualifikimi brenda e jashtë vendit pa pagesë, bëhet pajisja me vlerën e ushtarit profesionist, i cili përfiton të gjitha të drejtat që parashikon Statusi i Ushtarakut të Republikës së Shqipërisë.’’ Bashkë me fjalën përshëndetëse të zëvendës ministrit të mbrojtjes, kuptohet se simbolikat kryesore të këtij takimi dhe ftesës për t’u bërë pjesë e FA janë:
- Bëhu pjesë e forcave të armatosura për të shmangur papunësinë.
- Bëhu pjesë e forcave të armatosura për të udhëtuar jashtë Shqipërisë, falas.
- Bëhu pjesë e forcave të armatosura pasi ka vetëm përfitime.
Në një tjetër takim me nxënës të shkollës së mesme ‘’Sami Frashëri’’ vetë ministrja e Mbrojtjes, Znj. Mimi Kodheli u shpreh se Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë janë ‘’pjesa më e mirë e shoqërisë shqiptare’’.
Ndërsa këto janë mekanizma që përdoren për të spikatur interesin e të rinjve e për të pikturuar një panoramë rozë për çfarë i pret ata që e konsiderojnë një profesion të tillë, ‘’harrohet’’ të përmenden të tjera fakte për përkatësinë në Forcat e Armatosura. Një ndër to është paga sipas rangjeve të ndryshme dhe koha e përafërt që nevojitet për të kaluar nga njëra gradë në tjetrën. Sipas tabelës së pagave për Forcat e Armatosura publikuar në vitin 2013:
- Maksimumi i pagës për një ushtar/detar profesionist është 38 500 lekë, për ata me më tepër se 6 vite eksperiencë, ndërkohë që koha minimale e qëndrimit nga grada Ushtar I në Ushtar IV është 7 vjet (e kombinuar). Kjo do të thotë se në këtë gradë për mesatarisht shtatë vite paga e ushtarit profesionist do të rritet maksimumi me 8000 lekë, pra mesatarisht 1000 lekë në vit.
- Për nënoficerët paga minimale shkon 33 400 për nëntetarët dhe paga maksimale 58 300 për K/Kapter me eksperiencë mbi 26 vite. Për kalimin e pesë gradave në këtë kategori me një kohë mesatare qëndrimi në gradë prej pesë vitesh, paga ndryshon vetëm me 20 100 lekë (33 400 – 53 500).
- Për oficerët 45 100 lekë (afërsisht 10 000 lekë më tepër se grada më e ulët e nënoficerit) dhe paga maksimale arrin në 157 000 për gradën Gjeneral Lejtnant (Admiral) për shërbim mbi 26 vite. Në këtë kategori kalimi nga grada e nëntogerit në gradën më të lartë kërkon një kohë minimale qëndrimi në gradë nga 3 në 6 vjet, ose në total të paktën 34 vjet…(Referuar ligjit për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë).
2- Koha për pastrimin e bregdetit
Në datë 7 maj, me vendim të Këshillit të Ministrave miratohet një shtesë në buxhetin e ministrisë së Mbrojtjes me qëllim mbulimin e shpenzimeve të strukturave të përfshira në pastrimin e zonave bregdetare gjatë sezonit turistik. Një fond prej 14 000 milionë lekësh është vënë në dispozicion të ministrisë së Mbrojtjes, e cila duhet të lidhë marrëveshje me ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes. Sipas VKM nr. 393, këto dy ministri ngarkohet të nënshkruajnë një marrëveshje për të përcaktuar stafin që do të angazhohet, zonat të cilat do të pastrohen dhe të tjerë elemente operacionalë. Megjithëse vendimi është publikuar që në datën 19 maj, nuk ka ende ndonjë njoftim si nga ana e ministrisë së Mbrojtjes, mesa duket tepër e zënë duke zhvilluar takime mbi përfitimet e të qenit ushtarak, as nga ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes. Shuma e alokuar për këtë ministri nuk është e vogël, për rrjedhojë për hir të transparencës, për ndjekjen e parave të taksapaguesve, do të ishte e vlefshme të publikohen detajet e marrëveshjes ndërmjet të dy ministrive, planin e punës dhe si do të shpërndahen shpenzimet e ndryshme sipas zërave të buxhetit të miratuar. Deri më tani ky informacion nuk është i aksesueshëm.
Referenca
- Ministria e Mbrojtjes. 8 maj 2015. Vijon fushata për rekrutimin në Forcat e Armatosura.
Online: http://www.mod.gov.al/index.php/neësroom-2/1105-vijon-fushata-per-rekrutimin-ne-forcat-e-armatosura - Qendra e Botimeve Zyrtare. Fletorja Zyrtare e Republikës së Shqipërisë nr. 78. 19 maj 2015. Vendim i Këshillit të Ministrave nr. 393 Për një shtesë fondi në buxhetin e vitit 2015, miratuar për Ministrinë e Mbrojtjes, për mbulimin e shpenzimeve të strukturave të angazhuara për pastrimin e zonave bregdetare. Online:http://www.qbz.gov.al/botime/fletore_zyrtare/2015/PDF-2015/78-2015.pdf
- Gazeta Panorama. Korrik 2013. Tabelat e plota: Pagat e reja për policët dhe ushtarakët.
Online: http://www.panorama.com.al/tabelat-e-plota-pagat-e-reja-per-policet-dhe-ushtaraket/ - Republika e Shqipërisë, Kuvendi. Ligj 59/2014. Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Online: http://www.mod.gov.al/images/akteligjore/gradat/59_2014.pdf