
Elena Pici
1- FMN zhgënjehet – Ministria jep sqarime.
Në raportin e fundit ekonomik rajonal të Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore, të publikuar nga FMN, kjo e fundit u shpreh se mbledhja e të ardhurave nga taksat në buxhet është zhgënjyese, por po kaq zhgënjyese është edhe analiza e saj në lidhje me shkaqet. FMN tha se shkaku kryesor buron nga diferencimi apo lehtësimi fiskal i qeverisë për disa sektorë si në karburante, tekstile, bujqësi etj, por këto kanë efekt të vogël, prandaj dhe zhbalancimi në sistemin e taksave për shkak të lehtësive duhet të ketë krijuar të çara për evazion dhe paratë që duhet të shkonin në buxhet kanë rrjedhur diku në tjetër vend.
Ministria e Financave, në reagimin e saj pas raportit të FMN-së, deklaron se ka projektuar një shifër më të lartë të borxhit publik sesa FMN në të njëjtat periudha kohore. Konkretisht, Ministria e Financave ka projektuar një nivel borxhi prej 72% për 2014 dhe 71.8% për 2015, ndërsa FMN ka projektuar respektivisht një nivel borxhi 71% dhe 70.8%. Pra, Ministria e Financave ka projektuar një nivel disi më të lartë të borxhit publik sesa FMN. Shkaku i rritjes së projeksionit të borxhit të Shqipërisë për 2015 pretendohet te jetë ndryshimi i kursit nominal të këmbimit.
Presioni ndaj financave duket të jetë i lartë. Padyshim kjo situatë kërkon njëkohësisht luftën kundër informalitetit për të rikthyer rritjen ekonomike, si dhe ristrukturimin e borxhit. Një rast i mirë do të ishte mundësia e hedhjes në treg të një eurobondi, i cili nëse rezulton i suksesshëm mund t’i ulë buxhetit disa kosto dhe të ndihmojë Ministrinë e Financave që në 2017-n të çojë në 65.5% nivelin e borxhit.
2- Të paktën shfrytëzojeni borxhin me zgjuarsi!
Në muajt paraardhës kemi raportuar borxhin prej 1.2 miliard dollarë që qeveria shqiptare ka marrë nga Banka Botërore. Është bërë e ditur se ndarja e këtyre parave do të jetë:
- 700 milionë për 4-5 projekte në partneritet me Bankën Botërore;
- 500 milionë për mbështetje buxhetore, që do të thotë zvogëlim i defiçitit buxhetor
Në një gjykim objektiv, ky konsiderohet borxh i butë, pasi interesi vjetor i Euroborit +0.5 %, që do të fillojë të paguhet pas 7 viteve, është një interes i reduktuar.
Me një gjuhë shumë të thjeshtë mund të themi se ky borxh siguron “rehatinë” e qeverisë shqiptare për 7 vjet – është e sigurt që nuk falimentojmë. Duke qenë se Banka Botërore ka kryesisht influencë amerikane, ishte politikisht e pritshme mbështetja ndaj cilësdo parti shqiptare në pushtet, me qëllim minimizimin e “infiltrimeve” të tjera në Ballkanin Perëndimor. Megjithatë, borxhet janë të gjitha për t’u paguar (prandaj në një diskutim tjetër duhet trajtuar jo më qasja për taksa të ulëta apo të larta, por taksa të larta dhe defiçit të ulët buxhetor dhe anasjelltas, pasi taksat e ulëta sot janë thjesht shtyrje e barrës fiskale për brezat në vijim).
Nëse analizojmë atë çfarë do të na duhet të paguajmë, Eurobor-i (Euro Interbank Offered Rate) është një normë interesi e përditshme, e llogaritur si mesatarizim i interesave të bankave të Eurozonës. Analisti Parid Turdiu sqaron se aktualisht Eurobor-i është në nivele gati zero, por të mos gëzohemi para kohe. Kredia do fillojë të paguhet pas 7 viteve, kur Euribor-i mund të shkojë në 4-5%. Kjo do të thotë që interesi për kredinë pritet të jetë 4.5 – 5.5%.
Kjo e vë ekonominë shqiptare para detyrës për të siguruar deri atëherë një rritje të qëndrueshme ekonomike. Një rritje që nuk justifikon asnjë arsye për mos mbledhje të TVSH-së apo për mos realizim plani të zvogëlimit të borxhit publik. Konkludojmë se ky është një borxh i mirë – praktikisht janë 7 vjet para falas, por ai nuk duhet të shpërdorohet. Përkundrazi, të investohet me urtësi në sektorë që sigurojnë të mira afatgjata.
3- Një mikeshë si Italia
Programi i Konvertimit të Borxhit për Zhvillim (IADSA), një instrument inovativ për vendin tonë, deri tani ka rezultuar të jetë një nga programet më të suksesshme italo-shqiptare të viteve të fundit. Në muajin Maj, u zhvillua ceremonia e miratimit të financimit të gjashtë projekteve, për një vlerë totale financimi prej 2.5 milionë eurosh, pjesë e thirrjes së tretë në kuadrin IADSA, një iniciativë e Programit Aktual të Bashkëpunimit dhe Zhvillimit Italo-Shqiptar për të mbështetur zhvillimin social në Shqipëri.
Ministri Cani sqaroi se kryesisht për shkak të reformës territoriale, këtë herë thirrja ishte e hapur vetëm për ministritë dhe agjencitë qeveritare dhe siguroi se projektet e financuara i përgjigjen nevojave konkrete të target grupeve të caktuara dhe janë në linjë me strategjitë zhvillimore të qeverisë shqiptare.
Thirrjes së tretë për propozime të shpallura iu përgjigjën 38 projekt-propozime të paraqitura nga ministritë shqiptare, për një total financimesh të kërkuar prej 14 milionë Eurosh. Projektet janë bazuar në prioritetet strategjike të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë të përfshira në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim dhe me strategji të përditësuara sektoriale dhe ndër-sektoriale, si edhe me Planin Kombëtar të Veprimit për Realizimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit të Republikës së Shqipërisë.
Pas fazave të vlerësimit teknik të projekt-propozimeve, Komiteti i Menaxhimit aprovoi financimin e 6 projekteve për një vlerë totale financimi prej 2.5 milionë Eurosh. Në projektet e financuara përfshihen: një projekt ka si qëllim zhvillimin e një projekti pilot për zhvillimin turistik në zonën e Vlorës, nëpërmjet krijimit të qendrave të informacionit turistik dhe infrastrukturës sinjalistike turistike, një projekti i dytë, që ka si qëllim konvertimin e bunkerit të nëndheshëm pranë Ministrisë së Brendshme në një qendër artistike të vizitueshme); një projekt që ka si qëllim krijimin e standardeve për urgjencat në pikat turistike detare dhe pajisjen e ambienteve me aparatura mjekësore të përshtatshme; një projekt për krijimin e 5 shkollave pilot në konceptin e shkollës si Qendër Komunitare; projekt për krijimin e një inkubatori për start-up-et teknologjike dhe financimin e disa ideve për t’u shndërruar në biznese inovative; një tjetër projekt për fuqizimin e formimit profesional në sektorin e mekatronikës në Shkodër.
Megjithëse në këtë fazë të tretë më pak projekte ju përgjigjen thirrjes (në fazën e parë 92 projekte, me një total financimesh të kërkuar prej 18 milionë Eurosh, ndërsa në të dytën 96 projekte nga e gjithë Shqipëria për një total financimesh të kërkuar prej 20 milionë Eurosh) dhe rrjedhimisht më pak fitues kishte, ky mund të konsiderohet një hap pozitiv për të implementuar reforma dhe një mësim i mirë për institucionet e qeverisjen qendrore dhe lokale për të aplikuar më pas në fonde të Bashkimit Evropian.
Referenca
- Gazeta Shqip. Maj 2015. Ministria e financave – jemi me konservatore se FMN.
http://gazeta-shqip.com/lajme/2015/05/13/ministria-e-financave-jemi-me-konservatore-se-fmn-per-rritjen-e-borxhit/ - Mapo.al. Maj 2015. FMN- Shqipëria i vetmi vend ku u rrit papunësia dhe u ulen pagat.
http://www.mapo.al/2015/05/fmn-shqiperia-i-vetmi-vend-ku-u-rrit-papunesia-dhe-rane-pagat - Ministria e Financave. Maj 2015. Disa fjale për borxhin dhe madhësinë e tij. http://www.financa.gov.al/al/njoftime/deklarata-per-shtyp/disa-fjale-per-borxhin-dhe-madhesine-e-tij&page=1
- Ministria e Financave. Maj 2015. Konvertimi i borxhit për zhvillim – shpallen gjashte projektet fituese.
http://www.financa.gov.al/al/njoftime/deklarata-per-shtyp/konvertimi-i-borxhit-per-zhvillim-shpallen-gjashte-projektet-fituese-te-thirrjes-se-trete&page=1 - Reporter.al. Maj 2015. Problemi politik i kredive te këqija.
http://www.reporter.al/problemi-politik-i-kredive-te-keqija/ - ShtetiWeb. Maj 2015. Edhe FMN zhgënjehet.
http://shtetiweb.org/2015/05/19/edhe-fmn-zhgenjehet/ - Vizion Plus. Maj 2015. FMN – Shqipëria borxh te larte.
http://vizionplus.al/fmn-shqiperia-borxh-te-larte/