
Gerion Treska
1- Kush e paguan humbjen 37.6%?
Vala e reformave në sektorin e energjisë ka sjellë në sfond një reklamë të re për përdorim politik. Dhe kështu ndodhi, më 04 Maj 2015 Kryeministri duke premtuar se rezultatet e reformave do të vijnë, e ilustroi këtë me një shembull ku spikati muajin prill. Në këtë muaj OSHEE ka dalë me fitim, po sipas shembullit të Kryeministrit, me pak fjalë për herë të parë në historinë e saj OSHEE-ja nuk ka nevojë të kërkojë para nga taksat për të mbuluar gropën që hapet nga vjedhjet.
Ndërkohë Kryeministri në Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 171, datë 25.02.2015 “Për miratimin e Planit të Rimëkëmbjes Financiare të Sektorit të Energjisë Elektrike”, pranon se humbjet në rrjet janë në nivelin 37.6% dhe përmes këtij Plani synohet reduktimi i humbjeve në sektorin e shpërndarjes me një mesatare prej 5% ulje çdo vit, me synimin që në 2019 humbjet të arrijnë në 14%!
Në rast se OSHEE ka dalë me fitim dhe në rrjet ka një humbje prej përreth 37% këto humbje kush i paguan në këtë rast? Bazuar në eksperiencën e mos pagimit, të kësaj diference në humbje e paguan konsumatorët. Pra qytetarët jo vetëm që paguajnë atë që ata konsumojnë, por paguajnë edhe 37% humbje dhe në fund kemi një bilanc pozitiv, a do të thotë kjo se kemi një faturim të drejtë të atyre që paguajnë energjinë elektrike?
Një nga instrumentet se si Qeveria ka menduar ta ulë përqindjen e humbjeve në treg janë matësit inteligjent të energjisë elektrike. Kompania “Deutche Telekom” ka filluar prodhimin e 9300 matësve inteligjentë, që në bashkëpunim me AMC do të instalohen në zonat më problematike të Shqipërisë në formën e një projekti-pilot. Matësit e energjisë jo vetëm që ndikojnë në uljen e konsumit, por përjashtojnë çdo mundësi të vjedhjes së energjisë, mbifaturimi dhe mosvlerësimi i saktë i matjes nga punonjësi i OSHEE.
Sistemi i ri i matësve inteligjentë mund të kontrollohet direkt në një portal online nga konsumatori për të ditur sesa harxhon energji dhe për të ekonomizuar më mirë shpenzimet për këtë zë. Sipas burimeve nga OSHEE-ja, këto lloj matësish do vendosen në Tiranë në 4 zonat më problematike: Bathore, Paskuqan, Allias dhe Babrru, që kanë krijuar shumë probleme në pagesat e energjisë së konsumuar.
Janë edhe 40 mijë matës inteligjentë të tjerë që do të shpërndahen në gjithë vendin, në zonat më problematike me pagesat e energjisë. Ndërsa deri në vitin 2020 sektori elektro-energjetik do të përfitojë financime në vlerën e 420 milionë dollarëve, sektori i Shpërndarjes mbetet kujdesi kryesor për investime.
Reforma e energjisë për luftën ndaj humbjeve në rrjet jo vetëm që përkthehet në nisma konkrete si këto të mësipërmet por njëkohësisht duket se Qeveria e ka menduar gjithçka më së miri, të kopsitur më anë të financimeve të institucioneve të huaja financiare si dhe ndihmën e kompanive vendase dhe të huaja. Por a është kjo zgjidhja më e mirë dhe efektive për rastin e Shqipërisë? Cilat kanë qenë eksperiencat e shqyrtuara prej të cilave u përzgjodh kjo metodë? Sa do të jetë kostoja jo vetëm financiare por edhe e jo financiare e këtij skenari? Pushteti i kontrollit të shifrave të konsumit i mbetet sërish kompanisë shpërndarëse dhe konsumatori kthehet ne një lexues dhe jo i angazhuar në monitorimin e konsumit të tij.
Dhe së fundmi, në rast se bazohemi në informacionin e dhënë mbi këta matës inteligjentë, se konsumi mund të kontrollohet nga përdoruesi online, a do te thotë kjo se qeveria ka ofruar internet falas në çdo shtëpi nga ku konsumatorët monitorojnë energjinë?
Pyetjet e mësipërme shtrihen në rrafshin e konsumatorit familjar i cili është akoma më i ndjeshëm ndaj luhatjeve të tilla, por këtu të mos harrojmë bizneset të cilat po përdoren në këtë projekt pilot pavarësisht dëshirës së tyre, kjo në mungesë të një zgjedhjeje tjetër detyrohen të jenë “kavjet” ku shumë shpejt do të kuptojmë se sa rezultativ është ky instrument i ri inteligjent.
2- “Hijet” e të investuarit në energji në Shqipëri!
Gjatë këtij muaji në takimet e tij me investitorë turq dhe italianë Ministri Gjiknuri nuk ka hezituar të reklamojë Shqipërinë si një investim potencial.
Në një moment kur përmes reformave të kësaj Qeverie po tentohet një ndryshim thelbësor në fushën e energjetikës në Shqipëri me qëllim konsolidimin e besimit të investitorëve të huaj.
Ligji i ri për Energjinë Elektrike synon liberalizimin e sektorit të energjisë elektrike, liberalizimin e prodhimit, fillimin e liberalizimit të shpërndarjes dhe kuptohet, hapjen e mundësive më të mëdha për investime në këtë drejtim. “Një hapje” e tillë e një tregu që stimulon konkurrencën e lirë, ndërmarrë nga një Qeveri e majtë mund të jetë një indikator i cili duhet mbajtur në monitorim nga njëra anë, por nga ana tjetër mundësia për të kapur në kohë këtë ofertë për investitorët e huaj duket paksa çoroditëse.
Disiplina e re financiare më te cilën reklamon Ministri Gjiknuri është një stimul më shumë për investitorët por me një humbje prej 37% në rrjet pavarësisht masave dhe planeve që ende janë në fazat e para, ky stimul mbetet me një hije dyshimi nga pas.
Vendosja e marrëdhënieve energjetike me tregjet e Kosovës dhe Maqedoninë është një plus që pa dyshim shihet me miklim nga investitorët megjithëse situatat politike në këto vende nuk janë fort të qëndrueshme dhe aq më tepër që Shqipëria riskun më të madh ka motin.
Por diversifikimi i portofolit të energjisë duke u bërë pjesë e projektit të gazsjellësit Trans Adriatik po krijon mundësi edhe për përdorimin e gazit në Shqipëri. Një momentum i tillë nuk është për t’u humbur pavarësisht se rregullat se si do të funksionojë ky treg i ri nuk duken në horizont. Duke u përpjekur që Qeveria të garantojë lehtësirat për realizmin e TAP si dhe rolin e Shqipërisë në këtë projekt horizonti i tregut të ri mbetet një sfidë e Qeverisë në lidhje me aktorët dhe rregullat e lojës.
Shpallja e 3 zonave të reja të kërkimit për naftë është një test i mirëfilltë i vullnetit të cilësisë dhe sasisë së interesimit të kompanive të huaja mbi hidrokarburet në Shqipëri.
Në thelb mesazhi i Ministrit Gjiknuri, megjithëse në tentativë për ta zhveshur nga propaganda politike, mbetet ftesa për të ardhur dhe investuar në Shqipëri sepse ky është momenti i duhur, dhe kjo sepse kjo Qeveri ka demonstruar me masa konkrete që ka kryer reforma strukturore që mund të kenë pasur edhe kosto politike, por që janë shumë të nevojshme për perspektivën e zhvillimit, për qëndrueshmërinë e investimeve dhe për zhvillimin e mëtejshëm të Shqipërisë.
Referenca
- http://www.energjia.gov.al/files/userfiles/Energjetik/2015/VKM_nr._125_date_11.02.2015.pdf
- http://acp.al/news/861/Ne-2016-en-cdo-shqiptar-do-te-kete-mates-inteligjent-energjie/
- http://acp.al/news/898/Borxhi-i-energjise-elektrike-arrin-ne-39-mld-leke/
- http://www.top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=298280&ref=ml
- http://www.energjia.gov.al/al/njoftime/lajme/projektligji-i-ri-per-energjine-konsultohet-me-grupet-e-interesit&page=3
- http://www.energjia.gov.al/al/njoftime/fjalime/ministri-gjiknuri-investitoreve-italiane-momenti-i-duhur-qe-te-vini-ne-shqiperi
- http://www.energjia.gov.al/al/njoftime/deklarata-per-shtyp/investimet-e-huaja-ministri-gjiknuri-pret-sipermarresit-turq