
Adela Danaj
1- Skemë e re për investimet fermerëve-50% kredi dhe 50% nga shteti
Më datë 25 Maj, Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama, shpalli një program të ri financimi për mbështetjen e bujqësisë dhe zhvillimin rural të vendit, përmes një bashkëpunimi me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, (BERZH). Programi u njoh si “Fondi Kombëtar i Garancisë në Bujqësi dhe Zhvillimin Rural”, i cili do të ketë si qëllim të tij kryesor dialogun, Qeveri-Banka–Fermerë.
Ky program përfshin një skemë në të cilën do të jenë të përfshirë një sërë bankash të cilat do të krijojnë kushte lehtësuese për fermerët që do të drejtohen aty për marrjen e një kredie, në mënyrë që këto të fundit ta investojnë këtë kredi për ngritjen e aktivitetit të tyre bujqësor. Por, sipas kësaj skeme, fermerit do t’i duhet të investojë vetëm 50%, ndërkohë që 50% tjetër i investimit i takon shtetit.
Në këtë takim ishte i pranishëm dhe ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Z. Edmond Panariti. Ministri gjatë fjalës së tij, u shpreh i entuziazmuar se shteti shqiptar do të investojë 100 milionë euro me qëllim që ky sektor të kthehet në një lokomotivë të zhvillimit të ekonomisë shqiptare.
Nga kjo perspektivë, duket se nisma nuk do të jetë e vështirë për tu aplikuar, gjithashtu, nuk mund të mohohet se fermerëve “do tu jepet një dorë” për të ngritur aktivitetin e tyre. Por, nga deklarata e kryeministrit dhe aq më pak e ministrit, nuk u pohua në asnjë moment se çfarë ka parashikuar kjo skemë në rast dështimi të investimit. Dështim i cili mund të vijë si rezultat i mungesës së përvojës, mos studimit të kushteve për të patur rezultat në të mbjella, etj. Çfarë do të ndodhë me ata fermerë të cilët do të jenë bërë subjekt kredie? Kush do ta marrë përsipër riskun e shpërdorimit të parave që do të ketë financuar shteti dhe mbi të gjitha kush do ta paguajë kredinë individuale që do të marrin vetë fermerët? Nëse kjo do të ndodhte, atëherë kjo situatë do të sillte implikime të mëtejshme të cilat do të prekin drejt për drejt ekonominë shqiptare. Sigurisht, do të jenë ekspertët e ekonomisë ata të cilët do të duhet të analizojnë implikimet e kësaj skeme investimi, por kushdo që do të përfshihet në këtë skemë (gjithmonë nëse zbatohet ndonjëherë) duhet të marrë në konsideratë “xhepin” e vet dhe jo entuziazmin ministror.
2- Marrëveshja me Hungarinë, plan në letër apo nismë konkrete?
Gjatë muajit Maj, Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave realizoi një takim me një delegacion të qeverisë hungareze për diplomacinë ekonomike, i cili kryesohej nga zëvendësministri i jashtëm dhe i tregtisë z. Laslo SZABO. Qëllimi i këtij takimi ishte bashkëpunimi ekonomik në fushën e bujqësisë midis Shqipërisë dhe Hungarisë. Sipas asaj që raportohet në faqen zyrtare të kësaj ministrie, të dy palët shprehën vullnetin që të forcojnë bashkëpunimin me hapa konkretë dhe të shpejtë në drejtim të asistencës hungareze në fushën e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë në fushën e bujqësisë, asistenca për programin IPARD, bashkëpunimi me zyrën rajonale të FAO-s në Budapest me qëllim nxitjen e projekteve në bujqësi. Gjithashtu, ky takim preku një tjetër çështje të rëndësishme që lidhet me rritjen e volumit të këmbimit të mallrave bujqësore, kryesisht blegtorale, fruta, perime.
Në lidhje me këtë lajm, duhet theksuar se nga ky takim nuk pati ndonjë marrëveshje të arritur. Takimi nisi dhe mbeti në kuadër të bisedimeve. Sigurisht që nisma duket ambicioze, por ajo ende është në funksion të planeve afatgjata dhe jo nismave konkrete.
Ky ka qenë një nga lajmet më të rëndësishme që ka publikuar ministria në fjalë për muajin Maj, duke qenë se gjatë këtij muaji, ajo nuk ka realizuar ndonjë aktivitet të rëndësishëm apo nuk ka iniciuar ndonjë nismë specifike lidhur me një çështje të caktuar. Aktiviteti i saj ka qenë i vakët, ndaj dhe raportimet kanë qenë shumë të pakta në numër.
Referenca
- Agjencia Telegrafike Shqiptare. Maj 2015. Rama: Prioriteti i qeverisë, kthimi i bujqësisë në lokomotivë të zhvillimit ekonomik.
http://www.ata.gov.al/qeveria-shpall-fond-kombetar-te-garancise-per-bujqesise-dhe-zhvillimin-rural-267934.html - Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave. Maj 2015. Panariti-Szabo: Hungaria mbështetje të gjerë zhvillimit të bujqësisë shqiptare.
http://www.bujqesia.gov.al/al/lajme/njoftime-per-shtyp/panariti-szabo-hungaria-mbeshtetje-te-gjere-zhvillimit-te-bujqesise-shqiptare