![Gerion Treska](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2015/01/10984949_314752732056499_761909916_n1-295x300.jpg)
Gerion Treska
1- Halli janë mësuesit jo nxënësit!
Duke qenë se dixhitalizimi i arsimit konsiderohet si prioritet dhe sfidë nga MAS, klasat inteligjente tashmë janë një realitet shumë i afërt dhe i realizueshëm i shkollave publike. Një ritëm i shpejtë deri diku i ngutshëm vijon për krijimin e infrastrukturës së duhur. Për vitin e ri shkollor, do fillojnë të funksionojnë 120 klasa inteligjente në 60 shkollat e përzgjedhura në gjithë vendin nga ku 47.000 nxënës do të përfitojnë nga ky projekt. Laboratorët dixhitalë përfshijnë projektorë interaktivë, 40 tableta për nxënësit, 15 tableta për sallën e mësuesve dhe 3 laptopë për mësuesit.
Patjetër që pas kësaj baze materiale të nevojshme për klasat inteligjente dixhitale, ka një tender të mirëzbatuar sipas të gjitha procedurave transparente dhe të kërkuara sipas ligjit paçka se të pakët janë personat që kanë marrë nga shija e kësaj transparence.
Dhe gjithashtu është mëse e dukshme se përmbushja e kësaj nevoje, pasjes së klasave inteligjente dixhitale, është në majën e prioriteteve të MAS, të nevojave të realitetit të shkollave dhe sistemit arsimor shqiptar, megjithëse sipas Kryeministrit Rama, në këtë rast nuk janë hall nxënësit por mësuesit. Nxënësit e kanë shumë më të thjeshtë që ta thithin të gjithë botën e teknologjisë së re, ndërkohë që mësuesit e kanë më të vështirë dhe trajnimi i mësuesve në këtë proces është një sfidë e madhe, ashtu sikundër dhe vënia e mësuesve në dispozicion të këtij procesi me dije të plota është një sfidë e madhe.
2- Reforma nuk kalon, MAS herë të dëgjon e herë vepron!
Siç është pasqyruar në media studentët por edhe pedagogë të pakënaqur të universitetit publik kanë protestuar nën sloganin “Reforma nuk kalon”. Në fakt duket se qeveria nuk ka ndërmend të “tundet” nga qëndrimi i saj, madje MAS duket mjaft e përgatitur dhe e qartë në atë që do të arrijë, në reformimin e plotë të arsimit shqiptar. Pavarësisht konsultimit me grupe të ndryshme interesi, MAS ka shpalosur vizionin e saj për arsimin dhe duket se ka në krah të saj edhe mbështetjen e qeverisë dhe të Parlamentit.
Ndërkohë që me arsimin e lartë MAS vazhdon të qëndrojë fort me argumentet e saj mbi stimulimin e kërkimit shkencor dhe njëkohësisht pavarësinë e universiteteve, jo vetëm atë akademike por edhe financiare, duke sjellë një rol të ri të MAS në administrimin e arsimit të lartë, në arsimin parauniversitar MAS tentoi të eliminonte altertekstin.
Në Komisionin e Integrimit Europian, Ministrja Nikolla theksoi se sistemi ynë arsimor parauniversitar është përfshirë në një reformë të re kurrikulare të bazuar në kompetenca, që është edhe trendi i sistemeve arsimore të Evropës, ndaj përfshirja e kësaj kurrikule kërkon rikonceptim të Nenit 13-të, lidhur edhe me kompetencat themelore për nxënësit.
Neni 13 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 13 Kompetencat, Kompetencat themelore për të gjithë nxënësit janë:
- a) Kompetenca e komunikimit dhe e të shprehurit;
- b) Kompetenca e të menduarit;
- c) Kompetenca e të mësuarit për të nxënë;
- d) Kompetenca për jetën, sipërmarrjen dhe mjedisin;
- e) Kompetenca personale;
- f) Kompetenca qytetare;
- g) Kompetenca dixhitale.
Në lidhje me ndryshimet në ligjin aktual 69/2012 për tekstet, Ministrja Nikolla i qëndroi bindjes se duhet të shkohet drejt tekstit unik duke mos hequr dorë nga konkurrenca. Për realizimin e procesit të përzgjedhjes ajo që shtohet është fakti që kemi vendosur standarde. Deri më sot përzgjedhja bëhej mbi disa kritere që përcaktoheshin nga Ministri, ndërkohë që MAS ka realizuar një dokument që është standardi për tekstet shkolle dhe që është një mekanizëm për përzgjedhjen e teksteve shkollore cilësore, nuk bëhet fjalë as për përmbysje dhe as për përmirësim të altertekstit, por për një zhvendosje nga alterteksti.
Vizioni i Ministres nuk zgjati shumë pasi u hodh për diskutim nga të gjitha palët e përfshira. Në Udhëzimin e datës 26.03.2015 Nr. 9 pika 1 paragrafi c thuhet se:
- c) Çdo mësues, bazuar në katalogun për tekstet shkollore, të përzgjedhë tekstin shkollor më cilësor për lëndën/ët, sipas klasave, sipas nivelit arsimor ku zhvillon mësim. Mësuesi që zhvillon mësim në më shumë se një shkollë, do të plotësojë formularin për lëndën/ët në shkollën ku ka numrin më të madh të orëve mësimore javore. Drejtuesit e shkollës të plotësojnë formularin, të njëjtë me atë të mësuesit për lëndë/ët që zhvillojnë.
Në përfundim alterteksti qëndron duke konfirmuar se në këtë pikë sistemi arsimor parauniversitar shqiptar ndjek jo vetëm procedurat por edhe frymën europiane të vendeve anëtare të BE. Pavarësisht vizionit të Ministres sistemi lobues i palëve të interesuara funksionoi duke mbajtur altertekstin si alternativën më të mirë se sa versioni unik i teksteve.
Por për sa i përket testimit të mësuesve Ministrja Nikolla nuk është lëkundur aspak duke specifikuar gjithçka që duhet në Udhëzimin Nr. 2 datë 12.02.2015 «Për kriteret dhe procedurat e kualifikimit të mësuesve».
Në mes të informacionit herë të komplikuar në terminologji e herë të qartë, ajo që bie në sy është Pika 6 e Nenit 2:
- Punonjësit e diplomuar në mësuesi që punojnë pranë Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Institutit të Zhvillimit të Arsimit, Agjencisë Kombëtare të Provimeve, Agjencisë Kombëtare të Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve, Inspektoratit Shtetëror të Arsimit dhe DAR/ZAve përfitojnë pa hyrë në provime kategorinë e kualifikimit, nëse plotësojnë kriteret e përcaktuara në pikën 2 të këtij kreu.
Pra mjafton të jesh mësues i cili punon në një nga Institucionet e mësipërme dhe jo vetëm që përfiton mos hyrjen në provim, por njëkohësisht kategorinë e kualifikimit sipas kategorisë dhe viteve të punës përkatëse. Ndërkohë që nuk konfiguron në sistem të ketë kritere për zhvillimin e karrierës apo aftësive të këtyre punonjësve mësues në lidhje me pozicionet që përfaqësojnë në këto institucione. Padyshim që ky kriter, për ata që lexojnë Fletoren Zyrtare, do të sjellë një rritje të kërkesës për mësuesit që dëshirojnë të punësohen në këto institucione.
Referenca
- http://www.qbz.gov.al/botime/fletore_zyrtare/2015/PDF-2015/70-2015.pdf
- http://www.arsimi.gov.al/al/newsroom/lajme/ministrja-nikolla-ne-komisionin-e-integrimit-evropian
- http://www.arsimi.gov.al/al/newsroom/lajme/ministrja-nikolla-prezanton-ligjin-e-ri-te-arsimit-te-larte-ne-komisionin-e-edukimit
- http://www.arsimi.gov.al/al/newsroom/lajme/ministrja-nikolla-ne-komisionin-e-edukimit-per-projektligjin-mbi-arsimin-parauniversitar
- http://www.kryeministria.al/al/newsroom/fjalime/nje-revolucion-klasa-inteligjente-ne-shkollen-dixhitale